Është një festival që për dy ditë feston trashëgiminë arkeologjike dhe kulturore, ku historinë e lashtë të Ulpianës e bën të përjetohet përmes shijeve autentike, aktiviteteve të lashta rekreative dhe tregimeve që ringjallen në skenë nëpërmjet shfaqjeve teatrale. I vendosur mes rrënojave të qytetit të lashtë, ndërthur të kaluarën me të tashmen, e ofron një përvojë unike ku vizitorët mund të ndiejnë, të shijojnë dhe jetojnë historinë në një mënyrë që lidh epokat dhe fton në reflektim për vlerat
Muajt e verës zënë pjesën kryesore të kalendarit kulturor të vendit. E radhët në këto lista rëndom rezervohen për festivale të shumta, por të rralla janë ato që synojnë kthimin në kohë me programin që ofrojnë.
“Ulpiana Fest” është i vetmi i sojit të vet. Ani pse iniciativë e re e cila sivjet mbush dyvjetorin, premton shumë si ngjarje tek ofron uniken në çdo aspekt. Si synim parësor “Ulpiana Fest” e ka që për dy ditë ta kthejë vëmendjen te lashtësia. Nëpërmjet argëtimit dhe rekreacionit piketon si objektiv edukimin e vizitorëve të vegjël e të mëdhenj, të huaj e vendorë, mbi namin e Ulpianës si lokalitet arkeologjik e si pasuri e trashëgimisë kulturore arkeologjike e cila duhet ruajtur e vlerësuar.

Artefakte e festë në frymën e banketit romak
Pak kilometra larg kryeqytetit, në Ulpianën antike, vërehej se ka festë qysh prej së largu, vizitorët e shumtë i pret në hyrje ekspozita “Artefakt” në kuadër të Festivalit. Njëri nga qytetet më të rëndësishme të periudhës romake në rajonin e Dardanisë, Ulpiana, peshën e vet, ndër të tjera, më së miri e tregon dhe me artefaktet e gjetura aty ndër vite. Ekspozita sjell pikërisht këtë, një koleksion të larmishëm të eksponateve që ilustrojnë jetën e përditshme, ekonominë, religjionin dhe kulturën e banorëve të këtij qyteti antik. Prej qeramikave, stolive, skulpturave e deri te altarët, të gjitha këto eksponate të cilat janë pjesë e koleksionit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, janë material i cili vizitorit të Festivalit i ofron hapësirë për njohje e interpretim. Ndryshe nga ekspozita me artefaktet, edhe më ndërveprues është një element tjetër të cilin e ofron ky festival. Mes verës vendore e birrës, në “Ulpiana Fest” ofrohet dhe mundësia unike për të provuar recetat romake. Të mbështetura në burime historike, këto tradita kulinare ringjallen gjatë dy ditëve të Festivalit tek kënaqin kuriozitetin e vizitorëve.
Olisa Çekaj nga “Ulpiana Fest“, e cila ka realizuar tryezën me ushqime recetash të moçme , ka treguar më tepër rreth procesit të përgatitjes dhe përzgjedhjes së tyre.
“Tryeza e sivjetme e ‘Ulpiana Fest’ është frymëzuar nga koncepti i një banketi romak, ose ‘Convivium’, siç njihej në kohët e lashta. Ne kemi kuruar me kujdes të gjitha recetat duke ndjekur të gjithë përbërësit origjinalë, bazuar në librat e recetave romake. Gjithashtu kemi vendosur një pjesë me fruta dhe erëza që kanë qenë më të popullarizuara. Qëllimi ynë ka qenë të ofrojmë një shije të kuzhinës romake, si dhe duke mundësuar që pjesëmarrësit të krijojnë një ide se si njerëzit kanë jetuar dhe darkuar në Ulpianë gjatë epokës romake”, ka thënë Çekaj.
E tryeza plot me fruta dhe me pjatat si “Libum”, “Apothermum”, “Panis quadratis”, “Tyropatina” e “Globi” kanë qenë paralajmëruese të denja për atë që ky festival premto të ofrojë që në fillim.

“Ora et labora” në ringjalljen e të zotëve të Ulpianës
Fjalimeve të hapjes solemne të Festivalit të shtunën pasdite u prinë një sërë aktivitetesh të tjera si shigjetaria, poçaria e punimi i armëve antike. Të tëra shfaqje më vete, por që vëmendja pa dyshim që anon te një shfaqje e mirëfilltë, kur terri tashmë kishte rënë.
“Ora et labora” ka qenë premierë e cila ka risjellë në një formë të zotët e Ulpianës sërish në vendin e tyre, nëpërmjet teatrit për disa dhjetëra minuta sa zgjati.
E shkruar nga dramaturgu Arian Krasniqi, nën regji të Kushtrim Mehmetit e me lojën e aktorëve Valmir Krasniqi, Allmir Suhodolli e Qëndresa Jashari, vizitorët e Festivalit u ngërthyen plot emocione e dramë për të shikuar shfaqjen. Diçka e jashtëzakonshme në shikim të parë, teatër i improvizuar në gërmadha arkeologjike, e veçantë në llojin e vet edhe kjo si përjetim. Ndriçimi po aq dramatik sa edhe muzika e cila vinte me përcjellje herë pas here përmes harqeve i ka dhënë një dimension tjetër historisë e cila përkujton festën e martirëve shën Florit e Laurit, vëllezërve binjakë nga Ulpiana e Dardanisë. Drama që përshkruan vuajtjet dhe martirizimin e tyre u luajt me intensitet të tillë i cili bashkë me vendndodhjen e krejt detajet e tjera përreth, njëmend nganjëherë krijon përshtypjen se është prej vërteti.
Pompoziteti të cilin e ofron parku i vetëm arkeologjik në Kosovë, sa i përket aspektit teknik të një shfaqjeje, këtë radhë nuk u duk se shkaktoi fort problem, përkundrazi, ani pse dritat e mikrofonat ishin detajet e domosdoshme të cilat vazhdimisht rikthejnë në realitet. E për dramaturgun e shfaqjes epilogu duket i qartë, shfaqja u realizua me sukses teksa shpreson që Festivali të vazhdojë edhe më tej me të njëjtin avaz.
Arian Krasniqi kishte shkruar dhe shfaqjen në edicionin e parë, atë që prezantonte dashurinë e perandorit Justinian dhe Teodorës.
“Ne si dramaturgë priremi zakonisht të shkruajmë për aktualitetin dhe jo shpesh kthehemi në histori, aq më pak në mijëra vjet, në shekullin II kur supozohet të ketë ndodhur kjo ngjarje. Por në bazë të fakteve historike që dihen deri më tani unë kam kontribuar në aspektin dramaturgjik. Pastaj për këtë festival unë uroj që të vazhdojë, e jo të ketë qendër vetëm shfaqjet teatrore si kjo, por edhe shumë aktivitete të tjera”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe nga edicioni i parë, këtë radhë edhe faza përgatitore ishte më e lehtë për organizatorët pasi që koncepti është qartësuar tashmë dhe objektivat arrihen me lehtësi.
Një model i ri për promovimin e trashëgimisë kulturore
Drejtoresha e Festivalit, Rilinda Gjonbalaj, ka folur rreth karakterit edukativ të këtij festivali dyditor. Ka folur për rolin që ka në kultivimin e ndjenjës së përkatësisë te fëmijët.
“Ne jemi në një trend ku nuk lexohet shumë, e shfaqjet e tilla dhe aktivitet e tilla janë të predispozume me e sjellë atë anën edukative te publiku, dhe secili që e frekuenton këtë festival medoemos e mëson historikun e saj, dhe rëndësinë që ka ky vend për Kosovën. Pastaj fëmijëve ua mishëron atë dashurinë për trashëgiminë kulturore në shpirt prej vegjëlisë dhe kjo i bën ata ta ruajnë këtë dhe ta pasojnë te brezat e tjerë”, ka thënë ajo.
Rëndësinë e Festivalit e sheh te edukimi, veç të tjerash, edhe ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Ilir Culaj, si koordinator i Festivalit.
“Ulpiana është vendi ku na iu tregojmë qytetarëve tanë për vlerat e trashëgimisë kulturore, vlerat arkeologjike dhe jo vetëm. Besoj dhe shpresoj që ky festival në të ardhmen do të bëhet model se si qytetarët do të mund ta përjetojnë një formë të re të organizimit dhe të trashëgimisë kulturore, jo vetëm ta vizitojnë një lokalitet, por përmes verës, ushqimit e krejt këndeve të tjera me e pa kompleksitetin e një ngjarjeje të tillë”, ka thënë Culaj.