Kulturë

“Tre tenorët” në përmbylljen e “Rame Lahaj International Opera Festival”

Koncerti "Tre tenorët"

Koncerti "Tre tenorët" / KOHA

(E përditësuar 22:55) – Një mbrëmje elegante e simpatike ka qenë koncerti “Rame Lahaj & Friends” me gjithë vonesën në fillim dhe zhurmat prej anash. Përmbyllja është shënuar me performencat individuale të tre tenorëve me Murat Karahanin që ka interpretuar “Yarali Gönul”, Cahrles Castronovo me “Be my love” si dhe Lahaj me “Pranvera ne Prishtine. Te tre bashkë u bashkuan me “Torna a Surriento”, të Ernesto De Curtis kënduar dikur prej të madhit Luciano Pavarotti.

Edicioni i 4-t i RLIOF-it filloi rrugëtimin më 21 korrik me ekspozitën “A thua ëndërr ishe ti” me kryeveprat e artistëve kosovarë. Ndërkohë kryeqyteti u shndërrua në vendtakim të artistëve nga e gjithë bota nëpërmjet mbrëmjeve muzikore, si “Nexhmije Pagarusha” kushtuar muzikës shqipe, “Opera Night”, “Ensemble Evening” e “New Generation” me artistët e rinj.


(E përditësuar 22:34) - Tenori Rame Lahaj pas intepretimit live, në skenë ka prezantuar edhe albuimin “Kangët e nanës”. Ka lëshuar njërën pikë të këtij albumi, që sjell këngë të moçme shkodrane, gjakovare e të tjera sikurse edhe perlën e muzikës shqipe “Baresha” të Nexhmije Pagarushës. Por “Kanga e nanës” është mesazh që lidhet me moton e sivjetme të festivalit, “T’knoft zemra”. Në fakt, mesazhi zbërthen edhe histori personale të Lahajt me të ëmën.

Në skenë tenori i Kosovës është rikthyer me kolegun e tij Karahan për të kënguar këngën “Sende galmaz” në turqisht. Para se ta ftonte tenorin turk, ka treguar se kjo këngë edhe në shqip dhe bëhet fjalë për shumë të njohurën, “Shkodra ka plot dashuri”.


“Tre tenorët” me rrëfimin operistik në shesh

(E përditësuar 22:02) - “Nessun dorma” nga “Turandot” erdhi për prishtinasit nga Murat Karahan i cili ka dinamizuar atmosferën edhe përtej zonës se destinuar në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës e në ballkonet e banesave përreth.

Dirigjenti Sacha Goetzel ka vënë në “punë” publikun në mbajtje ritmi me duartrokitje me preludin e operës “Carmen”. Energjia e maestros përcillet lehtë edhe. te publiku por mbi të gjitha te Orkestra e cila është pika më e fortë e koncertit gala. Një “pauzë” është bërë edhe në pritje të Ezanit nga xhamitë afër.

Interfernca ka edhe nga një ngjarje tjetër jo fort larg. Tinguj rocku janë përzier me ata operistikë. Aq sa Rame Lahaj ka pasur edhe një porosi: “We have to be louder” (Na duhet të jemi me të zëshëm).

Moskoordinimi i ngjarjeve kulturore, është problem i përhershëm në mungesë të një kalendari kulturor të Prishtinës dhe jo vetëm. Sonte është hapur edhe një tjetër ngjarje madhore, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, përderisa “Rame Lahaj International Opera Festival” kishte pasur ngjarje edhe në kohën e “Sunny Hill Festivalit”.

“My way” e ka rikthyer Murat Karahanin në skenë si për ta shtendosur atmosferën.  


(E përditësuar 21:30) - Mbrëmja ka vazhduar me tenorin amerikan, Charles Castronovo i cili paraqitet para publikut me një brosh filigrani në sako. “Una furtiva lagrima” nga opera “Eliksiri i dashurisë” e Gaetona Donizettit ka qenë vepra që ka interpretuar ai.

Tenori amerikan Charles Castronovo

Tenori turk Murat Karahan me kostum të zi e me trëndafil të kuq, ka sjellë arien dramatike të Francesco Cileas, “È la solita storia del pastore”.

Tenori turk Murat Karahan

Intermexoja është bërë me “Farandore” të Georges Bizetit, nga Orkestra nën dirigjimin e Goetzelit. 

VIDEO:


(E përditësuar 21:10) – Skena në kryeqytetin pa sallë koncertale, duket madhështore. Uvertura e William Tellit nga opera me të njëjtin titull kompozuar nga Gioachino Rossini, ka qenë njëra prej veprave të interpretuara. Dirigjenti Sascha Goetzel, ka mbajtur një fjalim emocionues e ndër të tjera ka përshëndetur edhe themelimin e Orkestrës së Operë së Kosovës.

Në skenë, themeluesi e nikoqiri i festivalit nuk ka folur, por fill ka nisur të interpretojë, “Moj e bukura More”.


Koncerti gala me “Tre tenorët” akordohet me vonesë

(21:00) - Pak minuta më parë ka nisur koncerti gala me “Tre tenorët”, epilogun e edicionit të katërt të “Festivalit Ndërkombëtar të Operës – Rame Lahaj”. Dirigjenti Sascha Goetzel me njëzet minuta vonesë është ngjitur në skenën në sheshin “Skënderbeu” derisa mysafirët enden në kërkim të ulëseve.  

Nën moton “T’knoft zemra”, që ka përcjellë këtë edicion të katërt, tenori kosovar, themelues e president i festivalit në “Rame Lahaj & Friends” shoqërohet nga Charles Castronovo, i njohur ndërkombëtarisht si një nga tenorët më të mirë të brezit të tij, si dhe Murat Karahan, yll i operës me mbi 50 role kryesore në të gjithë botën, i vlerësuar si “artisti më i suksesshëm operistik i vitit”.

Tre tenorët shoqërohen në skenë nga Orkestra e Operës së Kosovës dirigjuar nga maestro Sascha Goetzel, dirigjenti austriak të cilit me Kosovën i ishte përthyer rruga disa herë. 

VIDEO: