Eksplorimi i veçantë i ngjyrës dhe formës së Wassily Kandinskyt, është subjekt i një ekspozite të re retrospektive. Muzeu Barberini në Potsdam, qytet afër Berlinit, ekspozon shumë nga veprat më të rëndësishme të artistit me origjinë ruse. “Kandinsky's Universe: Geometrical Abstraction in the 20th Century” (Universi i Kandinskyt: Abstrakti gjeometrik në shekullin e 20-të), është titulli i ekspozitës në të cilën vizitorët qysh në fillim shoqërohen nga disa vepra ikonike të tij
Wassily Kandinsky ishte një mjeshtër i krijimit të figurave që i bënin njerëzit të përjetonin një ndjenjë lumturie dhe kënaqësie. Tani, një ekspozitë e re e hapur në Muzeun Barberini në Potsdam, eksploron botën që ai krijoi dhe artistët që ndoqën hapat e tij.
Në ekspozitën me titull “Kandinsky's Universe: Geometrical Abstraction in the 20th Century” (Universi i Kandinskyt: Abstrakti gjeometrik në shekullin e 20-të), vizitorët qysh në fillim shoqërohen nga disa imazhe ikonike si vepra “In the black square” (Në katrorin e zi) nga viti 1923, apo ajo “White Cross” (Kryqi i bardhë) e realizuar në vitin 1922.
“Pika dhe vija në sipërfaqe, siç tha Kandinsky. Kjo mund të duket në fillim shumë bazike ose elementare, por ka çuar në një diversitet të madh. E quajtëm ekspozitën ‘Universi i Kandinskyt’ sepse kjo ripërtëritje e pikturës përmes formave elementare, që filloi në vitet ‘20 dhe vazhdoi gjatë gjithë shekullit të 20-të, përfundimisht çoi në çlirimin e vërtetë të ngjyrës”, deklaroi Ortrud Westheider, drejtoreshë e Muzeut Barberini në Potsdam, në jug të kryeqytetit gjerman, Berlin.

Wassily Kandinsky u lind në Moskë në vitin 1866. Më vonë u transferua në Munih të Gjermanisë për të studiuar artin dhe në vitin 1908 hapi ekspozitën e tij të parë.
Deri më sot, arti i tij ka inspiruar gjeneratë pas gjenerate.
“Ekspozita fillon në periudhën e vitit 1910 dhe vazhdon deri në vitet ‘70. Pra është një hark i madh që vizatohet këtu, me teoritë e Kandinskyt për ngjyrat e format dhe rezonancën e tyre emocionale te njerëzit, si subjekti kryesor i ekspozitës”, ka thënë Sterre Barentsen, kuratorja e ekspozitës.
Ekspozita sjell gjithashtu vepra nga László Moholy-Nagy, një bashkëkohës i Kandinskyt, si dhe artistë të tjerë si, Cesar Domela dhe Ljubow Popowa.
“Në shumë mënyra, kjo është një ekspozitë historike e artit”, ka thënë Barentsen. “Përmban një pjesë të madhe të biografisë së Kandinskyt. Po ashtu përfshin forma të veçanta të njohura si, ‘hard edge’ apo ‘op-art’, që ndoshta janë të panjohura për disa shikues. Thjesht ju mund të mos lexoni asgjë dhe të shikoni imazhet, dhe ato flasin vetë”.
Muzeu Barberini ka huazuar piktura nga 43 institucione të tjera për realizimin e ekspozitës. Në total, 125 vepra arti janë të ekspozuara në tre katet e muzeut.

“Tetë vjet pas fillimit të punës këtu në Muzeun Barberini, kemi fituar besimin e shumë huadhënësve të rëndësishëm të artit, duke na mundësuar që tani të kemi mundësi të shfaqim vepra nga Washingtoni, nga Galeria Kombëtare si dhe Fondacioni Gandur, i cili ka qenë veçanërisht bujar në mbështetjen e tij”, ka thënë Westheider.
Kandinsky u zhvendos për një kohë në Moskë, por më pas u rikthye në Gjermani. Por kur regjimi nazist në krye me Adolf Hitlerin mori pushtetin, ai u transferua për të jetuar në Paris, deri kur vdiq në vitin 1944.
Barentsen mendon se arti i Kandinskyt tërheq një spektër të gjerë vizitorësh, nga historianët e artit e deri te fëmijët.
“Mendoj se fëmijët e duan Kandinskyn. Po ashtu mendoj se Kandinsky i pëlqente vërtet vizatimet e fëmijëve dhe këtë formë të lojës në veprat e tij. Gjithmonë e vëreni, gjë që është qesharake, sepse nëse shikoni fotot e tij, ai gjithmonë duket si një burrë i rreptë, serioz, me kostum. Por pastaj pikturat e tij kanë kaq shumë ngjyra dhe janë plot jetë”.
Ekspozita “Kandinsky’s Universe” (Universi i Kandinskit) u hap më 15 shkurt dhe do të jetë e qasshme për publikun deri më 18 maj 2025.