Ka vdekur në moshën 90-vjeçare, profesori dhe shkrimtari Muhamed Kërveshi.
Lajmin për vdekjen e tij e bënë të ditur familjarët, që kanë njoftuar se varrimi do të bëhet më 15 shkurt në orën 16:00. Mbledhja komemorative do të mbahet në sallën e Kuvendit Komunal në Pejë, në orën 14:00.
Kërveshi u lind më 1935 në Mitrovicë. Kreu shkollën fillore në Pejë, gjimnazin në Mitrovicë, ndërsa studimet universitare për gjuhë e letërsi frënge në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare i mbaroi në Zagreb ndërsa u doktorua në Prishtinë.
Ai punoi si mësimdhënës i gjuhës frënge në shkollën e mesme të Mitrovicës dhe të Pejës, ndërsa nga viti 1972 punoi si profesor i gjuhës frënge në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Sipas Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, vjershën e parë për fëmijë Kërveshi e ka botuar në revistën “Pionieri” më 1949 ndërsa për të rritur një vit më pas në “Jeta e re”. Ka botuar mbi 20 vëllime poetike origjinale dhe një sërë veprash të përkthyera.
Poezitë e tij janë paraqitur në shumë panorama e antologji të poezisë shqipe, të botuara në Kosovë, Shqipëri dhe vende të ndryshme të botës.
Kërveshi ka përkthyer më shumë se 10 vepra letrare të poetëve më të shquar francezë.
Ishte autor i disa librave për fëmijë.
Përveç poezive ka shkruar tregime, drama, kritikë e eseistikë.
Ndër veprat kryesore të tij janë: “Ngjyrat e dashurisë”, “Portretet në miniaturë”, “Hijet”, “Valët e reja”, Rrathët”, “Piramidat”, “Ura”, “Kundruall”, “Vazhdimësi”, “Sheshi i ditës”, “Lojë në vazhdime”, “Syri i Kosovës”, “Shifrat flasin”, “Jetë guri”, “Zjarri i përqafuar”, “Zilja e kujtimeve”, “Kopshtari i dashurisë”, “Prania e padukshme”.
Kërveshi ka fituar edhe çmime letrare e mirënjohje.