Kulturë

Vdiq producenti i filmave “Titanic” dhe “Avatar”, Jon Landau

Jon Landau

Jon Landau

Foto: Associated Press

Ka vdekur në moshën 63-vjeçare Jon Landau, producenti fitues i çmimit “Oscar” për disa prej filmave me fitimet më të larta në botë të të gjitha kohërave, duke përfshirë “Titanic” dhe “Avatar”.

Landau, i cili ishte për një kohë të gjatë partner producent i regjisorit James Cameron, thuhet se vdiq të premten pasi jetoi me kancer për më shumë se një vit.

Motra e tij, Tina konfirmoi vdekjen e tij në rrjetet sociale, duke e quajtur atë "vëllain më të mirë që një vajzë mund të ëndërronte ndonjëherë", raporton BBC.

Landau ishte djali i producentëve të Hollivudit Ely dhe Edie Landau dhe për një kohë ishte udhëheqës në kompaninë e prodhimit të filmit “20th Century Fox”, duke mbikëqyrur filmat si: The Last Of The Mohicans dhe Die Hard 2.

Përkrah Cameronit, ai ndihmoi në krijimin e hitit të vitit 1997, “Titanic”, i cili ishte filmi i parë që e kaloi shifrën prej 1 miliard dollarësh në arkat botërore.

Filmat e mëvonshëm “Avatar” dhe vazhdimi i tij “Avatar: The Way of Water”, të cilët u publikuan në vitin 2009 dhe 2022 respektivisht, vazhduan të thyenin rekordin e Titanikut.

Landau gjithashtu bashkëprodhoi filma të tjerë hit, duke përfshirë “Honey”, “I Shrunk the Kids” dhe “Dick Tracy”, dhe mbajti një pozicion drejtues në kompaninë e prodhimit të Cameron Lightstorm Entertainment.

Pas lajmit për vdekjen e Landau, Cameron ka thënë për “The Hollyëood Reporter” se "një producent i madh dhe një qenie e madhe njerëzore na ka lënë".

"Jon Landau besonte në ëndrrën e kinemasë. Ai besonte se filmi është forma më e mirë e artit njerëzor dhe për të bërë filma duhet së pari të jesh vetë njeriu", është shprehur ai.