Kulturë

Vdiq Nuhi Vinca, studiuesi e profesori i folklorit

Nuhi Vinca

Folkloristika shqiptare ka humbur njërën prej figurave prijëse në mbledhjen dhe studimin e saj. Ka vdekur profesori e studiuesi Nuhi Vinca. Ai ishte 92-vjeçar. Lajmin e kanë konfirmuar familjarët.

“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë që babai jonë, prof. Dr. Nuhi Vinca u nda nga jeta me datë 9 korrik 2024”, ka shkruar në një njoftim e bija e profesorit, aktorja Ilire Vinca. Të enjten në orën 10:00 në Institutin Albanologjik të Prishtinës do të mbahet mbledhja komemorative, ndërkaq varrimi bëhen në orën 12:00 në Varrezat e Prishtinës

Nuhi Vinca u lind më 11 nëntor 1931. Ishte studiues i folklorit, poet. Lindi në Veleshtë të Strugës. Shkollën fillore e kreu ne vendlindje, të mesmen në Shkup, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1969. Po në këtë fakultet kreu edhe studimet pasuniversitare dhe mbrojti disertacionin e doktoratës më 1986.

Sipas biografisë në “Fjalorin enciklopedik të Kosovës” botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, profesor Vinca punoi si mësues dhe mësimdhënës në Strugë, në Kaçanik dhe në Ferizaj. “Më 1977 u bë punëtor shkencor në Degën e Folkloristikës në Institutin Albanologjik të Prishtinës deri më 1991. Ka mbledhur materiale të vlefshme folklorike si në vendlindjen e tij, ashtu edhe në shumë vise të tjera në Kosovë dhe në Maqedoni”, shkruhet në biografi. Po aty shkruhet se ai mori pjesë me kumtesa në shumë tubime shkencore. Nga folkloristika ka botuar veprat monografike: “Lirika popullore shqiptare e dashurisë” (1989), “Lirika popullore shqiptare e dashurisë në regjionin e Strugës” (1992) dhe përmbledhjen e artikujve studimor “Mbi poetikën e folklorit shqiptar (1996) pastaj “Fabula të zgjedhura” (2001), “Antologji e lirikës popullore shqiptare gjithëkombëtare (2004) e të tjera. Botoi edhe një sërë përmbledhjesh me vjersha dhe poema për të rritur dhe fëmijë (“Dallgë jugu”, 1967). Përktheu në gjuhën shqipe disa vepra të letërsisë maqedonase, polake, kroate, serbe e të tjera.

Lexo edhe: