Kulturë

Vdiq poetja Lindita Ahmeti

Lindita Ahmeti

Poetja Lindita Ahmeti ka vdekur mbrëmjen e së hënës.

E lindur në Prizren më 1973,  Ahmeti  përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin në Shkup, ndërsa studimet e larta për filologji klasike në Universitetin e Shkupit.

Sipas Fjalorit Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, vjershat e saj janë botuar në faqet e revistave letrare në gjuhën shqipe në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë. Me poezi u përfaqësua në shumë antologji në gjuhët shqipe, maqedonase dhe në gjuhë të tjera.

Aty shkruhet se ajo botoi pesë përmbledhje me poezi: “Mjedra dhe bluz” (1993), “Ishulli Adular” (1996), “Brezi i Zonjës” (2000), “Vetë përballë Erosit” (2004), “Lulja Alba” (përzgjedhje, 2008).

“Pothuaj të gjithë librat e saj u përkthyen në gjuhën maqedonase, kurse njëri edhe në gjuhën bullgare. Ne vitin 1993 mori Çmimin për librin më të mirë në gjuhën shqipe në Maqedoni, me ‘Mjedra e bluz’ Është fituese e çmimit ‘Qiriu i Naimit’ për vjershën më të mirë në festivalin e parë poetik “Ditët e Naimit” në Tetovë. Ne vitin 2013 e mori Çmimin e parë për poezi në konkursin letrar të Komunës së Tetovës”, shkruhet në zërin e Enciklopedisë të përgatitur nga Fatmir Sulejmani.