Kulturë

Ulpiana 70 ditë pronë e shtetit, pa rojë e mirëmbajtje

Ulpiana

Shteti ka qenë në vazhdimësi shpërfillës në raport me Ulpianën, njëjtë sikurse me krejt lokalitetet arkeologjike ku është investuar shumë. Në Ulpianë, Kosova ka investuar mbi një milion euro ndër vite. Shtatë vjet është pritur për planin e menaxhimit. Por vënia në funksion e këtij plani nuk duket as në horizont (Foto: Arben Llapashtica)

Shpronësimi i 21 hektarëve ku shtrihet Parku Arkeologjik i Ulpianës në gjysmën e shkurtit ka qenë vendimi më me peshë kaherë i kërkuar, por kur kanë kaluar 70 ditë prej përmbylljes së këtij kapitulli gjendja në terren ka kthim prapa. Ulpiana u bashkohet Kalasë së Prizrenit e Muzeut të Kosovës në serinë e lokaliteteve e institucioneve pa rojë e mirëmbajtje. Vizitorët s’ka kush t’i mirëpresë. Tash pret zgjidhje më afatgjate. Arkeologu Milot Berisha, njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, që ka udhëhequr dhe udhëheq projektin e Ulpianës, ka thënë se pritet që prej fillimit të muajit që vjen të angazhohen pesë punonjës

Dy javë pasi është marrë vendimi përfundimtar për shpronësimin e 21 hektarëve të lokalitetit arkeologjik të Ulpianë, Parku i vetëm Arkeologjik në vend ka mbetur pa punonjës e rojë.  Përderisa më 14 shkurt në mbledhjen e 188-të të Qeverisë ishte marrë vendimi përfundimtar për shpronësimin e parcelave të lokalitetit arkeologjik, në ditën e fundit të atij muaji mirëmbajtësve dhe rojave të Parkut Arkeologjik u kanë skaduar kontratat vjetore të punës. 

Kjo ka ngjarë pak më shumë se katër muaj prej kur është miratuar edhe Plani i menaxhimit për Parkun nëpërmjet të cilit synohej zgjidhja e kësaj çështjeje. 

Tash e gati dy muaj tre sektorët e Parkut të inauguruar më 2016 kanë mbetur pa mirëmbajtje. Thjesht kujdesi për vegjetacionin dhe pastrimin hapësirave ngelet në vullnet të atyre që kanë qenë të kontraktuar dhe presin për kontratat e radhës. Nëse vizitorët ia mësyjnë gjatë ditës për në Pakun e vetëm Arkeologjik në vend, nuk do të gjejnë askënd. Për ciceron as që bëhet fjalë prej kur se është inauguruar Parku. Telashet e tilla e kanë përcjellë lokalitetin në vazhdimësi. Edhe në fund të vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023 për tre muaj Parku kishte ngelur në mëshirë vullnetarësh. 

Politika zakonisht mburret, sikurse me rastin e zbulimit të mozaikut në gushtin e vjetëm, krejt me investim të Bashkimit Evropian. 

Arkeologu Milot Berisha, njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka udhëhequr dhe udhëheq projektin e Ulpianës. Për delegacione të paralajmëruara bën edhe ciceronin. 
Ai ka thënë se pritet që prej fillimit të muajit që vjen të angazhohen pesë punonjës. 
“Është rritur vegjetacioni dhe ka mjaft punë. Janë pesë roja-mirëmbajtës. Është lajm i mirë që angazhimi, siç kemi marrë vesh, do të jetë për tre vjet”, ka thënë ai. Sipas Berishës, duhet të funksionalizohet njësia menaxhuese, siç e parasheh plani i menaxhimit dhe duhet ndarë një buxhet për mirëmbajtje. 

“Besoj se rregullohet edhe çështja e stafit dhe tash angazhimi për tre vjet është lajm shumë i mirë”, ka thënë ai.

Midis punonjësve të Parkut është edhe Qamil Sinani. Të enjten ka thënë se vitin e kaluar nuk janë paguar për tre muaj, por pavarësisht kësaj, kanë mirëmbajtur Parkun. Sivjet ka thënë se nuk mund të veprojnë njëjtë. 

“Po të humb vullneti i punës. Tash na kanë thënë se kontratat do të bëhen për tre vjet dhe kjo është e mirë”, ka thënë ai. Ministria e Kulturës, siç ndodh rëndom, nuk është përgjigjur për këtë çështje. 

Shteti ka qenë në vazhdimësi shpërfillës në raport me Ulpianën, njëjtë sikurse me krejt lokalitetet arkeologjike ku është investuar shumë. Në Ulpianë, Kosova ka investuar mbi një milion euro ndër vite. Shtatë vjet është pritur për planin e menaxhimit. Por vënia në funksion e këtij plani nuk duket as në horizont. Asnjë prej mungesave të kohës kur është bërë Park Arkeologjik nuk është plotësuar. 
Dokumenti prej 47 faqesh është një lloj manuali i menaxhimit të Parkut Arkeologjik deri më 2027. Aty përfshihen prej deklaratës së rëndësisë, vizionit, brendimit, historikut, fushat e veprimit e deri te plani i veprimit.

Në skemën e organizimit dhe funksionimit të Parkut do të jetë Bordi drejtues me pesë anëtarë: menaxheri ose përgjegjësi i Parkut dhe stafi profesional e ai administrativ. Te stafi profesional do të ketë një arkeolog, një konservator, dy ciceronë dhe një kurator. Kurse te stafi teknik: katër mirëmbajtës, katër persona për sigurim fizik dhe planifikohet një kafene e dyqan suveniresh. Shërbimet shtesë ishin paraparë qysh në projektin e Parkut, por nuk ishin realizuar asnjëherë.
Themelimi e funksionimi i laboratorit e hartimi i planit të konservimit janë paraparë të përfundohen deri më 2026. Kërkimet arkeologjike do të zhvillohen në vazhdimësi.

“Themelimi i njësisë menaxhuese; Integrimi i shtigjeve të ecjes dhe aseteve të tjera si Manastiri i Graçanicës, Veletini, Kishnica, rrjetit të gjurmëve dhe galerive të minierave antike në arealin e Shashkocit dhe Janjevës e të tjera, në kuadër të ofertës turistike”, janë synimet me prioritet të mesëm e që llogaritet të përfundohen deri më 2028. Për këto pika përgjegjës kryesorë janë Ministria e Kulturës dhe Instituti Arkeologjik. Te themelimi i njësisë menaxhuese ka dy afate. Në një tjetër rast shkruhet se afati i fundit është viti 2026.

Vendosja dhe shtrirja e rrjetit të instalimeve elektrike, makinave, ujësjellësit dhe kanalizimit, nyjave sanitare, janë plane që duhet të përfundojnë deri më 2025. Kurse vendosja e infrastrukturës së nevojshme për akomodimin e stafit dhe veprimtarisë kërkimore shkencore në terren ka kohë deri më 2028.

Plani i veprimit parasheh edhe përcaktimin e hapësirave që mund të shfrytëzohen për funksione alternative dhe hartimin e planit të biznesit. Viti 2028 llogaritet të jetë edhe afati i fundit për sigurimin e të hyrave për Parkun Arkeologjik nga shitja e biletave, suvenireve, replikave e materialeve promovuese.

Sipas planit të menaxhimit, Parku do të shfrytëzohet si hapësirë multikulturore për organizim të aktiviteteve të ndryshme, si shfaqje dhe performanca historike, dizajn kostumesh tradicionale, festivale kulturore të integruara, punëtori dhe trajnime, ekskursione shkollore e deri tek ofrimi i biletave me pako të kombinuara.

Gjendja e deritashme në lokalitet, pavarësisht asaj që shihet, nuk ka qenë aspak e mirë. Ka munguar konservimi i vazhdueshëm. Mungon rrjeti i energjisë elektrike e gjatë dimrit rojtarët ngrohen me gaz në kabinën te hyrja. Vazhdimisht ka pasur telashe deri tek ato sa nuk është paguar mirëmbajtja e WC-ve të përkohshme, duke pamundësuar pastrimin dhe shfrytëzimin e tyre. Zakonisht është kamufluar sa i përket mirëmbajtjes deri në nivelin sa stafi i përkohshëm ka blerë vetë edhe benzinë për prerjen e vegjetacionit e kositjen e barit.

KOHA ka raportuar se gjendja është e njëjtë edhe në Kalanë e Prizrenit e Muzeu Kombëtar i Kosovës po ashtu ka ngelur zyrtarisht pa rojë e mirëmbajtje.