Kulturë

“Turi i Kullave” synon turistë botërore për eksplorimin e Shqipërisë së panjohur

“’Gurët që flasin’

“’Gurët që flasin’ – Turi i Kullave është një udhëtim nëpër damarët që të çojnë në zemër të një trashëgimie të pasur kulturore, historike e arkitektonike të Shqipërisë së Veriut e kombinuar me përvoja agroturistike, kulinarie”, është përshkrimi që i bëhet ofertës

“Turi i Kullave’’, një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare në kullat e gurta të veriut të Shqipërisë, do të  prezantohet në tregun ndërkombëtar si një ofertë atraktive. Do të prezantohet në panairin “ITB Berlin 2025”, i cili mbahet krahas konventës prej 4 deri më 6 mars.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë,  Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

“’Gurët që flasin’ – Turi i Kullave është një udhëtim nëpër damarët që të çojnë në zemër të një trashëgimie të pasur kulturore, historike e arkitektonike të Shqipërisë së Veriut e kombinuar me përvoja agroturistike, kulinarie dhe të bërit pjesë të traditave të komuniteteve lokale”, ka shkruar Kumbaro. Sipas saj, kjo ofertë synon të tërheqë turistë gjatë gjithë vitit.

“Ky tur i hapur gjatë gjithë vitit, ju fton të bëheni pjesë e një itinerari dhe përvojave unike, një vlerë që me krenari do ta prezantojmë si pjesë të ofertës sonë turistike edhe në ‘ITB Berlin 2025’”, ka thënë Kumbaro.

“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ-Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë. Siç përshkruhet, është një udhëtim në zemrën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të Shqipërisë së Veriut. Përfshin eksplorimin e pasurive historike të kullave shqiptare, duke kombinuar përvoja autentike kulturore, historike dhe agroturistike. “Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të takohen me banorët e këtyre kullave, të njihen me historinë dhe traditat, të shijojnë gatimet tradicionale dhe të njohin përpjekjet për ruajtjen e kësaj trashëgimie të veçantë”, shkruhet në përshkrim. “Gurët që flasin” përçon mesazhin e jetës dhe historive të skalitura në muret e tyre shekullore, duke dëshmuar kulturën dhe traditat që këto kulla kanë ruajtur ndër vite.