Dy koncerte në Romë dhe një në Teramo, kanë qenë triptiku i turneut të Korit të Filharmonisë së Kosovës në Itali. Veprat e shquara botërore, janë të pashmangshme në repertor, por e përbashkëta e të tri koncerteve, është udhëtimi nëpër shekujt e muzikës shqiptare, duke gërmuar thellë nëpër thesaret e shekullit XIV e deri më sot, me veprat që përthekojnë edhe historinë e kohës së re. Dy vepra bis janë konfirmim i suksesit
Për tri net rresht në vendin e kulturës së muzikës klasike, Kori i Filharmonisë së Kosovës ka akorduar vokalin në atë që njihet si vendi që e ka zhvilluar këtë zhanër. Më 25, 26 e 27 mars, njëri segment i institucionit shtetëror të muzikës klasike ka shpalosur, midis tjerash, repertorin shqiptar të zhvilluar nëpër etapa të ndryshme. Dhe jo vetëm. Veprat e kompozitorëve të huaj, përfshirë kryeveprën vokalo-instrumentale “Requiem” të Mozartit si dhe veprën tjetër të tij, “Ave Verum Corpus” bashkë me Simfoninë e Bachut, kanë ndërtuar rrëfimin muzikor duke shpalosur profesionalizmin e Korit.
Skenat e Romës ku muzika klasike është shenjë identitare, i ka ngjitur edhe Kori që u jep zë veprave vokale prej fiks dy dekadash. Kultura muzikore shqiptare është demonstruar për traditën e hershme.
Në koncertin e fundit të Korit në Romë, para publikut italian është luajtur edhe vepra që daton nga shekulli XIV. “Psalm” me përmbajtje liturgjike e Jan Kukuzelit ka qenë njëra prej perlave që e pasuron repertorin shqiptar. Bashkë me “Sancta Maria” të Giorgio Lapazaya e “OEIA” të Mendi Mengjiqit, të mërkurën në sallën akademike “Santa Cecilia” në Romë, muzike shqipe jehoi në njërën prej qyteteve si kryeqendra të muzikës klasike. Vepra e kompozitorit Lapazaya që është me prejardhje shqiptare e ka hapur koncertin.
Dirigjent i koncertit të mbrëmjes së 27 marsit ka qenë Rafet Rudi, njëherësh kompozitor. Janë puna e përkushtimi i tij që kanë zbardhur repertorin e autorit antik shqiptar, Jan Kukuzeli. E restauruar dhe e përshtatur ka ardhur vepra “Concerto Fantasy” për violinë dhe kor me të cilën ka kulmuar koncerti. Soliste në interpretimin e kësaj vepre ka qenë violinistja e shquar Sihana Badivuku. Për të edhe e kishte shkruar veprën kompozitori Rudi më 2011.
Kjo është vepra e pesë me radhë në ciklin e Rudit të titulluar “Afresk arbëresh”. Aq vepra ka gjithsej ky cikël. Aty përfshihet muzika liturgjike arbëreshe, muzika tradicionale shqipe si dhe muzika e Jan Kukuzelit si një lloj trinomi. Tjetër kapitull në zbërthim të këngës shqiptare ka qenë edhe vepra “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr” e kompozitorit Baki Jashari. Te publiku ajo ka përçuar një lloj realiteti të dyfishtë. Është vepër që bart shumë mesazhe.
Organizatori i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se dëshmi e publikut të kënaqur me interpretimin e Korit në koncertin e fundit ka qenë interpretimi i dy veprave në bis: “Ishin dy kunata”, e Rafet Rudit dhe “Mori drandofilja e vogël”, përpunim i Mark Kaçinarit.
“Programi ka qenë një përzgjedhje e veprave të cilat e shpijnë publikun në një rrugëtim të muzikës shqiptare në shekullin XIII e deri më sot, duke filluar nga Jan Kukuzeli e Gjergj Llapacaj që janë dy kompozitorë që interpretohen nga Kori i Filharmonisë së Kosovës dhe janë rezultat i punës kërkimore të dirigjentit Rafet Rudit, për t’u zhytur në një thesar të muzikës shqiptare të shumë shekujve më parë”, ka thënë Selimaj.
Në koncert ka qenë i pranishëm drejtori i konservatorit “Santa Cecilia”, Franco Antonio Mirenzi si dhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim.
“Me një program të veçantë të përgatitur posaçërisht për mbrëmjen, Kori performoi me mjeshtëri të madhe, duke u zhytur fillimisht në thesarin historik të muzikës sonë nga e kaluara, e pastaj duke prezantuar edhe përzgjedhjen e kujdesshme të disa veprave më të rëndësishme ndërkombëtare, por edhe të letërsisë bashkëkohore në Kosovë, pra si vepra ‘The Joy in Loving’ nga Aulon Naçi”, ka shkruar Ambasada e Kosovës në Itali në Facebook.
Në postim parafrazohet edhe ambasadorja Haxhitasim të ketë thënë se shkëmbimi kulturor ndërmjet dy vendeve kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe ndërshtetërore.
“Para nisjes së Koncertit, ambasadorja Haxhitasim theksoi rëndësinë e madhe që ka zhvillimi i diplomacisë kulturore në marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Italisë, sepse shpreh bindjen se është me rëndësi të madhe për të dyja palët. Ky shkëmbim kulturash të ndryshme, që historikisht kanë ndërthurur e pasuruar të dy vendet, duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërshtetërore”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës.
Muzika tradicionale është sjellë nëpërmjet “Janinës ç’i panë sytë”. Kënga ikonë e iso-polifonisë së Shqipërisë së Jugut është unike ku vargjet mbeten të lidhura me vokal ndërmjet tyre. Kënga i kushtohet Zenel Çelos, ushtarakut e prijësit popullor, i cili ishte vrarë trimërisht në mbrojtjen e Janinës në luftimet kundër shovinistëve grekë që synon pushtimin e pjesës jugore të Shqipërisë. Solistë në interpretimin e veprës kanë qenë sopranoja Kaltrina Miftari dhe tenori Luan Durmishi.
Në këtë koncert, në repertor janë përfshirë edhe veprat e kompozitorëve të huaj si “Stars” e lituanit Eriks Esenvalds dhe “Biegga Luohte” nga suedezi Jan Sandström. Në këtë të fundit, si solistë kanë interpretuar tenori Etrit Nura dhe basi Harris Bajraktari.
“Koncertin e fundit e patëm me profesorin Rafet Rudi, ku unë interpretova pjesën solo në veprën bashkë me Etrit Nurën. ‘Biegga Luohte’ është pjesë kjo që mund të jetë sfiduese në anën interpretative, një nga veprat më interesante të koncertit. Përndryshe është kënaqësi puna me profesor Rafet Rudin, prej të cilit po ashtu mësuam shumë nga kjo përvojë”, ka thënë basi Harris Bajraktari.
“Lamento della Ninfa (Amor)” e kompozitorit italian, Calaudio Monteverdi, ka qenë tjetër kapitull i koncertit ku me tinguj të organos ka përcjellë italiani Daniel Sanmartin-Nieto. Pjesa vokale është interpretuar nga sopranoja Kaltrina Miftari, baritoni Arlind Gjyshinca, tenori Rizah Jahaj dhe basi Shaban Behramaj, që ka qenë edhe narrator në veprën “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr” të Jasharit. Behramaj i ka vlerësuar veprat për mesazhet që bartin.
“Do ta veçoja pjesën narrative te vepra e profesor Baki Jasharit që ka një tematikë të veçantë në trajtimin e situatës së paraluftës në Kosovë, ku flasim për okupimin serb në Kosovë. Kjo vepër gjithmonë ngjall interes te publiku i huaj, pasi ka një emocion dhe shpërthim të jashtëzakonshëm. Gjithashtu kam qenë solist edhe në veprën ‘Lamento della Nimfa’ të Monteverdit. Kompozitor ky italian, autor i një vepre e njohur dhe e afërt e publikut italian. Ne arritëm ta sjellim në një formë shumë të këndshme”, ka thënë Behramaj.
Ka konsideruar se të gjitha performancat e tyre rezultojnë të suksesshme përkundër kushteve në të cilat veprojnë anëtarët. Sipas tij, përfaqësime të tilla jashtë vendit duhet të jenë më të shpeshta si dhe anëtarët e Filharmonisë duhet të kenë trajtim më të dinjitetshëm, nisur prej pajisjes me sallë koncertale.
“Këto udhëtime janë gjithmonë akoma më të veçanta për ne kur kemi mundësi të performojmë në salla koncertale profesionale, mundësi të cilën nuk e kemi në Kosovë”, ka thënë Behramaj.
“The joy in loving” i kompozitorit Aulon Naçi, ka qenë një lloj përfaqësimi i literaturës muzikore të brezit të ri të kompozitorëve. Në koncert është interpretuar po ashtu edhe vepra “Nyon, nyon” e kompozitorit amerikan Jake Runestad.
Magjik ka rezultuar treditëshi i Korit të Filharmonisë së Kosovës. Nisi me 25 mars me “Requiem” të Mozartit në teatrin “Palladium” në Romë. Njëra prej kryeveprave të repertorit botëror është sjellë bashkë me orkestrën italiane, “Roma Tre Orchestra”, dirigjuar nga mjeshtri italian Sieva Borzak. Ai edhe e udhëheq këtë orkestër. “Palladium” ka qenë stacioni i parë i turneut treditor i Korit në Itali. Në rolin e solistëve në interpretimin e “Requiemit”, për dy net ishin sopranoja italiane Federica Raja, mexosopranoja Marta Lotti, po ashtu nga Italia e tenori Charles-Isaac Denys. Në program përfshihej edhe interpretimi i “Simfonisë në F minor. 65” të gjermanit Bach e më pas ishte interpretuar edhe “Ave Verum Corpus në D major K. 618” e austriakut Mozzart. Një ditë më pas, më 26 mars, Kori i Filharmonisë së Kosovës, me të njëjtin program, kishte interpretuar edhe në Universitetin e Teramos, rreth 150 kilometra larg kryeqytetit italian.
Kori të enjten vonë e ka aterruar në Kosovë.
“Ka qenë një moment i jashtëzakonshëm për të gjithë ne si muzikantë tashmë me përvojë të muzikës korale. Duke ditur që kemi qenë në një vend ku tradita e muzikës klasike është shumë e gjatë, për ne ka qenë përgjegjësi shumë e madhe si dhe të paraqesim muzikën e vlerat tona muzikore të disa kompozitorëve tanë shqiptarë. Jemi ndier të vlerësuar”, ka thënë anëtari i Korit të Flharmonisë, Shaban Behramaj.
Lisbonë e Braga të Portugalisë, Selaniku u Greqisë e deri Tajlanda, kanë qenë vendet ku vjet ka koncertuar Filharmonia e Kosovës. Kontrasti i krejt magjisë së interpretimit të Korit në Itali ka qenë ai i fundit i Filharmonisë së Kosovës, të cilin e solli të përbashkët me Operën në shënim të ditës së ndërhyrjeve të NATO-s për çlirimin e vendit, të dielën e kaluar. Salla që pikonte pa ndalur e të tjera avari kanë shpërfaqur qartazi një pjesë të sfidave të institucionit të muzikës klasike.
Ëndrra e interpretimit në qytetin ikonë të muzikës klasike u bë “zhgëndërr” të enjten kur Kori u kthye në Prishtinë.