Kujtime, dëshmi, ngjarje vendimtare të historisë së re, por që gjithnjë shoqërohen me rrëfime të dëshmitarit që ishte aty kur u bënë hapat që ndryshuan rrjedhën e historisë së re të Kosovës, janë bërë bashkë në “Udhëtim në të shkuarën” të gazetarit veteran Zenun Çelaj, botuar së fundmi nga Botimet KOHA. Rrëfimet e tij nuk janë thjesht autobiografi. Janë dëshmi të një kohe kthesash të mëdha
Ishte në prag të realizimit të ëndrrës së madhe. Malësori nga Vuthajt nuk ishte dorëzuar para shumë sfidave. Atëherë kur shqiptarët shpresonin se do të frymonin pak më lirshëm në Jugosllavinë e Titos, të rreshtuar në krah të fituesve të Luftës së Dytë Botërore, rioshi entuziast do të shtrëngohej nga regjimi serb të ndërronte disa shkolla normale. Arsimit të shqiptarëve i druante më së shumti regjimi i Aleksandar Rankoviqit, që po bënte kërdi mbi shqiptarët. Po mbyllte shkollat normale që do të nxirrnin mësues të rinj. Pavarësisht pengesave, tinejxheri Zenun Çelaj kishte ndarë mendjen që të merrte diplomën që pastaj ta rrokte ditarin. Mbase edhe të kthehej në vendlindjen bjeshkore. Aty ku ishte brumosur ëndrra.
“Krejt ideali im ka qenë që të bëhesha mësues, si mësuesi Ahmet Islami, Ahmet Rexhepaga, i cili udhëtonte nga Gucia, por vishej bukur, me rroba ngjyrë të mbyllur, këmishë, kravatë e këpucë të zeza”, rrëfen Çelaj. “Doja t’i ngjaja. Thosha të kisha me u ba ndonjëherë si mësues Ahmeti”.
Dhe ishte krejt afër për ta jetësuar qëllimin madhor, edhe pse ishte detyruar të endej nëpër normalet e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit para se të përfundonte në Prishtinë më 1960.
“Nuk e kisha menduar ndonjëherë të bëhesha gazetar...”
Por, ishte një tjetër mësimdhënës që do t’ia ndryshonte kahun e jetës. Profesori Demush Shala e kishte përzgjedhur Çelajn ta luante rolin e gazetarit në një shfaqje shkolle.
“Nuk e kisha menduar ndonjëherë të bëhesha gazetar, ta them të drejtën”, thekson Çelaj, i cili ka mbushur tashmë gjashtëdhjetë vjet që nuk iu nda këtij profesioni. Në Normale do ta bënte kthesën e madhe. Përfaqësuesit e gazetës së vetme të përditshme atëherë, “Rilindja”, e testuan Çelajn me propozim të profesorit Shala dhe shokëve normalistë.
“Pas një muaji, më thanë se je pranuar, shko një muaj në pushim, dhe... u bëra gazetar”, tregon me qeshje Çelaj.
Ky është vetëm një prej rrëfimeve të shumta, të hedhura tashmë edhe në letër në librin “Udhëtim në të shkuarën”, botuar nga Botimet KOHA në fundtetor. Çelaj, kryeredaktor i portalit www.koha.net që nga viti 2009, gazetar, redaktor e ndihmëskryeredaktor i “Rilindjes” deri në mbylljen e saj më 1990, përderisa një kohë ka qenë edhe anëtar i redaksisë së revistës “Zëri i Rinisë”. Në vitet ’60, në Fakultetin e asokohshëm Filozofik përfundoi studimet për shqip, e më 1968 themeloi gazetën e parë të studentëve të Kosovës, “Bota e Re”. Më 2000 nisi punën si kryeredaktori i parë i gazetës “Zëri”.
“Puna e gjatë profesionale plot përmbajtje, u veçua edhe për nga raportimi prej Grevës së urisë së minatorëve të Trepçës (20-28 shkurt 1989), si dhe nga mbledhja e Kuvendit të Kosovës në Kaçanik (7 shtator 1990). Për të dyja ngjarjet u ndoq nga regjimi serb, si dhe u arrestua disa herë”, shkruan në faqen e pasme të kopertinës së “Udhëtim në të shkuarën”.
Në hap me gjakimin për liri e pavarësi
Dhe udhëtimi i karrierës së tij do të hapëronte bashkë me gjakimin e shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi. Çelaj do të kthehej në vëzhgues, dokumentues e pjesëmarrës në organizimet që në rrugë e institucione po u jepnin zë kërkesave legjitime për pavarësinë e vendit. I lirë, apo në pranga, përherë dokumentues i ngjarjeve që legjitimuan orvatjet shekullore që u goditën, por nuk u shuan, edhe pas mësymjes së Slobodan Milosheviqit në pranverën e vitit 1989, kur me tanke e helikopterë ia suprimoi Kosovës edhe ato pak të drejta në Jugosllavinë e dominuar nga sllavët, që nuk kishin kurrgjë të përbashkët me shqiptarët. Gjersa shfleton “Udhëtimin...” e Çelajt, lexon dëshmi, ngjarje vendimtare të historisë së re, por që gjithnjë shoqërohen me rrëfime të dëshmitarit që ishte aty kur u morën vendimet që ndryshuan rrjedhën e historisë së re të Kosovës.
Ai do t’i kthehej një teksti të shkurtër të botuar më 1997 në gazetën “Iliria” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e plotësuar me kujtime nga fëmijëria e rinia, por edhe të kohëve të fundit.
“Ia bashkëngjita edhe një ditar, që e mbajta gjatë ditëve më dramatike për shqiptarët e Kosovës, sigurisht edhe për mua, ditëve të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe”, shkruan Çelaj në hyrje. Djemtë Arianiti, i cili jeton në Londër nga vitet nëntëdhjetë, dhe Liraku, iu bashkuan kërkesave të kolegëve Ibrahim Kadriu, Ibrahim Osmani, Nehat Islami e Binak Kelmendi, që të shtynin të shkruante rrugëtimin e tij, “si një udhëtar kohe i detyruar nga profesioni”.
“Ishte edhe miku im i nderuar, akademik Besim Bokshi (vdiq në verë të 2014-s), që shpesh ma kërkonte ta bëja këtë gjë. Së fundmi, edhe mikja ime, Flaka Surroi, sa herë bashkëbisedonim për ngjarje e njerëz të viteve që ajo i kishte mbërri, ose që i kishim bashkëjetuar, vazhdimisht më thoshte: Shkruaj, mos i mbaj për vete!”
Në 318 faqe – dhjetëra sosh edhe me fotografi e legjenda të zhvillimeve historike – Çelaj dokumenton hollësisht etapat e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë. Në libër rrëfen se si edhe datëlindja e tij lidhet me historinë e messhekullit të kaluar. Në “Rrënja” tregon se si i kishin thënë se erdhi në këtë botë në njëvjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, më 7 prill 1939.
“Ka përputhje të fakteve historike me certifikatën se Zenuni, i biri i Halilit dhe i Sofijes, u lind më 7 prill 1940, në Vuthaj”, shkruan Çelaj, duke e pasuar këtë fjali me një histori me humor. Nuk është i sigurt nëse ka qenë ditë e enjte, sepse siç thotë kushëriri i tij, “Ramoku i Sherifit, i cili vazhdon të jetojë në Vuthaj, se ‘në fshatin tonë të gjithë kemi lindur të enjten, që është ditë tregu në Guci, kur prindërit tanë kanë zbritur në qytet për të shitur a blerë ndonjë gjë, dhe, duke bërë një rrugë e dy punë, na kanë regjistruar’”.
Djaloshi, i cili ishte rritur duke ua lexuar babait dhe miqve në shtëpinë e madhe të Çelajve “Lahutën e Malcis” dhe që po shoqërohej me bërthamën e organizatorëve të demonstratave të ’68-ës, po mahnitej me rininë shqiptare që po kërkonte në zemër të Prishtinës “Republikë”, “Kushtetutë”, “Universitet”, “Bashkim kombëtar” e të tjera thirrje të ngjashme. Në mesin e organizatorëve kishte të rinj të kthyer nga universitetet e Sllovenisë e Kroacisë, të cilët kërkonin barazi në Jugosllavinë e diktatorit Tito.
“Jam me fat që e kam njohur Ismajl Dumoshin. Ky ka qenë në prapaskenë. Unë në të shumtën e rasteve të organizmit isha në shtëpinë e tij. Aty mblidheshin këta që donin ndryshime, ishte Osmani, vëllai i Ismnajlit, vëllezërit Novosella, Muçolli. Kërkoj falje se mund të mos më kujtohen emrat e krejt organizatorëve. Unë, si gazetar, si njeri i shtëpisë, merrja pjesë në diskutim, por jo me qenë në organizim. Më pëlqente si vëzhgues”, kujton Çelaj gjatë intervistës.
Për ta dokumentuar ditën e revoltës më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore në rrugët e Prishtinës, Çelaj, ishte lajmëruar vullnetarisht në “Rilindje”, por redaktori do t’i thoshte: “Hajt se e marrim nga ‘Tanjugu’”.
“Të nesërmen doli një shkrim i shkurtër me pesë-gjashtë rreshta”, thekson ai, duke e pranuar se kishte censurë në të përditshmen që ishte organ informimi i Lidhjes Krahinore Komuniste.
Më 1981, rinia studentore do të rebelohej në demonstratat që kërkesë kryesore e kishin “Kosovën Republikë”, por me tanke e helikopterë do të shtypej nga forcat jugosllave, duke e futur Kosovën nën shtetrrethim. Në prag të suprimimit të autonomisë, në shkurtin e vitit 1989, nga horizontet e thella të minierave të Stantërgut, zëri i minatorëve do të jehonte edhe përtej Jugosllavisë së lëkundur me themel. Milosheviqi po përlante këdo që përpiqej t’ia ndalte hovin supremacisë serbe. Minatorët nuk donin t’ia dinin. Për tetë ditë me radhë Çelaj do të raportonte për grevën e tyre të urisë. Ata kundërshtonin shkarkimin e liderëve të atëhershëm komunistë të Kosovës dhe emërimin e shqiptarëve besnikë të Serbisë.
“Kam raportuar për ngjarje e protesta. Çuditërisht, kam pasur njëfarë fati të jem në ngjarje thuaja më historiket që kanë ndodhur në Kosovë”, thekson Çelaj. “Për mua, Greva e minatorëve të ‘Trepçës’ ka ndryshuar historinë, ka thyer frikën, dhe, si me thënë, ka imponuar në mesin e njerëzve një vendosmëri që të shkojnë deri në fund”.
Mirëpo edhe pse minatorët do të mashtroheshin – u ishte thënë se kërkesat iu plotësuan sa për t’i nxjerrë jashtë – menjëherë do të niste beteja politike paqësore e Kosovës. Për raportimin për Grevën e minatorëve, Çelaj do të arrestohej e paraburgosej. Në qeli ishte me një djalosh, që e kishin arrestuar dhe burgosur gjatë shërbimit ushtarak në Bosnjë.
“Quhej Rexhep Bislimi. Ishte nga Ferizaj”, rrëfen në libër ai. Bislimi do t’i thoshte: “Më kanë arrestuar në vendin ku po bëja rojë. Më akuzojnë se jam pjesë e një grupi antijugosllav armiqësor”.
“Më respektonte dhe kujdesej për mua”, shkruan Çelaj, që do t’i kalonte disa javë bashkë me të prapa grilave në Burgun e Prishtinës, që tash pritet të kthehet në muze. Natën e 21 korrikut 1998, Çelaj do ta dëgjonte në lajme se Bislimin e kishin torturuar deri në vdekje organet e brendshme serbe gjatë hetimeve, pas akuzave se ai kishte vrarë një milic dhe komandantin serb të Stacionit policor të Shtimes. Shtatorja e tij qëndron në ballë të sheshit të Ferizajt. “Jo vetëm që u pikëllova, por edhe qava. E admirova për guximin”.
Një pjesë e rinisë vendosën të rroknin armët në funddekadën e fundshekullit të kaluar, të pakënaqur me politikën e presidentit Ibrahim Rugova, i cili me Lidhjen Demokratike besonte se me mjete pacifiste do të jetësonte ëndrrën për liri e pavarësi.
Çelaj ishte njëri prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në 23 dhjetorin e vitit 1989.
Muri me tulla ndërmjet shqiptarëve e serbëve
Atë natë udhëtoi drejt Sarajevës për t’u përballur me korrespodentin e gazetës “Borba” në Prishtinë, Milomiq Kikoviq. “Ishte emisioni më i ndjekur në Bosnjën e atëhershme, ende të papërgjakur, me një koncept të rrallë gazetaresk. Secili përgjigjej në të njëjtën pyetje dhe për çdo mospajtim ndërmjet të dy bashkëbiseduesve vendosej një tullë. Kur përfundoi emisioni, mes meje e tij u ngrit një mur i lartë, aq sa që s’mund ta shihnim njëri-tjetrin”, përshkruan Çelaj në faqet 184-185. “Ishte pasqyrë reale e raporteve midis shqiptarëve e serbëve në Kosovë, që do të shpërthente përgjakshëm 10 vjet më pas”.
Çelaj ishte gjithashtu njëri prej themeluesve të Këshillimit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut më 14 dhjetor 1989, ku si sekretar do të mblidhte dëshmi për t’ia dokumentuar botës vrasjet e torturat e regjimit serb kundër shqiptarëve të pafajshëm.
“Komisioni i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara i tha Këshillit të vazhdonte kështu: ‘Raportet tuaja i marrim për të sakta dhe pa asnjë rezervë’. Disa nga rezolutat e miratuara në Komisionin e Kombeve të Bashkuara, kushtuar gjendjes së të drejtave në Kosovë, ishin mbështetur mbi raportet e KMDLNJ-së”, shkruan në “Udhëtim në të shkuarën”.
Ngjashëm, tërthorazi do të bëhej edhe pjesë e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, kur në shtëpinë e tij e me makinën e tij “Olivetti” do të radhiste fjalët e diktuara nga akademiku Gazmend Zajmi për dokumentin që do t’i hapte rrugë – pak më shumë se dy muaj më vonë – shpalljes së Kosovës Republikë në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik në 7 Shtatorin e vitit 1990. Policia tashmë po i ndiqte delegatët e “synetisë” – sikurse ishte koduar krejt aktiviteti me sekret nga frika se mund të dekonspirohej nga shërbimet sekrete serbe – dhe më 26 shtator ishte arrestuar edhe fotoreporteri Enver Bylykbashi, dokumentuesi tjetër i 7 Shtatorit. Shkrimi i botuar me fotografi në “Zëri” kishte Çelajn për autor. Para hetuesve nuk kish çfarë të fshihte. Gjithçka ishte përshkruar imtësisht në shkrimin për Republikën e Parë.
“Çuditërisht, në burg më pritën si në dasmë. Drejtori me gardianët shqiptarë, të cilët ende përbënin shumicën. Më pritën si hero. Por presioni i madh ishte nga hetuesit serbë e malazezë”. Pas disa javësh e liruan pasi për lirimin e sekretarit të KMLDNJ-së ishte angazhuar edhe organizata me nam, “Human Rights Watch”.
“Unë njëmend vetëm kisha kryer punën e gazetarit. Nuk e di nëse statusi im i të akuzuarit vazhdon të jetë ende në fuqi në Serbi, siç u ndodh të tjerëve nga ajo periudhë”, shkruan Çelaj, gazetar i vitit në Kosovë më 1980 dhe laureat i “Shpërblimit Rexhai Surroi” për vepër jetësore më 2019. Në “Udhëtimin ...” e tij, një kapitull ia ka ndarë asaj që në të gjallë i dha krah në kohë të vështira e të mira. “Rigjetja me Flutrën” është rrëfimi që pasqyron dashurinë dhe sakrificat e çiftit që pas takimit të fundit më 1956 në Gjakovë, do të duheshin edhe shtatë vjet për takimin e Prishtinës, kur do të flisnin me gjuhën e zemrës. Muajin e mjaltit do ta kalonin në pushimoren e Deçanit.
“Jeta më Flutrën qe e lumtur, pavarësisht nga dramat të cilat kaluam”, shkruan Çelaj. Në 15 janarin e vitit 1995, Flutra vdiq në moshën 52-vjeçare nga një sëmundje e rëndë. Në gjashtë faqe kushtuar asaj, Çelaj përshkruan se si pas shumë sakrificash, ajo i kish zemër që të merrnin përsipër – duke marrë kredi të lartë për kohën – të ndërtonin shtëpinë në “Velani” pas shtatëmbëdhjetë vjetësh jete në banesën dydhomëshe në “Ulpianë”.
“’Do t’ia dalim!’ – më trimëroi ajo kur unë po hezitoja t’i hyja ndërtimit të saj”, shkruan Çelaj. Kujtimet për Fluturën përherë i japin zemër tetëdhjetëvjeçarit “riosh”. E shumë kujtime të tjera, dhe jo vetëm, ai tashmë i ka ndarë në “Udhëtim në të shkuarën”.
© KOHA Ditore