Kulturë

Trazimi i Amerikës

Demokracia më e madhe e botës, shtëpia e Shtatores së Lirisë, është tronditur nga mësymja, së cilës edhe vetë presidenti i zgjedhur e opinionistët më të rëndësishëm amerikanë i janë referuar me shprehje, si kryengritje, terrorizëm vendor apo përpjekje për grusht shtet. Vullkani i bandave të shfrenuara shpërtheu pas nxitjes së presidentit kundërthënës, Donald Trump. Por cili qe paralajmërimi profetik nga Ballkani qysh në shkurtin e 2016-s dhe çfarë jehone pati edhe në Kosovë imazhi i fundit që dha SHBA-ja? Për dikë ishte një ngjarje e paralajmëruar kaherë, e për të tjerë mësim nga zemra e demokracisë

Bota i ka folur ditëve të fundit Amerikës me gjuhën që Shtetet e Bashkuara u janë drejtuar për dekada me radhë diktaturave e autokracive. Kongresi, zemra e demokracisë amerikane, është përgjakur derisa kongresistët u detyruan ta shtynin seancën e ndërprerë të certifikimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, për në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes. Demokracia më e madhe e botës, shtëpia e Shtatores së Lirisë, është tronditur nga mësymja, së cilës edhe vetë presidenti i zgjedhur e opinionistët më të rëndësishëm amerikanë i janë referuar me shprehje, si kryengritje, terrorizëm vendor apo përpjekje për grusht shtet. Vullkani i bandave të shfrenuara shpërtheu pas nxitjes së presidentit kundërthënës, Donald Trump, i cili disa orë para dështimit të krejt agjencive të sigurisë iu drejtua mbështetësve radikalë me fjalët “dilni atje” e “çartuni”.

Dhe kur superfuqia më e madhe botërore dorëzohet para presidentit “vdekjeprurës”, sikurse iu referua Nancy Pelosi, liderja e shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, atëherë shtanget bota mbarë. Në Amerikën e polarizuar politikisht si rrallëherë në historinë e saj, liderët demokratë e republikanë, të shtyrë nga frika e rrëshqitjes së mbarë vendit në kaos, u bashkuan më në fund në thirrjen që Trumpi të tërhiqte bandat që vranë edhe policë pak minuta pasi para shkallëve të Kongresit lëshuan pëllumba në emër të mbrojtjes së lirisë. Trumpi nuk ia doli ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve, por ende përbën rrezik.

Paralajmërimi profetik nga Ballkani

Penny Allison, mbështetëse e Trumpit, i tha gazetarit të Televizionit CNN para Kongresit se nuk është dashur të ndalej mësymja.

“Është dashur të hynim brenda dhe t’i nxirrnim senatorët për flokësh jashtë”, tha ajo pasi forcat e rendit i nxorën mbështetësit e presidentit nga objektet e legjislativit amerikan.

Todd Possett, një tjetër pjesëmarrës në kaosin e shkaktuar në dhomat e Kongresit Amerikan derisa po certifikohej Bideni president, tha se ndihej “100 për qind krenar” me krejt çfarë ndodhi në atë që shumëkush e ka konsideruar si një prej momenteve më të turpshme në historinë e politikës amerikane. Me të njëjtën gjuhë, si rrallëherë, folën edhe miqtë e armiqtë e Amerikës.

Vullkani i bandave të shfrenuara shpërtheu pas nxitjes së presidentit kundërthënës, Donald Trump, i cili disa orë para dështimit të krejt agjencive të sigurisë iu drejtua mbështetësve radikalë me fjalët “dilni atje” e “çartuni”

Nga Ballkani, ku Amerika urrehet e pëlqehet skajshmërisht, është shkrimtari Aleksandar Hemon, i cili do të alarmonte kundër Trumpit kandidat për president në pranverën e vitit 2016, kur ende s’e kishte marrë izën e republikanëve. Pranvera është stinë e zhvillimeve të përgjakshme në historinë e gadishullit, ku fqinjët ende nuk ia njohin njëri-tjetrit shtetësinë e historinë.

Në 29 shkurtin e 2016-s, Hemon, shkrimtar boshnjak që kishte mbuluar si gazetar i ri ngritjen e nacionalistëve në ish-Jugosllavi, i paralajmëronte amerikanët në “Rollingstone” në opinionin e titulluar: “Trumpi: Rrugës së kriminelit të luftës”.

“Mos lejoni t’iu kalojnë pa u vërejtur kërcënimet vrastare të Donaldit – kështu ua kthejnë madhështinë shteteve të tyre nacionalistët dhe racistët e shfrenuar”, alarmonte që në nëntitull Hemon, i cili i referohej një interviste të ish-liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel, në të cilën ai fliste me kënaqësi për vrasjet e pastajme në Jugosllavinë e shpërbërë përgjakshëm pas luftërave të nisura nga Serbia.

Njësiti i tij po luftonte në Kroaci. “Shesheli është aleat i natyrshëm i Trumpit, meqë i përket të njëjtit fis botëror të nacionalistëve e racistëve të tërbuar”, shkruante Hemon, i cili jeton në SHBA, disa muaj para se magnati i kthyer në politikan do të merrte drejtimin e shtëpisë më të pushtetshme të botës.

Nga Ballkani, ku Amerika urrehet e pëlqehet skajshmërisht, është shkrimtari Aleksandar Hemon, i cili do të alarmonte kundër Trumpit kandidat për president në pranverën e vitit 2016, kur ende s’e kishte marrë izën e republikanëve

Kolumnisti i rregullt i “Kohës Ditore”, Enver Robelli, e shpërndau në “Facebook” në natën e kaosit një tjetër shkrim të Hemonit, botuar më 2 maj 2020 në “TheInetercept”, titulluar “Nacionalizmi i Trumpit avancon në një trajektore të parashikueshme drejt dhunës. Mbështetësit e tij do të vrasin kur t’iu thuhet”.

“Disa e quanin alarmant. Por ky shkrim i tij nga maji i vitit të kaluar është profetik!” – shkroi Robelli.

“Ata që e mbijetuan shpërbërjen e përgjakshme nga Jugosllavia panë se nacionalizmin shkatërrues mund të nxjerrë fundin. Është e vështirë të mos shqetësohesh shkaku i simptomave të tij”, po alarmonte me këmbëngulje Hemoni.

“Në rininë time të pasherr, e konsideroja etjen vrastare të Sheshelit si patologjike, për të mos thënë argëtuese ose punë budallallëku. Por kjo puna e argëtimit u pa se nuk ishte shaka kur lufta shpërtheu gjithandej nëpër Bosnjë, vendlindja ime, ku besnikët e Sheshelit ishin të etur të prisnin fytin e boshnjakëve myslimanë”, shkruante shkrimtari në opinionin e vitit 2016.

Politika e “argëtimit”

Ardhja e Trumpit nga bota e patundshmërive dhe e shoubizit në majën e pushtetit të botës po atë vit të kujton esenë që në shtatorin e 2016-s – kur Trumpi veçse kish marrë mbështetjen republikane për kandidaturën presidenciale – do ta botonte nobelisti peruan Mario Vargas Llosa në “Lithub”. Në esenë e gjatë, “Si e mbyti argëtimi global letërsinë”, Llosa shkruante, ndër të tjera, se ndryshimi “ndërmjet kulturës të së kaluarës dhe argëtimit të sotëm është se produktet e së kaluarës mundoheshin të transcendoheshin në një të tanishme të dukshme, për t’i mbajtur gjallë gjeneratat e ardhshme, përderisa produktet e kulturës së tanishme prodhohen për t’u konsumuar vazhdimisht dhe për t’u zhdukur para syve, si puna e tortës ose e kokoshkave”, shkroi Llosa, i cili më 1990 humbi në garën për president të Perusë.

Trumpi i katapultuar nga bota e spektaklit televiziv ia doli të fitonte besimin e shumicës së votuesve amerikanë në kohën kur Amerika e paskrizës financiare nuk e kishte fuqinë që i karakterizoi presidencat e George H.W. Bush, Bill Clinton dhe George W. Bush, të cilët strategu i politikës së jashtme amerikane, Zbigniew Brzezinski, në librin “Mundësia e dytë: Tre presidentët dhe kriza e superfuqisë amerikanë” i quante “liderët e parë botërorë”.

Trumpi i katapultuar nga bota e spektaklit televiziv ia doli të fitonte besimin e shumicës së votuesve amerikanë në kohën kur Amerika e paskrizës financiare nuk e kishte fuqinë që i karakterizoi presidencat e George H.W. Bush, Bill Clinton dhe George W. Bush

Trumpi po “argëtonte” turmat e mbështetësve republikanë me gjuhën krejt jokonvencionale. Shprehja “trumpslation” zinte edhe titujt e mediave që tematizonin sfidën e përkthimit të deklaratave kundërthënëse të republikanit nga redaksitë e lajmeve ndërkombëtare të mediave të shteteve të ndryshme anembanë botës. Por Trumpi po vazhdonte në të tijën, duke sajuar lajme që linin në hije edhe përkthimet e përshtatjet në gjuhë të ndryshme. “Birtherism”, u bë shprehja që përmblidhte pretendimin e vazhdueshëm të Trumpit se presidenti pararendës, Barack Obama, nuk ishte lindur në Shtetet e Bashkuara.

Vetë Obama, teksa shtjellon çështjen e certifikatës së lindjes, e pranon në librin “A promised land” se Trumpi ishte spektakolar, dhe se “kjo ishte një formë pushteti” në Shtetet e Bashkuara.

Çmimi i “madhështisë”

Image

Me sloganet “Së pari Amerika” dhe “T’ia kthejmë Amerikës madhështinë”, Trumpi po përlante këdo që i dilte para. Me Amerikën që po mundohej të merrte veten pas krizës financiare të vitit 2008 dhe me amerikanët të zhgënjyer thellë me establishmentin politik, ai ia doli ta kthente frikën e votuesve në armë personale. Afër vetes kishte edhe një ushtri strategësh që mbështesnin nacionalizmin e supremacinë e bardhë amerikane pas dy mandatesh të Obamas, presidentit të parë me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara. Kritikët i ktheheshin historisë kur alarmonin për ngritjen e fuqisë së grupeve të së djathtës ekstreme në vendin që josh talentet e botës me “Ëndrrën amerikane”.

Trumpi e vazhdoi avazin e vjetër edhe në presidencialet e vjetme. Polarizimi në shoqërinë amerikane po thellohej edhe më shumë. Presidenti po mundohej ta kthente populizmin përsëri në përparësi, pasi keqmenaxhimi i pandemisë së koronavirusit ia çoi në fund të pusit të gjitha shifrat rekorde të shkallës së ulët të papunësisë. Para “virusit kinez”, sikurse i referohej, ishte fort i bindur se do të fitonte edhe mandatin e dytë.

“Ndër të papriturat më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është zgjimi i populizmit të zemëruar, shenjë jo e mirë për kriterin e jetesës”, shkruan Rushir Charma në librin “Ngritja dhe rënia e kombeve”, teksa analizon gjendjen ekonomike dhe ndikimin e saj në politikën amerikane.

Betejën më të madhe Trumpi e pati me mediat tradicionale amerikane, duke i akuzuar për lajme të rreme, ani pse diskursi i tij edhe si president i shtyri që t’ia dokumentonin të gjitha deklarimet e rrejshme të vetë atij

Në “Si vdesin demokracitë: E ardhmja jonë, rrëfyer nga historia”, autorët Steven Levitsky e Daniel Ziblatt kujtojnë në kapitullin “Shpleksja” se si historiani Richard Hofstadter më 1964 në esenë “Stili paranojak në politikën amerikane” përshkruante fenomenin e gjendjes së ankthit. “Autori beson se ka shumë gjasa që ky fenomen të vihet re kur statusi social, identiteti dhe ndjenja e përkatësisë së grupit, perceptohen si në rrezik, a nën kërcënimin për ekzistencë”, i referohen ata.

Trumpi ashpërsoi gjuhën duke iu referuar rivalëve e mediave të pavarura si armiq në kohën e polarizimit të thellë politik.

Levitsky e Ziblatt thonë se gjuha e luftës gjithmonë është tërheqëse tek ata që ekziston frika e një humbjeje të madhe.

“Por lufta gjithmonë ka çmimin e saj”, shkruhet në faqe 199, duke kritikuar edhe liderët republikanë që e panë si të dobishme qasjen krejt jokonvencionale të Trumpit për të ruajtur pushtetin.

Trumpi, betejën më të madhe e pati me mediat tradicionale amerikane, duke i akuzuar për lajme të rreme, ani pse diskursi i tij edhe si president i shtyri që t’ia dokumentonin të gjitha deklarimet e rrejshme të vetë atij.

“Njësoj si Alberto Fujimori, Hugo Chavez dhe Recep Tayyip Erdogan edhe presidenti i ri i Amerikës e filloi mandatin me sulme të ashpra retorike kundër kundërshtarëve”, shkruajnë Ziblatt dhe Levistky në kapitullin “Trumpi kundër rojtarëve”.

“Privilegji i të bardhëve”

Lidershipi republikan është kritikuar pse më herët nuk i ndau rrugët me Trumpin. E jo para natës së përgjakshme të 6 janarit në Kongres, kur dihej se kryezoti i Shtëpisë së Bardhë ishte “presidenti më i paparashikueshëm” në historinë amerikane, sikurse iu referuan shumë analistë.

Dhe vetëm kur mbështetësit e Trumpit nisën të futeshin dhunshëm në Capitol, disa prej kongresistëve republikanë hoqën dorë prej përpjekjes së fundit për ta përmbytur fitoren e presidentit Biden, edhe pse të gjitha paditë e Trumpit u hodhën poshtë si të pabaza nga gjykata të ndryshme në mbarë vendin.

Lindita Camaj, profesoreshë në Universitetin e Houstonit, gjatë një interviste në emisionin “Express” të KTV-së, ka ngritur dilemën se si agjencitë amerikane të sigurisë të mos kishin informacione se “trazuesit” do të hynin të armatosur në ndërtesën e Kongresit.

“Këto trazira nuk kanë qenë befasuese, ndoshta përmasa ka qenë befasuese, por janë pritur trazira. Kanë qarkulluar shumë komente nga e djathta ekstreme, në mënyrë të hapur kanë thënë se do të mblidhen. Nuk ka qenë një gjë e panjohur se mund të ketë trazira, prandaj pyetja është si është e mundur të mos kenë qenë më të siguruar, ndërtesa e Capitolit të mos jetë më e siguruar”, tha ajo.

Zyrtarët e sigurisë në Kongres thanë “se nuk kishin sugjerime se si duhej të vepronin”. Kritikët e ashpër të administrates së Trumpit fajësuan edhe atë që e quajtën “privilegji i të bardhëve”, duke pasur parasysh dhunën policore kundër afro-amerikanëve.

“Grusht shtet” apo “performancë”

Në mediat amerikane po debatohet nëse mësymja e nxitur nga Trumpi ishte apo jo grusht shtet. Profesori i shkencave politike në Universitetin e Massachusettsit në Amherst, Paul Musgrave, ka kujtuar në revistën “Foreign Policy” se as gjatë kohës së Luftës Civile nuk ishte shtyrë mbajtja e zgjedhjeve, seanca e certifikimit ose bartja e pushtetit presidencial.

“Momenti me të cilin po përballemi si amerikanë, me fjalë të tjera, krahasohet më shumë me grusht shtetin e gushtit të vitit 1991 për ta rrëzuar presidentin Mikhail Gorbachev nga drejtimi i Bashkimit Sovjetik ose përplasja e armatosur e vitit 1993 ndërmjet presidentit Boris Yeltsin dhe legjislaturës ruse”, ka shkruar Musgrave.

Në mediat amerikane po debatohet nëse mësymja e nxitur nga Trumpi ishte apo jo grusht shtet

Një pikëpamje të ngjashme ka shprehur edhe kolumnisti i rregullt i “The New York Times”, Nicholas Kristof, në opinionin “Presidenti i nxiti trazuesit”. Edhe ai ka kujtuar puçet që i kishte mbuluar si gazetar në pjesë të ndryshme të botës.

“Sikurse thashë, kam mbuluar përpjekje tjera për grusht shtet, dhe historia zakonisht ua tregon vendin autokratëve dhe rrugaçëve – eventualisht. Ata përfundojnë në burg, në ekzil ose të poshtëruar, duke rënkuar për padrejtësinë e historisë, dhe në monumente të rreziqeve të demagogjisë dhe autoritarizmit”, shkruan Kristof.

Camaj mendon se nuk ishte përpjekje për puç. Duke marrë shkas nga postimet e kyçjet e banditëve në internet në kohë reale, më shumë e sheh si rast për promovim të tyre në rrjete sociale.

“Ajo që e shoh çka ka ndodhur është politikë performuese më shumë sesa një rrezik që të bëhet një grusht shtet apo sukses për grusht shtet, sepse kjo nuk mund të ndodhë kur nuk ka mbështetje të madhe politike”, tha ajo. “Në momentin kur dhunshëm kanë hyrë, ajo që kanë bërë është që ata kanë bërë selfie, të hyjnë live dhe të krijojnë përmbajtje për rrjete sociale”.

Gjatë intervistave në CNN, sulmuesit kanë thënë para Kongresit se po kryenin “detyrën patriotike” dhe se mbronin “lirinë e amerikanëve”. Rene Pappy ka refuzuar t’i quajë “skena të dhunshme”, sikurse iu është referuar gazetari i televizionin CNN. “Nuk ka dhunë. E ke gabim. Nuk ka pasur dhunë”, ia ka kthyer Pappy.

Kolumnisti i gazetës “New York Times”, Bret Stephens, ka bërë thirrje që Trumpi të shkarkohet e të dënohet menjëherë. Një thirrje të ngjashme nëpërmjet një opinioni e kanë bërë edhe profesorët e së drejtës, David Lundau dhe Rosalind Dixon në komentin “Pse Trumpi duhet të rrëzohet dhe të diskualifikohet nga posti publik”.

“Trumpi është shumë i rrezikshëm që të lihet në detyrë edhe një minutë më tepër”, ka shkruar Stephens, duke vlerësuar se Trumpi është “burri që ia futi flakën fabrikës së republikës tonë kushtetuese”. Ai u ka kërkuar senatorëve e përfaqësuesve të Kongresit që menjëherë pas certifikimit të Bidenit të mblidhen përsëri “për ta shkarkuar dhe pastaj rrëzuar (Trumpin) nga detyra dhe për t’ia ndaluar përjetësisht garimin në zgjedhje”.

Mbisundimi i demokracisë

Avni Spahiu, ish-ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se pas trazirave të fundit që u shkaktuar në SHBA, ky shtet dha një provim të rëndësishëm, duke mos lejuar rënien e demokracisë.

Në “Express Intervistën” në KTV, duke komentuar hyrjen e protestuesve pro-Trump brenda Kongresit, Spahiu ka thënë se po të binte demokracia në SHBA pasojat do të ndiheshin në të gjithë botën. Ai ka vlerësuar lart zgjedhjen që bënë autoritetet e sigurisë, duke mos iu përgjigjur protestuesve me dhunë, megjithëse edhe vetë Bideni e ka quajtur “të papranueshëm” mosreagimin e forcave të sigurisë para Kongresit krahasuar me shtypjen e dhunshme të protestave paqësore të lëvizjes për barazi racore e shoqërore, “Black Lives Matter”.

“Ka pasur cenim të demokracisë. I është bërë dëm i madh, madje edhe Partisë Republikane nga ku vjen vetë presidenti Trump”, ka thënë Spahiu, dhe ka shtuar se megjithatë “Amerika dha provim të rëndësishëm pasi s’lejoi që demokracia të binte e të krijohej precedent që do të kishte pasoja edhe globalisht”.

“Trumpi është shumë i rrezikshëm që të lihet në detyrë edhe një minutë më tepër”

“Do të jetë mësim për Amerikën, sepse është parë si diçka që demokracia është e pacenueshme, që ka themele të forta që nuk mund të lëkunden. Por këto dëshmuan se edhe demokracitë e forta janë të lëndueshme e mund të pësojnë keq. Pjekuria e një demokracie është pranimi i rezultateve. Në rajon, kemi pasur probleme të tilla, kur partitë që humbin refuzojnë të pranojnë rezultatin. Ky është shkaku i të gjitha problemeve. Pjekuria është pranimi i zgjedhjeve. Shembulli në Amerikë e dëshmon këtë”, ka shtuar ai.

“Ata provuan ta shkatërrojnë demokracinë tonë”, deklaroi lideri i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, pasi e kuptoi se vendi rrezikonte të rrëshqiste në kaos. “Nuk ia dolën. Nuk ia dolën”.

Por bota me sytë katër kah Amerika, në ankth po numëron ditët e fundit të Trumpit “të paparashikueshëm” në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Brzezinski e mbyll “Shancin e dytë....” me vlerësimin se është thelbësore që pas krizës financiare të vitit 2008, SHBA-ja të arrijë sukses më të madh se i pari, “sepse nuk do të ketë një të tretë”.

Trumpi e uli përtokë imazhin e Amerikës në sytë e botës. Por bota demokratike e sheh Bidenin mundësi për ndryshim në SHBA dhe për kthim të fuqishëm të Amerikës në skenën ndërkombëtare, si model i qeverisjes së llogaridhënies dhe zgjidhjes së krizave botërore me përfshirje të aleatëve.