Kulturë

Roberta Flack – ikona e muzikës soul dhe R&B

Roberta Flack

Roberta Flack, këngëtarja shumë e dashur nga publiku që shquhej për këngët, “Killing Me Softly With His Song”, “The First Time Ever I Saw Your Face” dhe disa duete me yje si, Donny Hathaway dhe Peabo Bryson, kishte pësuar goditje në tru në vitin 2016

Roberta Flack, këngëtarja amerikane e njohur për një varg hitesh përfshirë këngën, “Killing Me Softly With His Song”, vdiq në moshën 88-vjeçare.

“Jemi të pikëlluar me vdekjen e të mrekullueshmes Roberta Flack, në mëngjesin e sotëm”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi i këngëtares. 
“Ajo vdiq në paqe, e rrethuar nga familja e saj. Roberta theu kufij dhe rekorde. Ajo ishte gjithashtu një edukatore krenare”.

Me prezencën e një gruaje plot sharm dhe hijeshi, shkathtësinë për të kaluar kufijtë e zhanreve dhe aftësinë për të dhënë zë të plotë në notat e larta dhe të ulëta, Flack konsiderohet si një nga artistët më të mëdhenj të zhanrit “soul” dhe “R&B”.

Flack lindi në vitin 1937 në Black Mountain, Karolina e Veriut, nga prindër muzikantë. Nëna e saj Irene, ishte organiste në korin e kishës, që do të thotë se Flack u njoh me muzikën fetare dhe klasike qysh në moshë të re. Ajo filloi të luante në piano në moshën nëntëvjeçare dhe në moshën 15-vjeçare u pranua në Universitetin “Howard” për të studiuar muzikë, me një bursë të plotë, duke u bërë një nga studentët më të rinj të pranuar në historinë e shkollës.

Në moshën 19-vjeçare, e sapodiplomuara nga “Howardi” aspironte të bëhej këngëtare operistike, përpara se të pranonte një pozitë si mësimdhënëse në Karolinën e Veriut. Krahas kësaj pune, Flack filloi të performonte në klube nate gjatë mbrëmjeve dhe fundjavave, duke përfshirë elemente të muzikës klasike, “blues”, “folk”, “Motown” dhe “pop”. Virtuoziteti i saj bëri që të angazhohej për të interpretuar në lokacione të rregullta nëpër Washington DC, dhe në vitin 1968, angazhimi i Flackut si performuese rezidente në restorantin “Mr Henry’s”, bëri që ajo të hiqte dorë përgjithmonë nga mësimdhënia.

Ajo u njoh me pianistin dhe këngëtarin e muzikës “jazz” dhe “soul”, Les McCann, i cili e prezantoi me udhëheqësit e studios incizuese “Atlantic Records”. Në fillim të vitit 1969, ajo po e incizonte albumin e saj debutues me titull, “First Take”, që thuhet se e ka finalizuar në një periudhë prej 10 orësh.

Albumi dokumentoi ato vite që kishte interpretuar në restorantin “Mr Henry’s”, duke përjetësuar koleksionin e këngëve që kishte kaluar kaq shumë kohë duke i ushtruar atje. Në shënimet e botimit origjinal të albumit, McCann shkroi: “Zëri i saj preku, goditi, kaploi dhe shkundi çdo emocion që kam njohur ndonjëherë. Kam qeshur, kam qarë dhe kam ulëritur duke kërkuar më shumë”.

Megjithatë, tek në vitin 1971, kur version i saj i baladës popullore të Ewan MacCollit, “The First Time Ever I Saw Your Face” u përfshi si kolonë zanore e filmit “Play Misty for Me” të Clint Eastwoodit, Flack e arriti hitin e parë të madh në SHBA. Ajo kaloi gjashtë javë në vendin e parë të top-listave në vitin 1972, dhe një vit më vonë e fitoi një çmim “Grammy” për “Albumin më të mirë të vitit”. “Killing Me Softly With His Song” ia fitoi të njëjtin çmim në vitin 1974, duke e bërë Flackun artisten e parë që fitoi dy çmime “Grammy” radhazi (një arritje që më vonë u përsërit nga grupi ‘U2’ dhe artistja amerikane, Billie Eilish). Po atë vit ajo shënoi një tjetër hit të pozicionuar në vendin e parë në SHBA, me “Feel Like Makin’ Love”.

Rreth kësaj kohe, Flack filloi të bashkëpunonte me legjendën e muzikës “soul”, Donny Hathaway. Dyshja realizoi dy hite që u pozicionuan në top-pesëshe të top-listave në SHBA, “Where Is the Love” dhe “The Closer I Get to You”. Në vitin 1980, një vit pas vdekjes së Hathaway, dyshja pati një hit post-mortem në Mbretërinë e Bashkuar me këngën “Back Together Again, e cila arriti të pozicionohet në vendin e tretë. Flack hitin më të madh në Mbretërinë e Bashkuar e arriti me partnerin e ri të dueteve, Peabo Bryson, në vitin 1983. Balada e tyre “Tonight, I Celebrate My Love” u pozicionua në vendin e dytë të top-listave muzikore.

Gama mbresëlënëse e ndikimeve dhe bashkëpunëtorëve të Flackut ishte dëshmi e qasjes multidisiplinare dhe stilit të saj të veçantë. Ajo bëri duet me Michael Jacksonin, realizoi turne me Miles Davisin dhe interpretoi këngë të yjeve si, Leonard Cohen dhe Laura Nyro. Pas suksesit të saj të fillestar, ajo filloi të identifikohej me një stil më të qetë, të thellë dhe më të pjekur të muzikës “R&B”, që më vonë frymëzoi emra si, Erykah Badu, D’Angelo dhe “Fugees”. Në vitin 2012, Flack i publikoi disa këngë “cover” të grupit “The Beatles” të cilat i kishte përmbledhur në një album me titull, “Let It Be Roberta”.

Në një intervistë të mëparshme, Flack i kishte thënë gazetarit: “Unë e konsideroj veten një këngëtare shpirtërore, sepse mundohem të këndoj me gjithë ndjenjat që kam në trupin dhe mendjen time. Një person me shpirt të vërtetë është ai që mund të marrë këngën e dikujt tjetër dhe të kapërcej çdo mangësi apo teknikë, dhe thjesht të të bëjë ta dëgjosh atë këngë”.

Pasi u ndie keq me shëndet derisa ishte në skenë në vitin 2018, menaxheri i saj zbuloi se Flack kishte pësuar një goditje në tru disa vjet më parë.

Roberta Flack u martua një herë në vitin 1966 me jazz-muzikantin Steve Novosel. Çifti u shkurorëzua në vitin 1972.