Kulturë

Van Goghu i dhimbshëm, zemërthyer dhe i paharrueshëm

“The Park of the Hospital at Saint-Rémy”, Vincent van Gogh, 1889

“The Park of the Hospital at Saint-Rémy”, Vincent van Gogh, 1889

Duke bërë bashkë 61 nga kryeveprat e Vincent van Goghut nga e gjithë bota, ekspozita e organizuar një herë në jetë, në Galerinë Kombëtare të Londrës, e lejon artin të flasë vetë. Megjithatë, një formë zhgënjimi mund të jetë pasojë e natyrshme e një ekspozite si kjo. Në tërësinë e saj, është pothuajse e tepërt

Rachel Cooke

Në ekspozitën e re madhështore me vepra të Van Goghut në Galerinë Kombëtare në Londër, vizitorët do të kenë rastin të shohin një pikturë të vitit 1889, titulli i së cilës, “Undergrowth” (Nën rritje), nuk flet për luledielli, por për bimët e egra –  dhe ndoshta për shkurret e dendura të të pandërgjegjshmes. Lindur nga magjepsja e tij me kopshtin e egër të spitalit në Saint-Rémy, ku artisti ishte shtruar me vetëdëshirë pas disa krizave mendore, vepra në fjalë është e mbuluar me dredhka – një bimë e egër dhe jo shumë e dëshiruar për natyrën. Toka ka kohë që është mbuluar nga kjo bimë dhe duket sikur kanë filluar të shpërndahen edhe nëpër trungjet e pemëve përreth. Disa pjesë të vogla të ambientit në pikturë janë të ilustruara mrekullisht me rrezet e diellit, por ndjenja e përgjithshme që ajo e ofron është e zymtë. Sa më gjatë që e shikoja, aq më pa frymë ndihesha: sikur edhe mua po më mbysnin. 
Megjithatë, një formë zhgënjimi mund të jetë pasojë e natyrshme e një ekspozite si kjo. Në tërësinë e saj, është pothuajse e tepërt.

“Portrait of a Peasant” (Portreti i një fshatari) e realizuar në vitin 1888, një pikturë e një kopshtari të vjetër e titulluar “Patience Escalier”, nuk është larguar kurrë më parë nga koleksioni i Norton Simonit në Pasadena të Kalifornisë (Foto: Fondaconi Norton Simon)

Ekspozita e parë e madhe në Galerinë Kombëtare që i kushtohet Van Goghut – realizimi i së cilës shënon dyqindvjetorin e Galerisë – përfshin jo më pak se 61 vepra, secila prej të cilave vlen t’iu marrë të paktën dhjetë minuta nga koha juaj. Çfarë veprash të pabesueshme i janë huazuar galerisë për këtë ekspozitë! “Portrait of a Peasant” (Portreti i një fshatari) e realizuar në vitin 1888, një pikturë e një kopshtari të vjetër e titulluar “Patience Escalier”, nuk është larguar kurrë më parë nga koleksioni i Norton Simonit në Pasadena të Kalifornisë. Muzeu i Artit në Philadelphia e ka huazuar pikturën e vitit 1889 të titulluar “Sunflowers” (Luledielli), duke e bërë të mundur të qëndrojë e varur përkrah veprës “Sunflowers” të vitit 1888, të Galerisë Kombëtare, për herë të parë qëkur të dyja ishin në studion e artistit. Mes disa pikturave nga koleksionet private janë edhe “La Berceuse” (Ninulla) e vitit 1889, e cila vjen nga Muzeu i Arteve të Bukura të Bostonit, si dhe “Trees in the Garden of the Asylum”, një pikturë jashtëzakonisht e përmbajtur, korniza e së cilës e tregon admirimin e Van Goghut për printimet japoneze në blloqe të drurit. 

“Roses” e vitit 1889 karakterizohet me goditje të dhunshme peneli për të kapur petalet e zbehta (Foto: Muzeu i Artit Perëndimor, Tokio)

Si të ballafaqoheni me këtë bollëk veprash? Mënyra e vetme për ta bërë këtë është të lini mënjanë të gjitha mendimet për Van Goghun si njeri, më mirë ta shikoni me të vërtetë atë që keni para jush – një qasje të cilën e inkurajojnë edhe kuratorët fjalëpakë të ekspozitës. Në mure do të gjeni vetëm tituj dhe data (për të ditur më shumë duhet ta kërkoni çdo pikturë në një broshurë), një minimalizëm i krijuar për të lejuar që mendimet dhe ndjenjat e vizitorëve të rrjedhin lirshëm, të papenguara nga bisedat për veshët e përgjakur dhe plagët me armë zjarri.

Dhe nëse titulli i ekspozitës, “Poets & Lovers”, duket paksa i rremë, madje edhe konfuz – Van Goghu nuk ishte, në periudhën që mbulon, duke u shoqëruar me poetë. Për shoqëri ai mbështetej në një bordello, jo te ndonjë partner. Në shkurt të vitit 1888, Van Gogh mbërriti në Arles nga Parisi. Në kohën që pasoi, ai prodhoi afro 200 piktura dhe vizatime të panumërta, përkundër ose ndoshta për shkak të faktit që për 12 muaj ai ishte në spitalin “Saint-Paul-de-Mausole” në Saint-Rémy. Dy muaj pas largimit nga spitali, ai u kthye në veri në Auvers-sur-Oise në afërsi të Parisit ku u vetëvra në korrik të vitit 1890.
Ekziston gjithmonë tundimi për të parë çmendurinë në këto vepra: energjinë maniake që Gauguini, me të cilin Van Gogh ndau shkurtimisht Shtëpinë e Verdhë në Arles, do ta përshkruante si “një tren duke ecur me shpejtësi maksimale”. Kjo ekspozitë synon që ta përqendrojmë vëmendjen tonë në inovacionin e artistit, veçanërisht në eksperimentet e tij me ngjyra. Por mësimi këtu është se edhe kur e largojmë anën e biografisë, muret kanë prirje që të afrohen. Peizazhet nuk është se thjeshtë transformohen, por në fakt ato janë rishpikur. Në çdo hap të ekspozitës ka gjëra të zakonshme që shndërrohen në gjëra të çuditshme dhe monstruoze: pemë ulliri që përdridhen në agoni, një vresht që mund të bashkohet me gjarpërinjtë, male që do të shtypnin njerëzit nëse do të afroheshin më afër (te Van Gogh, gjithçka lëviz, gjatë gjithë kohës). Në pikturën e vitit 1888, “Oleanders”, ne fillimisht joshemi nga lulet rozë në një enë blu. Megjithatë, shikoni më nga afër dhe shihni se një roman i shkrimtarit francez, Zola, është i vendosur në tavolinë pranë tyre – dhe pastaj ju kujtohet se bima e njohur me emrin “oleandër” është helmuese.

Muzeu i Artit në Philadelphia e ka huazuar pikturën e vitit 1889 të titulluar “Sunflowers” (Luledielli), duke e bërë të mundur të qëndrojë e varur përkrah veprës “Sunflowers” të vitit 1888, të Galerisë Kombëtare, për herë të parë qëkur të dyja ishin në studion e artistit (Foto: Lucy North)

Ka shumë kopshte apo “fole për të dashuruarit”, në sytë e Van Goghut. Ndonjëherë ato duken beninje. Në pikturën “Path in the Park” (1888), çadra dielli sinjalizojnë një shëtitje të butë. “Roses” e vitit 1889 karakterizohet me goditje të dhunshme peneli për të kapur petalet e zbehta, aromën e të cilave pothuajse mund ta nuhasni. Megjithatë, më shpesh veprat e artistit janë melankolike, madje edhe kërcënuese.

Në galeri, vepra “The Park of the Hospital at Saint-Rémy” (Parku i Spitalit në Saint-Rémy) më dukej shumë simbolike, pavarësisht nga përpjekjet e mia dhe ato të kuratorëve për të qëndruar mendjehapur. Paraqet trungun e një peme në tokë të thatë, kuq si ndryshk. I thashë vetes që të mos i shikoja këto gjëra si një lloj apokalipsi. Por Van Goghu flet qartë. Ai nuk pëshpërit, kurrë. Dhe sigurisht kur u ktheva në shtëpi, lexova një letër në të cilën ai i shkruan për këtë pikturë artistes, Émile Bernard. Së pari ai e krahason pemën, një viktimë e rrufesë, me “një njeri krenar të kërrusur”. Pastaj trajton ngjyrat e tij. “Do ta kuptoni”, thotë ai “se ky kombinim i ngjyrës së kuqe dhe të gjelbrës me gri si dhe i vijave të zeza që përcaktojnë skicat, të ngjall pak ndjenjën e ankthit nga i cili disa nga shokët e mi në këtë fatkeqësi, shpesh vuajnë”.

“Undergrowth” (Nën rritje) e vitit 1889 nuk flet për luledielli por për bimët e egra –  dhe ndoshta për shkurret e dendura të të pandërgjegjshmes (Foto: Muzeu i Van Goghut në Amsterdam)

Mund të arrini në përfundimin se, në fund të fundit, nuk po i mbianalizoni veprat, megjithëse kjo nuk do të thotë se nuk kam mirënjohje që më është dhënë mundësia ta shoh sërish punën e Van Goghut. Këto janë piktura të mahnitshme dhe pa dyshim kryevepra. Por, nuk janë të lehta për t’u kuptuar. Kur i shikon të bashkuara në një vend, efekti ndonjëherë është sa shtypës aq edhe gjallërues. Sytë dhembin, po ashtu dhe zemra. Është një ekspozitë e paarritshme që organizohet një herë në jetë, por nuk e kam shijuar atë saktësisht.