Kulturë

“Triumfi” për Trumpin në monumentin e dikurshëm të komunizmit në Shqipëri

Në ekspozitën e titulluar “Triumfi”, prezantohen veprat e piktorit shqiptar Avni Delvina, duke festuar fitoren e presidentit të ri amerikan (Foto: Associated Press)

Në ekspozitën e titulluar “Triumfi”, prezantohen veprat e piktorit shqiptar Avni Delvina, duke festuar fitoren e presidentit të ri amerikan

Foto: Associated Press

“Donald Trump si Prometeu, si një Titan që i kundërvihet Zeusit, si një luan, si një dem nga Wall Streeti”, është përshkrimi që ia bën piktori Avni Delvina ekspozitës së tij “Triumfi” kushtuar presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Në veprat e tij Trumpi zë vendin e figurave historike si ajo në të cilën, i veshur si Cezari, përqafon Statujën e Lirisë në New Yrok, e cila duket sikur gruaja e tij, Melania

AFP  – Piramida e betontë në Tiranë,  monumenti i dikurshëm i regjimit komunist, është shndërruar në një “altar” në nderim të Donald Trumpit. Në ekspozitën e titulluar “Triumfi”, prezantohen veprat e piktorit shqiptar Avni Delvina duke festuar fitoren e presidentit të ri amerikan, raporton agjencia e lajmeve AFP.

“Donald Trump si Prometeu, si një Titan që i kundërvihet Zeusit, si një luan, si një dem nga Wall Streeti”, e përshkroi Delvina (69) ekspozitën e tij në të cilën idhullit të tij ia dedikon rreth 40 vepra. 
Në vepra Trumpi zë vendin e figurave historike, si ajo në të cilën, i veshur si Cezari, përqafon Statujën e Lirisë në New Yrok, e cila ka ngjashmërinë e gruas së tij Melania.

Në veprën “Asnjëri prej jush nuk do të më tradhtojë”, Darka e Fundit, vakti i fundit i Krishtit sipas Biblës, shndërrohet në një skenë ku çdo apostull i përngjan presidentit amerikan.
Një tjetër pikturë shfaq liderët e Bashkimit Evropian, të buzëqeshur, në një varkë shpëtimi dhe me jelekë portokalli, përderisa Trumpi me smoking luan violinë për ta. Skena kujton fundosjen e “Titanikut”.

“Të gjitha imazhet e ftojnë audiencën ta shohë në triumfin e Trumpit një botë në krizë ekzistenciale”, ka thënë Delvina për AFP-në.

“Me një gjuhë artistike të pasur dhe dinamike, me tema provokuese dhe me ironi të hidhur, Delvina prezanton të vërtetën e tij”, ka thënë Manjola Xhavara, kuratore e ekspozitës (Foto: EPA)

Piktori shqiptar i ka paraqitur artistët amerikanë që ishin kundërshtarë të Trumpit si refugjatë dhe bashkëpunëtorin e tij, miliarderin Elon Musk, duke goditur me grusht konkurrentin Mark Zuckerberg.
“Me një gjuhë artistike të pasur dhe dinamike, me tema provokuese dhe me ironi të hidhur, Delvina prezanton të vërtetën e tij”, ka thënë Manjola Xhavara, kuratore e ekspozitës.

“Është një punë katërvjeçare e lindur nga një indinjatë e fortë ndaj sulmeve ndaj një shpirti të lirë si ai i Trumpit”, ka thënë ajo. Artisti dëshiron që presidentit amerikan t’ia dhurojë “Dallgën”, pikturën ku Trumpi ngrihet nga valët për ta “bërë Amerikën përsëri të madhe”, që është motoja e politikës së tij. 
Ekspozita me ciklin dedikuar Trumpit, Avni Delvina e kishte hapur edhe në Muzeun Historik në Tiranë në shkurtin e vitit 2019. Asokohe titullohej 

“The Donald” dhe prezantohej si një ekspozitë që u kushtohej marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe zhvillimeve në SHBA dhe Ballkan. Në shumicën e veprave autori paraqiste presidentin amerikan Donald Trump dhe ngjarje që lidhin SHBA-në me shqiptarët. 46 pikturat e asaj ekspozite i kushtoheshin SHBA-së, presidentit Trump dhe politikës amerikane, si dhe dashurisë së veçantë të popullit shqiptar për popullin amerikan. Siç raportohej asokohe, ekspozita qe një ftesë për gjithë kryeqytetasit nga artisti, që la Tiranën në korrik 1990, por që përditë jeton me mendje në Tiranë dhe u kushtoi bashkëkombësve të tij pothuaj gjithë krijimtarinë e vet.

“Të gjitha imazhet e ftojnë audiencën ta shohë në triumfin e Trumpit një botë në krizë ekzistenciale”, ka thënë Delvina për AFP-në (Foto: EPA) 

“Këtu në Shqipëri është plot ngjarje dhe negativiteti është i pranishëm kudo. Krahas sarkazmit që unë ndërthur në krijimtarinë time, Shqipëria është vendi më i mirë dhe frymëzuesja më e mirë, në njëfarë mënyre, sepse të gjithë jemi pjesëmarrës në dramës që kalojmë”, kishte thënë Delvina. Autori ishte kritik me zhvillimet në Shqipëri, ku njerëzit nuk reagojnë për hallet që kanë, por e kërkojnë zgjidhjen tek emigrimi. “Është vrasja e shpresës, një lloj pasiviteti. Njerëzit nuk gjejnë entuziazëm tek ata që na drejtojnë. Njeriu do entuziazëm, ai të mban. Duhet shpresë, diçka pozitive: ‘Do të rregullohet’. Mungon pozitiviteti, dhe kjo ndihet qysh në zërin e atyre që na drejtojnë. Njeriu ka nevojë për mirësi, për pozitivitet, ka nevojë për entuziazëm. Të gjitha këto mungojnë dhe përveç dramës ekonomike që kalojnë, vetvetiu njerëzit, ku iu mungojnë edhe këta elementë, shpresojnë, tentojnë, luajnë pokerin e jetës, që është i vështirë, dhe shpërngulen”, kishte thënë ai. Kuratori i ekspozitës “The Donald” kishte qenë artisti dhe studiuesi Ardian Devolli, i cili kishte thënë se  veprat e Avni Delvinës janë thellësisht të vërteta dhe të sinqerta, megjithëse të mbushura me metafora, hiperbola dhe shpesh edhe me ironi dhe humor. “Nëpërmjet këtyre veprave autori tregon edhe kulturën e gjerë artistike që zotëron qysh nga arti i lashtë grek, romak, Rilindja italiane, romantizmi, surrealizmi, pop-arti. Gjithë rryma dhe korrente i kanë shërbyer Delvinës si mjete për të dhënë maksimumin e idesë së tij në mënyrë të sintetizuar dhe me një gjuhë të pastër artistike”, kishte thënë kuratori.

Lexo edhe: