Kulturë

U hap Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias

Është hapur Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias.

Në një ceremoni për gazetarë, prezent ishte edhe vetë drejtori i Bienales, Palolo Baratta.

Po ashtu nga Kosova për ta hapur pavijonin drejt Italisë kanë udhëtuar kryeparlamentari Kadri Veseli dhe Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi.

Artisti Alban Muja që po përfaqëson Kosovën në ngjarjen e madhe të artit pamor tha se qëllimi i projektit artistik është të mos harrohet e kaluara, raporton KTV.

Ky vit shënon 20 vite qysh prej përfundimit të luftës në Kosovë dhe vdeoinstalacioni i artistit kosovar i prezantuar në Venecie, gjurmon thellë në memorien personale dhe kolektive të luftës së Kosovës. Ky projekt artistik hulumton rolin e imazheve dhe mediave në formësimin e narracionit, identitetit dhe historisë, veçanërisht në kohë të konfliktit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u shpreh se ndihet i nderuar që Kosova për herën e 7-të prezantohet para publikut botëror në Bienalen e Venedikut, që njëherit njihet si ngjarja më e rëndësishme kulturore në botë.

Ai potencoi faktin se artistët kosovarë janë ambasadorët më të dinjitetshëm të Kosovës nëpër botë, duke shkëlqyer në të gjitha fushat e artit.

Gjithashtu, ministri Gashi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në inaugurim, si dhe artistin Alban Muja, komisioneren Arta Agani dhe kuratorin Vincent Honore, për punën e tyre të palodhshme në realizimin e suksesshme të pavilionit tonë.

Edicioni i 58-të i Bienales së Venecias do të hapet për publikun me datë 11 të këtij muaji dhe do të mbetet i hapur deri më 24 nëntor.

{gallery}