Kulturë

Tristano e Schumacher shtyjnë kufijtë me spektaklin e minimalizmit

Veprat e dyshes Francesco Tristano me perkusionistin Pascal Schumacher

Veprat e dyshes Francesco Tristano me perkusionistin Pascal Schumacher që tingëllojnë fort bashkëkohore e njëkohësisht janë tejet minimaliste krijojnë tjetër atmosferë, megjithëse publiku gjendet përballë instrumenteve të muzikës serioze (Foto: Arben Llapashtica)

Në radhët e festivaleve të muzikës serioze, Festivali ndërkombëtar i muzikës, “DAM” ka kohë që u bën vend formacioneve “më ndryshe”. Pianisti e kompozitori i njohur nga Luksemburgu, Francesco Tristano, është rikthyer për një koncert pikërisht në “DAM”. Bashkë me perkusionistin Pascal Schumacher dhe gjashtë anëtarë të Filharmonisë së Kosovës, ata kanë dhuruar spektakël. E kanë bërë këtë me muzikë minimaliste

Kur përmendet emri i Francesco Tristanos, ata që kanë qenë në koncertin me të cilin Filharmonia festoi Ditën e Pavarësisë sivjet, e mendojnë pikërisht atë ditë. Spektakli që ka çuar në “elektrizimin” e Filharmonisë ishte diçka unike në Kosovë. Atëherë, Filharmonia kishte bërë një lloj kapërcimi. Institucionet qendrore të kulturës kanë formatin e tyre të seriozitetit. 

Për profesionistët që janë krijuar e kanë bërë emër në shekullin e kaluar eksperimentimi është zor i pranueshëm. Asokohe pas koncertit “Strings of life” ishte thënë se kohëve të fundit muret e stileve e të zhanreve po shemben. Joshja e audiencave dhe dhurimi i spektakleve në ditë të veçanta festive janë bërë pjesë e programeve në formacione serioze artistike. Këtë e kishte provuar edhe Filharmonia e Kosovës. 

E në radhët e festivaleve të muzikës serioze, Festivali ndërkombëtar i muzikës, “DAM” ka kohë që u bën vend formacioneve “më ndryshe”. Bashkëkohorja që vjen nëpërmjet instrumenteve tradicionale të seriozes, në “DAM” ka nisur kaherë. 

Pianisti e kompozitori i njohur nga Luksemburgu, Francesco Tristano, është rikthyer për një koncert pikërisht në “DAM”. Bashkë me perkusionistin Pascal Schumacher dhe gjashtë anëtarë të Filharmonisë së Kosovës, ata kanë dhuruar spektakël. Ambienti në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është rregulluar për t’i shkuar për shtat koncertit. Tri ekranet që formojnë numrin romak XIX që tregon numrin e edicionit të sivjetmë, duken sikur janë rekuizitat ideale. 

Veprat e dyshes që tingëllojnë fort bashkëkohore e njëkohësisht janë tejet minimaliste krijojnë tjetër atmosferë, megjithëse publiku gjendet përballë instrumenteve të muzikës serioze. Me ”Hello” të Tristanos ka nisur mbrëmja. Është vepër minimaliste e pafundësisht bashkëkohore. Është aso ngacmuesi i madh i publikut pasi përdoren pjesë dytësore të instrumenteve për të nxjerrë tinguj. Por është thjesht një ngrohje apo intro e koncertit. “Glass Mosaic” titullohet albumi i Pascal Schumacherit. Artisti nga Luksemburgu e ka fort në qejf pianistin e kompozitorin amerikan. Kur dyshes i janë bashkuar edhe pesë harkorë të Filharmonisë së Kosovës e një baterist, Albin Abazi, situata ka ndryshuar. Veprat e dyshes kanë nisur të marrin jetë. E për dallim nga disa net të tjera të koncerteve në këtë Festival, të hënën nuk ka pasur “zëra dytësorë” nga asnjë anë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Ritmi i veprave, pavarësisht që luheshin me instrumente akustike, bënte sikur elektronikja është aty. E kjo bën që ngjyrat e muzikës të ndryshojnë fort. 

Francesco Tristano, i cili ka interpretuar në krejt Evropën e deri te “Carnegie Hall” në New York, ka thënë se pjesa më e bukur është që kishte mundësi të luajë me muzikantë nga Kosova. 

“Herën e dytë kur isha këtu kishim koncertin për Ditën e Pavarësisë dhe ishte e paharrueshme për shumë arsye. Kam takuar shumë muzikantë të mirë. Kur erdhi ideja për festivalin ‘DAM’ kam insistuar që të kemi një grup të njerëzve lokalë, pasi besoj se nuk ka më mirë se të luajmë e bëjmë diçka me muzikantët lokalë. Ishte diçka e shkurtër, por jam shumë i lumtur”, ka thënë ai. 

Ambienti në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është rregulluar për t’i shkuar për shtat koncertit. Tri ekranet që formojnë numrin romak XIX që tregon numrin e edicionit të sivjetmë, duken sikur janë rekuizitat ideale (Foto: Arben Llapashtica)

Ka treguar se bashkë me perkusionistin Schumacher donin të prezantonin muzikën e tyre pasi që të dy janë edhe kompozitorë. 

“Ideja e përgjithshme është minimalizmi. Kemi luajtur edhe pak nga Philip Glass. Albumi i Pascalit titullohet ‘Glass Mosaic’ kështu që ne sot kemi luajtur pak nga Glass dhe pjesë të tjera. Normalisht, minimaliste”, ka thënë ai. 

Tristiano duket sikur ka diçka të magjishme në gishta kur ulet dhe nis të ketë kontakt me tastet e pianos. Ka studiuar në disa prej konservatorëve më të mirë të Evropës për të diplomuar në New York ka luajtur edhe me Orkestrën Kombëtare të Rusisë ku edhe ka regjistruar koncertet për piano të Prokofiev e Ravelit.  

Loja me veprat e dyshes shpien në shtigje moderne, nëpër të cilat po ecën muzika serioze sot. Për organizatorët, një energji e tillë është shumë e vlefshme. 

“Dëshira ka qenë shumë e madhe për ta rikthyer Francesco Tristanon në Kosovë dhe kësaj radhe me një koncert të përmasave më të vogla. Natyrisht që duke marrë parasysh Francescon si sensacion në kohët e sotme edhe për ne ka qenë një shpresë e madhe për rikthimin e një energjie, që si rezultat i telasheve që kemi në organizim, kemi në energji që shpesh demotivon, e Tristano me dëshirë ka pranuar të vijë. Ishte një koncert specifik shkaku i bashkëdyzimit të performancës së tij me afinitetin e tij krijues. Një numër i konsiderueshëm i veprave që u interpretuan e që i takojnë minimalizmit modern janë shkruar nga vetë Francesco”, ka thënë Rreze Kryeziu-Breznica, drejtore ekzekutive, “DAM”.

Tristano e Schumacher kanë lënë shenjat e tyre edhe në “DAM”. Por si artistë që bashkëpunimet me muzikantë të rinj i kanë në qejf, pritet të kthehen prapë në Kosovë

Sipas saj, perkusionisti Schumacher sot është një nga figurat më të njohura të interpretimit në perkusione. Kryeziu-Breznica ka thënë se koncertet e tilla kanë shumë domethënie. 

“Ne besojmë fuqishëm që edhe në të ardhmen të mund të sjellin personalitete që krijojnë hapësirë bashkëpunimi me të rinjtë tanë, sepse fundja ky është edhe misioni ynë tash e 19 vjet”, ka thënë ajo. Sivjet “DAM” po bahet me formacione më të vogla në skenë e kryesisht edhe me interpretime solo. Kjo, për shkak të shumë rrethanave ku midis tyre dy më kryesoret janë financat dhe kushtet e hapësirave ku interpretohet. Organizatorët kanë paralajmëruar ndërrim formati nga viti që vjen. Por pa koncerte të ansambleve sikurse ai i së hënës mbrëma, jeta muzikore në kryeqytet do të ishte shumë më e varfër. Ajo frymë është pasuri jo veç për Prishtinën.  

Tristano e Schumacher kanë lënë shenjat e tyre edhe në “DAM”. Por si artistë që bashkëpunimet me muzikantë të rinj i kanë në qejf, pritet të kthehen prapë në Kosovë. Në cilindo format që vijnë, do të jenë spektakolarë.