Kulturë

Tre milionë euro në Muzeun ku për një dekadë u investuan 800 mijë euro

Muzeu Kombetar

Imazhi nga projekti i restaurimit të përgjithshëm të Muzeut Kombëtar të Kosovës (Foto: Hajrulla Çeku/FB)

Deri më 2012-n në objektin e Muzeut Kombëtar të Kosovës të mbrojtur si monument nuk u investua fort, mandej nisën investime që zyrtarisht kapin shumën e gati 800 mijë eurove, pa llogaritur “ndërhyrje” të vogla, por krejt këto janë “metelikë” në investimin e radhës. Tre milionë euro tashmë e presin punëkryerësin. Muzeut i vihet dryni, parashihet një vit e gjysmë, përderisa ky buxhet është i radhës në serinë e milionave për projekte si këto. Shtatë do të investohen në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Investimet me nga 200 mijë, 280 mijë e 300 mijë euro për rreth një dekadë në rinovime e përgatitje ekspozitash të Muzeut Kombëtar të Kosovës dalin të jenë veç “kusur” në raport me investimet që do të bëhen.

Janë tre milionë euro që Ministria e Kulturës do t’i investojë në këtë institucion në valën e hapjes së kuletës së shtetit nëpërmjet tenderëve. Afro 100 mijë euro ka kushtuar veç projekti për të ndërhyrë në institucionin më të lartë muzeor në vend.

Fushata e investimeve kapitale të Ministrisë në kulturë deri tash është veç muhabet tenderësh e imazhe projektesh, ku ministri Hajrulla Çeku njofton publikun se do të ketë implementime në këtë apo atë institucion. Projektet e realizuara me kompani private, me çmime e qasje si asnjëherë më parë MKRS-ja është duke i konkretizuar. Tek ai për ndërtesën e Teatrit të Operës dhe Baletit ka dështuar shkaku i shkeljes së ligjit, por është në tentativën e radhës.

Te Muzeu Kombëtar i Kosovës muhabeti i investimeve është i vjetër. Për herë të parë do të intervenohet në depon e këtij institucioni, ku ruhet thesari i trashëgimisë kulturore të luajtshme të vendit. Problemet aty janë të shtresuara ndër vite. Kushtet aspak brenda parametrave e nganjëherë edhe lagështia kanë qenë të tepërta. Për disa muaj në një pjesë ka qëndruar edhe uji. MKRS-ja ishte vonuar për të blerë një motor për ta nxjerrë atë. Por tash me tre milionë synohet shumë.

Do të preket edhe ekspozita e përhershme. Nëpërmjet projektit të realizuar nga konsorciumi “ALB Architect; ACTI” parashihen ndërhyrje në shumicën e pjesëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Njëherësh në këtë periudhë do të trajtohen edhe eksponatet e institucionit. Për krejt këtë ndërmarrje do t’i vendoset dryni Muzeut për një kohë jo të shkurtër.

Vjollca Aliu, zëvendësuese e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, ka thënë se projekti i miratuar në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në pjesën e fundit të vitit të kaluar, parashihet që të implementohet në tërësi. Sipas saj, kanë qenë në koordinim me Ministrinë e Kulturës që të iniciohet procedura e prokurimit edhe vitin e kaluar, por kjo nuk ka ndodhur.

“Projekti përfshin ndërhyrjen në tërë ndërtesën, depon, laboratorët, sallat ekspozuese, hapësirat e punës dhe oborrin e institucionit”, ka thënë ajo. Ka treguar se pjesa e jashtme e monumentit do të ruhet ashtu siç është. “Pjesa ku është sigurimi, aktualisht do të pësojë një ndryshim në formë, por e ruan funksionin primar”, ka thënë ajo.

Procedura e prokurimit është hapur të enjten. Nëpërmjet kësaj procedure Ministria e Kulturës planifikon të angazhojë kompani e cila merr përsipër për të implementuar dy projekte: Ndërhyrjen në Teatrin Kombëtar të Kosovës me kosto të parashikuar 7 milionë euro dhe ndërhyrjen në ndërtesën e Muzeut me kosto të parashikuar 3 milionë euro. MKRS-ja, sipas tenderit të shpallur, ka bërë gati 10 milionë e 70 mijë euro për këto dy restaurime.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nëpërmjet një njoftimi në profilin e tij në Facebook ka bërë të ditur se do të ketë edhe rikonceptim ekspozitash.

“Muzeu Kombëtar i Kosovës do t’i nënshtrohet restaurimit të përgjithshëm, me fokus në konsolidimin e kushteve të depos. Vlera që kemi ndarë për këtë ndërhyrje kapitale është tre milionë euro. Krahas restaurimit, gjatë periudhës sa Muzeu do të qëndrojë i mbyllur, do të bëhen edhe rikonceptimi dhe përditësimi i ekspozitave të përhershme”, ka shkruar Çeku.

Zëvendësuesja e drejtorit të MKK-së, Vjollca Aliu, ka thënë se shpresojnë që të mos ketë vonesa dhe punimet të nisin sa më shpejt, në mënyrë që siç e parasheh thirrja për 18 muaj të zbatohet projekti.

“Muzeun kjo situatë e vendos në një pozicion të favorshëm dhe sfidues, pasi ne do të merremi me trajtimin e fondit muzeor. Sipas meje, janë dy procese të rëndësishme që e presin institucionin më të lartë muzeor në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit që vjen”, ka thënë ajo. MKRS-ja fillimisht kishte pasur idenë që fondi i institucionit të zhvendoset në një tjetër hapësirë gjatë punës. Por menaxhmenti i MKK-së e ka kundërshtuar këtë.

“Fondi do të trajtohet krejtësisht brenda ambienteve të Muzeut. Janë mbi 50 mijë eksponate. Ideja është të trajtohen, numërohen dhe regjistrohen”, ka thënë Aliu. MKK-ja ka pasur tentime të inventarizimit disa herë. Por këtij procesi nuk i është vendosur asnjëherë pika. Sipas Aliut do të ketë kurime të reja të ekspozitës së përhershme të MKK-së.

“Çështja e mbylljes së institucionit është diskutuar me Këshillin Drejtues dhe besoj që së shpejti do të dalim me një vendim. Do ta njoftojmë publikun për çdo hap gjithnjë në koordinim me Këshillin Drejtues e Ministrinë e Kulturës”, ka thënë ajo.

Muzeu me ekspozitë të përhershme, apo siç quhej asokohe ekspozitë bazë është bërë në shkurtin e vitit 2013. Shuma e investuar kishte kaluar 300 mijë euro. Ajo ekspozitë qe kritikuar goxha nga shumë profesionistë. Por drejtori i asokohshëm i MKK-së, Skënder Boshtrakaj, kishte thënë se edhe “Muzeu i Kosovës është Kosovë”.

“Muzeu i Kosovës i ka specifikat e veta. Muzeu i Kosovës është në Kosovë, ka stafin e Kosovës, eksponatet e Kosovës dhe Muzeu i Kosovës është Kosovë”, kishte thënë Boshtrakaj. Ekspozita në vetvete ka shumë probleme. Pos që është punuar nxitimthi, nuk është respektuar në përqindje të madhe as koncepti i punuar nga grupi punues, ku bënin pjesë Edi Shukriu, Gazmend Riza, Florina Jerliu, Bujar Demjaha, Agim Rudi, Arben Hajdari, Zanita Halimi, Milot Berisha, Elvis Shala, Skënder Boshtrakaj e Vjollca Aliu.

Kurse sa u përket ndërhyrjeve restauruese institucioni ka një histori të gjatë. Në periudhën prej vitit 2012 deri më 2015 në objekt janë shpenzuar afro 200 mijë. Që nga rinovimet e vitit 1983 në objektin e Muzeut Kombëtar të Kosovës nuk është ndërhyrë deri në vitin 2012, kur është shtruar dyshemeja dhe janë rregulluar tualetet. Kjo punë kishte zgjatur me muaj. Edhe atëherë kishte pësuar agjenda vjetore e këtij institucioni. “Euroing” nga Suhareka qe kompania e cila për 180 mijë euro kishte shtruar me granit të porositur nga Italia dyshemenë në të tri katet e Muzeut. E njëjta kompani fitoi edhe tenderin prej 10 mijë eurosh për rregullimin e tualeteve.

Në vitin 2015 një konsorcium “NBT-ING” dhe “As-ing” nga Suhareka kishte marrë përsipër atë që u quajt rinovim i tërësishëm për 230 mijë euro. Depotë nuk qenë prekur. Në dhjetor të atij viti ishte lidhur edhe anekskontrata në vlerë prej 22 mijë e 587 eurosh. Por nuk kishte përfunduar me kaq. Tre zyrtarë ministrorë dhe punëkryerësi, siç kishte raportuar gazeta, të mbledhur në një zyrë të MKRS-së, kishin vendosur që t’i jepnin punë shtesë në vlerë mbi 33 mijë eurosh konsorciumit të njëjtë. Të gjitha “procedurat” qenë zhvilluar midis tyre, qe nënshkruar marrëveshja pa u përfillur Ligji për prokurimin publik, pa kaluar kontrata nëpërmjet Komisionit rregullativ të prokurimit Publik dhe pa hapur thirrje publike për pranimin e ofertave. Skënder Boshtrakaj, asokohe drejtor i Muzeut të Kosovës, Gani Gashi, mbikëqyrës i punimeve, Vjollca Aliu, asokohe menaxhere e projektit, dhe Tahir Sopa, përfaqësues i kompanisë, janë ata që kishin vënë nënshkrimin në marrëveshjen e nënshkruar në tetor të 2016-s, në mbledhjen e mbajtur në zyrën e Vjollca Aliut, ku i pranishëm kishte qenë edhe Burim Reçica, asokohe drejtor i Zyrës së prokurimit në MKRS. Marrëveshja titullohej “Raport i ndryshimit të pozicioneve në projektin ‘Rinovimi i godinës së Muzeut të Kosovës’” dhe sipas saj për shkak të nevojave të domosdoshme dhe mosparashikimit të disa punimeve në projekt, paramasë e parallogari, me kërkesën e drejtorit të Muzeut ishte “marrë vendim që të punoheshin disa pozicione të paparapara në projekt, si dhe të bëheshin disa ndryshime brenda paramasës dhe parallogarisë së projektit me qëllim të funksionalizimit të projektit”. MKRS-ja e kishte kundërshtuar këtë pagesë nëpërmjet një shkrese drejtuar Thesarit të shtetit. Por Ministria e Financave kishte bërë pagesën. Krejt investimet e bëra pas luftës së fundit, veç në ndërtesë dhe ekspozitën e përhershme, pa përfshirë projektet vjetore, kapin shifrën e mbi 770 mijë eurove. Tash është radha e tre milionë të tjerave.

Hapet thirrja për implementimin e projektit shtatëmilionësh në Teatër

Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen publike për të gjetur punëkryerës që implementon projektin e restaurimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Prej së enjtes kërkohet kompani që këtë punë do ta kryejë për një shumë deri në shtatë milionë euro, aq sa është edhe kostoja e paraparë për implementimin e projektit. Por nëpërmjet të njëjtit tender MKRS-ja kërkon që po e njëjta kompani të marrë përsipër edhe restaurimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës në vlerë prej tre milionë eurosh.

Në fillim të kësaj jave, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i ka hapur rrugë procesit të realizimit të projektit për restaurimin e përgjithshëm të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Pas projektit ideor, IKMM-ja një herë e kishte kthyer zbatuesin për plotësime.

Vlera prej 5.4 milionë eurosh si parallogari – e projektit detaj që ishte kthyer nga IKMM-ja për plotësime – qe konsideruar vlerësim me “shkarje të vogla”.

Në bazë të asaj që është prezantuar, projekti i detajizuar nuk e tejkalon atë ideor sa i përket pamjes që do të ketë ndërtesa. Projekti i hartuar nga profesorët universitarë të Fakultetit të Arkitekturës, atij të Ndërtimtarisë, Inxhinierisë Elektrike dhe Inxhinierisë Mekanike ruan formën aktuale të ndërtesës së viteve ’40 të shekullit të kaluar. Shtesa janë bërë nga prapa në një aneks të shtuar në vitet ’80. Arkitektura e re e bazuar në nevojat e institucionit nuk tejkalon pikën më të lartë aktuale të monumentit.