Artisti i memorialit 18 metra të lartë për amerikanët që shërbyen në Luftën e Parë Botërore, shpreson që vepra e tij të shërbejë si histori paralajmëruese. Skulptura 8 milionë dollarëshe e Sabin Howardit, e cila peshon 25 tonë dhe e montuar në granit, titullohet “A Soldier’s Journey” (Udhëtimi i ushtarit). Ka zënë vend në Washington DC. Pyetja që skulptori e parashtron me veprën e tij është: “A jemi duke ecur si në gjumë drejt Luftës së Tretë Botërore dhe tani po e zbulojmë këtë skulpturë?”
Krijuesi i një skulpture bronzi 18 metra të lartë në zemër të Memorialit të Luftës së Parë Botërore në Washington DC, Sabin Howard, është vërtetë një ushtar i paqes.
“Nuk mund ta gjeni dikë që e urren luftën aq shumë sa unë”, thotë skulptori, i cili e zbuloi kryeveprën e tij moderne në fillim të këtij muaji. “Njerëzit e prekur nga lufta janë kalimtarë të pafajshëm. Janë ata që humbasin shtëpitë, familjet, nënat, fëmijët e tyre dhe nuk kanë si të kompensohen për këtë”.
Howard e përshkruan skulpturën e tij monumentale që përfshin 38 figura si “një film në bronz”. Ajo kompleton memorialin kombëtar “Memoriali i Luftës së Parë Botërore”, që u hap pranë Shtëpisë së Bardhë në vitin 2021 – më shumë se një shekull pas krismës së fundit. Përderisa, memoriali i veteranëve të Vietnamit i artistes Maya Lin u ndërtua vetëm shtatë vjet pas përfundimit të atij konflikti.
Me synim të nderimit të 4.7 milionë amerikanëve që shërbyen në forcat e armatosura të SHBA-së gjatë Luftës së Parë Botërore, një komision federal organizoi një konkurs dizajni ku aplikuan 360 ekipe. Howard, skulptor klasik modern, i cili u rrit midis Nju-Jorkut dhe Torinos në Itali, si dhe ka jetuar në shtete të ndryshme si Venezuela, Portugalia dhe Britania e Madhe, doli fitues i konkursit në vitin 2016.
Ai pohon se ka dashur të japë kontribut për Amerikën, për shkak të mundësive që i ka dhënë shteti.
“E dua vendin tim dhe mundësitë që t’i ofron. Karrierën e kam filluar si 19-vjeçar nga pika zero: nuk mund as të vizatoja. Por iu dedikova profesionit dhe e bleva një libër të quajtur ‘Drawing on the Right Side of the Brain’ (Vizatimi në anën e duhur të trurit). Më pas fillova të bëja ushtrime dhe 90 ditë më vonë u ktheva në shkollën e artit, i pyeta nëse mund të regjistrohesha dhe ata thanë po. Ishte si një aventurë që fillova dhe më dha një qëllim në jetë. Unë jam ëndrra amerikane – kjo nuk mund të kishte ndodhur në Evropë. E besoj fort këtë, sidomos në Itali. Mund të ndodhë vetëm këtu”.
Howard nuk kishte për qëllim ta hijeshonte luftën. Skulptori 61-vjeçar i takon një brezi me një qëndrim shumë më ndryshe.
“Jam rritur duke qenë pjesë e shumë marshimeve kundër luftës në Vietnam dhe pashë me sytë e mi tmerret e luftës, sepse në lagjen ku u rrita kishte shumë persona të droguar që ishin kthyer nga frontet ku shërbyen”, thotë ai. “Është një rrugicë në Manhattan, të cilën e përshkoja gjatë gjithë kohës dhe aty kishte vazhdimisht njerëz të droguar të shtrirë nëpër rrugë me shiringa në duar. Është një makth i vërtetë për një fëmijë të vogël të shohë skena të tilla dhe më kanë mbetur në memorie”.
Skulptura 8 milionë dollarëshe e Howardit, e cila peshon 25 tonë dhe e montuar në granit, quhet “A Soldier’s Journey” (Udhëtimi i ushtarit). E portretizon një ushtar pa emër, në ditën kur ai merr përkrenaren nga duart e së bijës dhe shkon për të luftuar. E përshkruan tmerrin e luftës, me ushtarët që luftojnë dhe infermieret që kujdesen për plagët e tyre. Përfundon me rikthimin e ushtarit në shtëpi ku ia dorëzon përkrenaren vajzës së tij. Në një formë e paralajmëron Luftën e Dytë Botërore.
Howard ishte i vetëdijshëm se ky është art publik që kërkon vëmendjen e popullatës.

“Sa njerëz shkojnë në muze të artit – cilat janë shifrat e sakta, 5 deri 10 për qind? Prandaj është më mirë të bëni diçka që është emocionuese. Fillova të mendoj se cila është forma më interesante e artit sot për publikun e gjerë, dhe erdha në përfundim se janë filmat. Në rregull, kështu vendosa ta bëj një film në bronz, ku skenat shpalosen për shikuesin. Ju mundëson të jeni pjesëmarrës aktiv dhe në këtë mënyrë mund të përfshiheni me të në një mënyrë emocionale. Atë që kam mësuar në studio, mund t’ua kaloj vizitorëve dhe më pëlqen kjo gjë, sepse tani jam në shërbim të kësaj ideje, jo vetëm duke bërë art në studio për veten time. Nuk është më një vepër egocentrike. Është për qëllimin e të tjerëve”, thotë ai.
Monumenti “A Soldier’s Journey” përfshinte një udhëtim të menduar mirë të skulptorit, me një devijim të rëndësishëm drejt Britanisë së Madhe. Gjatë nëntë muajve, Howard realizoi 25 versione të veprës në studion e tij në jug të Bronxit në Nju-Jork, duke krijuar më shumë se 12 mijë imazhe të modelëve të veshur me uniforma të vërteta ushtarake. Ai filloi duke përdorur studentë të kolegjit dhe aktorë të Broadwayit si modelë, por pasi u transferua në studio për ta filluar punimin e skulpturës, zbuloi se atyre u mungonin sjelljet e duhura, kështu që u kthye te veteranët e vërtetë të luftës si dhe e punësoi njërin për të punuar për të me orar të plotë.
“Kjo solli më shumë një moment historik”, kujton Howard. “Unë mund të skalitja nga fytyrat e tyre çrregullimet e stresit post-traumatik dhe traumat që ata kishin kaluar dhe kështu bronzi bart atë histori dhe mposht vdekshmërinë. Ky është një aspekt kritik në këtë vepër, sepse ne bëmë diçka që është shumë njerëzore dhe shumë emocionale. Të gjitha këto ngritje dhe ulje janë mënyra se si është bërë skulptura, dhe ajo kthehet në idenë e artit të Rilindjes, e cila është shumë e unifikuar dhe kohore”.
Duke krijuar me materialin e baltës, Howard udhëtoi anekënd SHBA-së në kërkim të një shkritoreje për ta realizuar vizionin e tij të jashtëzakonshëm, por të gjithë kishin sisteme që ishin shumë kufizuese për të. Më pas, duke shpalosur Instagramin, një natë, ai hasi në punimin e skulptorit britanik Nick Bibby me titull, “Indomitable”, e cila ishte realizuar në bronz. Howard e kontaktoi atë dhe mësoi për shkritoren “Pangolin” në Stroud të Gloucestershire.
“Fluturova menjëherë për atje dhe me të hyrë brenda fabrikës, kuptova se isha në vendin e duhur. Gjeta estetikë, mjeshtëri, kreativitet dhe zgjidhje problemesh dhe një ekip prej 200 personash. Kjo është ajo që të nevojitet në një projekt kaq të madh. Të 200 personat punuan në të. Komuniteti në atë zonë është shumë i ndërlidhur me fabrikën, sepse aty shkohet për të gjetur punë. Kjo është një gjë e lezetshme. Aty ka njerëz të vërtetë që bëjnë art. Nuk është punë që kryhet me kompjuter. Ju mund t’i shihni me sy gjurmët e gishtërinjve të mi në metal. Janë të dukshme”.
Lufta e Parë Botërore shkaktoi dy herë më shumë vdekje ndër ushtarë amerikanë, sesa Vietnami dhe nxiti të drejtat civile, të drejtën e votës së grave dhe ngritjen e SHBA-së si një superfuqi. Megjithatë, njëqindvjetori i hyrjes së vendit në luftë më 1917-n, erdhi dhe shkoi pothuajse pa u vënë re, ndryshe nga ceremonia përkujtimore në Britani të Madhe. Lufta e Dytë Botërore duket shumë më e madhe në vetëdijen kombëtare.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të fillojmë ta shikojmë më shumë historinë tonë dhe të mësojmë më shumë për atë që kemi kaluar, në mënyrë që të mos përsërisim të njëjtat gabime. Nëse e shikoni Luftën e Parë Botërore dhe këtë moment që ka ngjarë 106 vjet më parë, është sikur e kemi hapur rrugën për këto luftëra të pafundme. Lufta për t’i dhënë fund të gjitha luftërave ka qenë lufta që në fakt e hapi portën. Në njëfarë mënyre e përfaqëson kutinë e Pandorës që është lëshuar mbi ne. Është turp i madh që gjërat po shkojnë në atë drejtim”.
Pyetja që skulptori e parashtron me veprën e tij është: “A jemi duke ecur si në gjumë drejt Luftës së Tretë Botërore dhe tani po e zbulojmë këtë skulpturë?”
Sipas Howardit, nëse ata ushtarë kthehen, do ta njohin veten në këtë monument po aq sa ushtarët që luftuan njëqind vjet më parë. Thotë se skulptura e tij është memorial lufte, por në fund të fundit është një memorial për njerëzimin dhe qeniet njerëzore.
(Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku)