Kulturë

Tre vjet për shtatë anëtarë, funksionalizohet organi i trashëgimisë kulturore

Në misionin e vet, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore e kishte afishuar veten si “institucion i qëndrueshëm” për vlerësimin e aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Por pikërisht “qëndrueshmëria” i kishte munguar këtij organi që prej korrikut të vitit 2018. Me shumicë votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës të mërkurën pasdite kanë votuar shtatëshen e re të KKTK-së, prej së cilës varet fati i shumë monumenteve që aspirojnë të marrin statusin e mbrojtjes së përhershme

Mbetja pezull e statusit të monumenteve nën mbrojtje të përhershme të shtetit është tejkaluar së paku formalisht. Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore – që është agjenci e pavarur – nga e mërkura është funksionalizuar me përbërjen e re prej shtatë anëtarësh.

Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar raportin e rekomanduar javën e kaluar nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

Kështu, Zanita Halimi, Arianit Buqinca, Sadik Krasniqi, Premtim Alaj, Valon Gërmizaj, Ifeta Nikoçeviq dhe Slagjana Boshkoviq është shtatëshja e emëruar tashmë, e që është një hap që do ta rifunksionalizojë këtë organ pas një shkëputjeje trevjeçare.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur të mërkurën pasdite, emërimi i anëtarëve të KKTK-së është përfshirë në pikën e tetë të rendit të ditës.

Me këtë rast deputeti i Vetëvendosjes Ardian Gola – në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport – ka paraqitur para deputetëve rekomandimet e këtij komisioni. Pas një procesi përzgjedhjeje e vlerësimi, Komisioni në mbledhjen e 29 qershorit kishte votuar listën e kandidatëve për anëtarë të KKTK-së e që të mërkurën doli në Kuvend.

Në fjalën e tij, Gola ka theksuar se konkursi është shpallur sipas afateve dhe kërkesave ligjore.

“Ishte një proces i menaxhuar mirë, korrekt dhe efektiv”, ka thënë Gola teksa ka shtuar se Komisioni që në fillim ishte përcaktuar për një formulë konsensuale për menaxhimin e procesit përzgjedhës. Kështu, sipas tij, kandidatët janë vlerësuar nga gjithsej 10 pikë me 5 sosh për intervistim, 3 për përvojë dhe 2 të tjera për kualifikim.

“Kjo formulë ka prodhuar një përbërje heterogjene sa u përket profileve profesionale”, ka thënë deputeti Gola, duke nënvizuar se katër anëtarë janë doktorë në antropologji e arkeologji e dy të tjerë në arkitekturë.

Fill pas kësaj, të 66 deputetët e pranishëm në sallë me ngritje dore kanë votuar njëzëri rekomandimin për emërimin e shtatëshes së re të KKTK-së.

Arkeologu, Arianit Buqinca ka thënë se emërimi i përbërjes së re do t’i japë fund një kohe të gjatë të jofunksionalitetit.

“Mendoj se është vendim i mirë që përfundimisht u zhbllokua një proces i gjatë i përzgjedhjes”, ka thënë Buqinca për KOHËN teksa ka thënë se duhet të pritet fillimi i punës që të jepen vlerësime për gjendjen.

Ndërkaq anëtarja tjetër, Zanita Halimi ka vlerësuar se puna e Komisionit do të jetë goxha voluminoze. Sipas saj, pauza disavjeçare e këtij organi ka bërë që të shtohet numri i monumenteve të patrajtuara.

“Në takimin e parë, pasi të konstituohet përbërja e re, duhet fillimisht të bëjmë një analizë paraprake të gjendjes, si dhe të dokumenteve e raporteve të këshillit të mëhershëm”, ka thënë Halimi.

Teksa ka theksuar se përbërja e larmishme e Këshillit reflekton nënndarjet e trashëgimisë kulturore, ajo ka vlerësuar se anëtarët e sapozgjedhur duhet të trajtojnë gjendjen e monumenteve në pritje për të parë se sa prej tyre ekzistojnë realisht në terren.

Halimi, po ashtu, e ka quajtur si mangësi të Këshillit të kaluar mungesën e komunikimit me Ministrinë e Kulturës.

“Megjithatë tash e tutje duhet të ketë një marrëdhënie më të mirë jo vetëm me Ministrinë, por edhe organet e tjera përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, përfshirë edhe ato rajonale”, ka thënë Halimi.

Halimi, e cila është ligjëruese në Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se do t’i japë rëndësi veçanërisht dokumentimit të trashëgimisë kulturore, që nënkupton përgatitjen e materialeve dhe dosjeve me informacione.

“Mendoj se pas analizës së gjendjes do të mund të dalim me një dokument që përcakton hapat e mëtejshëm, propozimet e planet që do të ndërmarrim për të shpëtuar trashëgiminë kulturore”, ka thënë ajo.

Prej themelimit më 2009, obligimi më i rëndësishëm ligjor i KKTK-së është vlerësimi nëse një monument i mbrojtur përkohshëm ka vlera që të marrë status të mbrojtjes së përhershme. Gjatë funksionimit, për tre vjet, vetëm 23 asete kanë marrë mbrojtje të përhershme. Lista qe shpallur në tetorin e 2016-s.

Sipas pikës 4.8 të Nenit 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, KKTK “pёrbёhet nga 7 anёtarё, tё cilët zgjidhen pёr njё mandat tre (3) vjeçar nga Kuvendi i Kosovës, duke respektuar përbërjen etnike nё Kosovë”. Në po të njëjtën pikë qartësohet se Kuvendi i Kosovës e ka në dorë buxhetin e këtij Këshilli.

“Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore angazhohet për një institucion të qëndrueshëm, të pavarur dhe inovativ në vlerësimin e aseteve të trashëgimisë kulturore për shpallje në mbrojtje të përhershme, vlerësimin e pavarur dhe profesional të projekteve, krijimin e komisioneve të pavarura për vlerësimin e trashëgimisë kulturore në rastet e shpronësimeve, shitblerjeve dhe kompensimeve të tjera financiare, përcaktimin e prioriteteve vjetore financiare për trashëgimi kulturore, si dhe detyrave të tjera të përcaktuara me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës”, thuhet në përshkrimin e misionit të këtij organi në faqen e tij zyrtare.

Por pikërisht “qëndrueshmëria” i ka munguar në mënyrë kronike KKTK-së. Prej verës së vitit 2018, kur kishte mbetur pa anëtarë, tri konkurse kanë dështuar njëri pas tjetrit për ta funksionalizuar atë.

Pas shumë diskutimeve e kritikave për pazare e mosrespektim të kriterit gjinor, Komisioni parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, inovacion dhe kulturë në dhjetor të vitit të kaluar kishte dërguar në Kryesi të Kuvendit shtatë emrat e të propozuarve për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Por me shpërndarjen e Kuvendit procesi ishte kthyer në pikën zero.

Kuvendi kishte dështuar që t’i zgjidhte anëtarët e KKTK-së më 21 shtator të vitit të kaluar. Asnjëri prej 13 kandidatëve të propozuar nuk i kishte marrë votat e nevojshme. Kurse sivjet në konkursin e hapur në fund të muajit prill – si përpjekja e katërt me radhë – kishin mësyrë 40 kandidatë.

Por mosfunksionaliteti i KKTK-së nuk ishte i vetmi hall.

Siç ka raportuar edhe më parë gazeta, ndonëse që prej verës së vitit 2018 nuk ka pasur anëtarë, Sekretariati i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore s’i ka ndalur shpenzimet as në vitin pandemik.

Për paga e punë, që përfshijnë edhe promovim të trashëgimisë kulturore në rrjete apo avancim dhe përditësim të ueb-faqes zyrtare, kishte shpenzuar 147 mijë e 263 euro. Janë 11 veta në staf, e mesatarisht secili ka pagë mbi 500 euro. Ata supozohet se duhej të kryenin punë administrative për shtatëshen e anëtarëve që nuk është emëruar për tre vjet radhazi.

Po ashtu, për “punë” jashtë orarit janë bërë pagesa deri në 400 euro në muaj. Prej shtatorit të vitit 2016, KKTK-ja është vendosur në kontejnerët afër ish-Pallatit të Shtypit.