Kulturë

Ulqini në kërkim të autorit të shtatores së Skënderbeut

Lokacioni ku pritet të vendoset monumenti i Skënderbeut në Ulqin

Lokacioni ku pritet të vendoset monumenti i Skënderbeut në Ulqin

Ulqini do të jetë qyteti i radhës shqiptar që do ta vendosë shtatoren e Skënderbeut. Hapin konkret për këtë tashmë e kanë bërë autoritetet komunale. Synon një alamet monumenti, unik dhe për këtë është hapur konkurs ndërkombëtar për zgjidhjen ideore. Janë ftuar të gjithë skulptorët e interesuar që të konkurrojnë deri më 29 prill.

Kriteret janë mirë të përcaktuara. Në këtë fazë, ata që synojnë që skulptura e tyre të konkretizohet në monumentin e Skënderbeut që do të jetësohet në qytetin bregdetar shqiptar në Mal të Zi, duhet të garojnë me bocetën në lartësi prej 60 deri në 80 centimetra, bashkë me pjesën tekstuale, e cila, sipas konkursit, “duhet të përmbajë përshkrimin e punimit ideor, përshkrimin e punimit teknik dhe parallogarinë financiare për realizmin e monumentit”. Punimet dorëzohen në formë anonime me shifër.

“Forma dhe kompozicioni, materiali dhe teknika, përshtatja me ambientin, inovacioni, arsyetimi teknik dhe ai financiar”, janë kriteret e përgjithshme për vlerësimin e zgjidhjes ideore për monumentin, sipas konkursit detajet e të cilit tashmë janë bërë publike në www.ul-gov.me. Një juri me pesë anëtarë, vendorë dhe ndërkombëtarë, do ta bëjë përzgjedhjen e fituesve të tre vendeve të para. I pari, përveç shpërblimit me 3 mijë euro, fiton të drejtën për t’u realizuar, ndërkaq i dyti do të shpërblehet me dy mijë e 500 euro e i treti me dy mijë euro. 

Monumenti i heroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, do të zërë vend në bulevardin që mban emrin e tij, pranë objektit të Komunës së Ulqinit. Do të ngrihet në mbi pesë metra lartësi përfshirë edhe bazamentin përderisa për ta konkretizuar atë, janë 115 mijë euro në dispozicion.

Vendosja e shtatores së Skënderbeut në Ulqin ka kohë që është shtruar si nismë, përderisa tash atë e ka marrë përsipër qeveria lokale e cila nëpërmjet konkursit ndërkombëtar synon monument unik dhe reprezentativ.