Janë tri shkrepje nga vitet ’80, vijnë si kontrast midis së kaluarës dhe të tashmes në Hamamin e Madh të Prishtinës. Paradoksalisht e kaluara është e gjallërishme, e tashmja në monumentin pesëshekullor është trishtuese. Unë kam kapur momente që më s’janë. Këtë e bëjnë fotografët”, ka thënë Meredith Vula në hapjen e ekspozitës së saj “Bathers” tok me rrëfimin prapa imazheve të saj
Është njëfarë qetësie e pastër. Një adoleshente e ulur në Hamam, në vitet ’80, duket në një tjetër botë. Jo veç si pamje, por edhe si ndjesi, për aq sa përçohet nga fotografia bardhezi. Përtej një pamjeje artistike, ai imazh mund të shihet edhe si një eksponat që të paktën si pamje rrëfen një kontekst tjetër social, kulturor e arkitekturor.
Tri fotografi të tilla në Hamamin e Madh të Prishtinës i kanë dhënë pak jetë monumentit që është shembulli më i mirë i qasjes së shtetit në raport me trashëgiminë kulturore në Kosovë. Shembulli për të keq.
Lala Meredith Vula nganjëherë hap arkivat e saj dhe sjell në Kosovë nga një copëz të së kaluarës. Në këtë rast rrëfimi vjen i përbashkët me të atin e saj që nuk jeton më. Arkitekti e eksperti i trashëgimisë kulturore, Rexhep Vula, do ta shoqëronte të bijën nëpër ndërtesat që shpjegojnë zhvillimet në fusha të ndryshme në këto anë.
“Është moment shumë i bukur që njerëzit interesohen për këto fotografi. Pastaj hapësira është interesante pasi këtu kam bërë fotografi më 1982 dhe 1987”, ka thënë ajo të martën në ekspozitën e hapur në kuadër të projektit “Reporting House”. Ka përzgjedhur fotografi nga cikli i saj “Bathers”, ku banjat publike në hapësira të ndryshme paraqiten si vlerë e një jete sociale të trashëguar nga Perandoria Osmane.
Por hapësira ku Meredith Vula ka sjellë fotografitë është e shpërfytyruar. Është shkatërruar në emër të restaurimit për të cilin u shpenzuan 800 mijë e kusur euro.
Në Hamamin e Madh të Prishtinës, të ndërtuar në shekujt XIV dhe XV, gjatë viteve 2007-2009 ishte punuar hartimi i planit të konservimit dhe restaurimit – fazë kjo e financuar nga CHwB/Sida, duke angazhuar një ekip ekspertësh nga Turqia. Projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve turq konsiderohej se jo vetëm që nuk përkonte me vlerat autentike të monumentit, por edhe ishte një përkthim i keq prej turqishtes.
Kompania “Arda Rei” kishte nisur punët restauruese. Madje përfaqësuesit e saj gjatë përgatitjes së monumentit për restaurimin në muret e brendshme kishin zbuluar një pikturë murale me përzierje të dy ngjyrave themelore – kaltër e verdhë. Piktura në të cilën ishte ndërhyrë edhe më vonë tash është tjetërsuar nga mosmirëmbajtja dhe lagështia që e ka kapluar.
“Pas përzgjedhjes së kompanisë fituese për zbatimin e këtij projekti është parë që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në punë konservuese/restauruese”, thuhej në një raport të datës 12 dhjetor të 2013-s të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Komisioni i monitorimit përbëhej prej institucioneve qendrore dhe atyre komunale të kulturës, si dhe nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës. Hamamit të Prishtinës autenticitetin ia humbi krejtësisht me ndërhyrjet e vrazhda kompania “Daja Rrah”, kur i betonoi muret e jashtme.

Në shtatorin e vitit 2012, Isa Mustafa, si kryetar i Komunës së Prishtinës, do ta vizitonte Hamamin e Madh të Prishtinës dhe do të thoshte se pas përfundimit të punimeve objekti do të shndërrohej në muze neolitik.
Me urdhër të ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, punimet në Hamam janë ndërprerë tri herë. Për herë të fundit në mars të vitit 2013, për të mos rinisur më. Më 2021, kur desh iu la në dorë organizatës turke për koordinim dhe zhvillim – TIKA, Hamami me një marrëveshje nënshkruar prej Komunës së Prishtinës për pak sa u bë “Fatih Hamami Müzesi” ose “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”. Reagimi qe i ashpër, projekti u pezullua.
Meredith Vula e ka të vështirë ka kuptojë çfarë ka ndodhur.
“Hapësira ka humbur shumë nga karakteri që kishte. Një restaurim adekuat do shumë, shumë punë. Hamami është vend shumë i mirë për banjë. Ndoshta do të duhej të mbahej funksional sikurse janë në Stamboll a Budapest. Fotografitë me të vërtetë janë e kaluara pasi tash gjërat kanë ndryshuar. Unë kam kapur momente që më s’janë. Këtë e bëjnë fotografët”, ka thënë ajo për monumentin pesëshekullor.
Meredith Vula ngacmon shpesh memoriet. Më 2015 në Galerinë Kombëtare të Kosovës ajo hapi ekspozitën “Kujtesë gjaku”. Ishin fotografitë e tubimeve për faljen e gjaqeve në fillim të viteve ’90. Më pas vjet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës i kishte bërë krejt bashkë duke ndërtuar një film sikurse ata të kohës kur produktet kinematografike ishin bardhezi dhe pa zë. Nënat që lajnë fëmijë, pamjet e faljes së gjaqeve, tanket e mbetura nëpër Kosovë pas luftës, mullarët e përditshmëria në forma të ndryshme vijnë si një “flashback” që e fuste vizitorin në një rreth vicioz të përditshmërisë në kohë të ndryshme. Seria e saj e fotografive në bardhezi “Mullarët” ka shëtitur botën. Vjet kishte ndërtuar një mullar brenda institucionit të artit pamor.
Veprat e Meredith Vulës janë parë nëpër muze e galeri të ndryshme nëpër botë. Por sidomos ato që lidhen me Kosovën e viteve ’80, ’90 e edhe të pasluftës, askund nuk mund të shihen si në galeritë e shtetit më të ri në Evropë, pasi askund nuk janë më brenda kontekstit. Artistja vjet kishte zgjedhur që ta dërgonte më tej vizitorin. Mullari dukej si një skulpturë e nxjerrë nga fotografitë. Siç edhe kishte shkruar kuratori Edi Muka në tekstin e tij, në përmbytjen e imazheve të ekspozitës kishte diçka hipnotizuese.
Por në rastin e Hamamit të Madh s’ka vend për hipnotizim. Aty është krejt reale moskujdesi i shtetit nga një prej monumenteve më të rëndësishme të kryeqytetit.