Lajmi për vdekjen e Ismail Kadaresë ka pushtuar mediat botërore, të cilat kanë njoftuar për “ikjen e gjigantit të letërsisë”. Gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times” ka shkruar se ai ishte “shkrimtari i cili me romanet e tij ia shpalosi botës realitetin shqiptar”.
U krahasua me Orwellin dhe Kafkën dhe eci në litarin e hollë të politike me vepra që fshihnin kritikat e tij ndaj shtetit të tij totalitar”, ka shkruar NYT.
Ka kujtuar se emri i Kadaresë do të përflitej disa herë për çmimin “Nobel” për letërsi. Në vitin 2005, ai mori çmimin “Man Booker International Prize”. Finalistët përfshinin titanë të tillë si Gabriel García Márquez dhe Philip Roth.

Në dhënien e çmimit, John Carey, kritik britanik dhe kryetar i jurisë, e quajti Kadarenë “një shkrimtar universal në një traditë të tregimit që shkon prapa te Homeri”.
“Ismail Kadare, gjiganti i letërsisë botërore vdiq në moshën 88-vjeçare”, ka shkruar prestigjiozja britanike “The Guardian”.
“Rrëfimet e tij alegorike, që frymojnë nga jeta nën komunizmin shtetëror, morën vlerësime ndërkombëtare, por ai këmbënguli se nuk ishte një shkrimtar politik”, ka shkruar “The Guardan”.

Lajmi për vdekjen e tij është kumtuar edhe nëpër mediat e rajonit. “Vijesti” i Malit të Zi ka shkruar se ka vdekur “shkrimtari i madh shqiptar”, e portali “Standard” ka shkruar se “shqiptarët kanë humbur shkrimtarin gjenial”.

