Kulturë

“Tony Blairi” i Ferizajt kritikohet e përqeshet deri në Britani

Shtatorja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair në sheshin me emrin e tij në Ferizaj, e inauguruar të mërkurën e 12 qershorit

Shtatorja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair në sheshin me emrin e tij në Ferizaj, e inauguruar të mërkurën e 12 qershorit

E inauguruar në Ditën e Çlirimit, shtatorja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair në Ferizaj ka kapërcyer kufijtë e Kosovës, duke zënë vend edhe në mediat e huaja, sipas të cilave, britanikët dyshojnë se ajo është shtatorja që e paraqet atë. Agon Qose, autor i shtatores dhe i 50 të tjerave nëpër Kosovë – të realizuar me porosi, pa konkurs, financuar me donacione e vendosur me leje të autoriteteve lokale – ka thënë se kritikat janë të pabaza tek i lidh edhe me fushatën zgjedhore në Britaninë e Madhe

Pa u bërë 24 orë prej inaugurimit, shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair në Ferizaj është bërë objekt kritikash e talljesh. E ato kanë mbërritur deri në Britani. Mediumi britanik “The Independent” ka shkruar se britanikët janë të bindur që shtatorja e Blairit në Kosovë paraqet aktorin australian, Jason Donovan. Shkas për këtë u bë postimi i ish-sekretari të Blairit, Alistair Campbell, i cili me njoftimin për shtatoren ka bërë thirrje që të votohen laburistët në zgjedhjet e 4 korrikut në Britani. Pasuan komentet që krejt këtë e shndërruan në situatë komike. 

“Komentuesit ishin të sigurt se ka ndodhur një gabim aty… Nuk mund t'u besonin syve të tyre në figurën e zbuluar dhe ishin të bindur se kishte ndodhur një gabim”, ka shkruar “The Independent”. Me të njëjtat kritika e satirë, raportoi edhe “Daily Mail”. 

“Në reagimin pas zbulimit të shtatores, shikuesit sy-shqiponjë në media sociale bënë shaka se statuja e Blair, 71 vjeç, dukej e ngjashme me ish-aktorin e ‘Neighbours’. Duke e krahasuar ish-kryeministrin me Jason Donovan, i cili u bë i famshëm nga viti 1985 deri në vitin 1989, një adhurues ka shkruar: ‘Përpara Kosovë në admirimin e Jason Donovanit!”, ka shkruar britanikja “Daily Mail”. 

Kritika për shtatoren e realizuar nga Agon Qosa ka pasur edhe në Kosovë, menjëherë pas zbulimit të saj, të mërkurën në 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës. 

Është vepër me porosi e realizuar me mjete donatorësh dhe e vendosur me leje të autoriteteve komunale. Nuk ka pasur konkurs për të. 

Për kritikat, Qosa ka thënë se nuk kanë të bëjnë me veprën e tij. Ka thënë se për të e ka përgëzuar edhe ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves. 

“Nuk kanë të bëjnë me realitetin a i përngjan apo nuk i përngjan. Edhe ambasadori që ka qëndruar shumë me të, ka thënë se Blairi është gëzuar kur ka dëgjuar dhe se ka thënë se do të donte të ishte aty, ta shihte. Për skulpturën jam bazuar në fotografi e video të Blairit, janë përzgjedhur ato më të vjetra, gjatë kontributit të tij në Kosovë”, ka thënë Qosa për KOHËN në një bisede telefonike. 

Situatën me veprën e tij e ka lidhur me fushatën zgjedhore në Britani. 

“Atje janë zgjedhjet dhe sekretari i partisë e ka postuar shtatoren dhe e ka lavdëruar për të treguar se për udhëheqësin e tyre kontribuojnë edhe shtetet tjera. Rivalët e tyre politikë atje kanë nisur ta komentojnë, e kanë gjetur një foto të përafërt të dikujt që nuk i përngjan aspak. Mediat tona, portalet e kanë marrë dhe e kanë bërë të madhe. Kam punuar në këtë shtatore për gjashtë muaj dalëngadalë. Është e përmasave rreth dy metra, sa madhësia e një njeriu normal dhe nuk ka shumë mundësi të shkojë përtej karakterit, proporcioneve”, ka thënë Qosa. Ai është autor i nja 50 shtatoreve anekënd Kosovës. Lista e tyre është e gjatë. Ndër to ajo e Adem Jasharit në Viti, e Nexhmije Pagarushës në Pagarushë të Malishevës. Më 2019 u shpall artist i vitit në Ferizaj në qershorin e vitit 2020, asokohe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ia dha çmimin “Mjeshtër i Merituar” me motivacionin: “Për punë të shquar profesionale në fushën e artit – skulpturës”. Ateleu i tij është përplot shtatore, boceta e modele turlifare. Të radhës, atë të Tony Blairit, ka thënë se e kishte nisur në nëntor të vitit të kaluar dhe e ka finalizuar më 10 qershor. Ka kushtuar 26 mijë euro dhe është nismë e fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair”. Qosa ka thënë se prej nëntorit janë mbledhur mjete për shtatoren të cilën ka treguar se me to është paguar vetëm materiali dhe të tjera shpenzime. 

Agon Qose në atelienë e tij 

“E kemi bërë një marrëveshje me shoqatën që janë nga Ferizaj, pasi edhe vetë jam nga Ferizaj, 26 mijë euro është paguar vetëm materiali dhe shpenzimet tjera. Ka qenë porosi e fondacionit ‘Ne kujtojmë Tony Blair’ që është nisur nga viti 2016. Prej nëntorit kanë nisur të mblidhen mjetet për këtë shtatore”, ka thënë Qosa, pronar i “atelesë së skulpturës monumentale, ‘Agon Qosa shpk’”, e cila sipas përshkrimit, është “operator ekonomik që merret me modelimin e busteve bocetave dhe shtatoreve skulpturale për monumente historike të bronzit”. 

Në ceremoninë e përurimit – ku kanë folur edhe kryetari i Ferizajt Agim Aliu e kryetari i PDK-së Memli Krasniqi – është lexuar një porosi e vetë Blairit sipas së cilës, ai shprehet i nderuar dhe se i vjen keq se nuk ka qenë i pranishëm, por është shprehur i vendosur që do ta vizitojë shtatoren e tij në Ferizaj. Ai ka qenë në Prishtinë më 10 qershor. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i dha gur kristali e takoi me pesë Toniblera kosovarë, në Kuvend mbajti fjalim, takoi edhe kryeministrin Albin Kurti. 

Bashkim Fazliu, drejtor i fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair”, në ceremoninë e inaugurimit të mërkurën kishte thënë se shtatorja e ish-kryeministrit britanik, është e vonshme. 

“Doja t’i kërkoja falje ish-kryeministrit Tony Blair për vonesën në ngritjen e shtatores së tij të merituar, tek 25 vjet pas luftës apo 15 vjet pas shtatores së presidentit Bill Clinton. Do të duhej të ishte të paktën që nga viti 2000. Njëherësh këtu qëndron edhe fuqia e kujtesës, ani pse duket vonë, tregon freskinë e kujtesës së popullit për figurën e tij dhe kontributin e jashtëzakonshëm”, kishte thënë ai. 
Por “Tony Blairi” i Ferizajt i shtohet serisë së shtatoreve që mbijnë pa kurrfarë rregulli e shumë prej tyre edhe pa konkurse a komisione përzgjedhëse. Skandal më vete qe shtatorja e Adem Jasharit në një qendër tregtare në Prizren e punuar prej frizerit nga Gjakova me gjashtë thasë çimento, rërë, poliester dhe ngjyra. U hoq prej aty shumë shpejt pas inaugurimit më 28 nëntor të vitit 2020. Po atë ditë u inaugurua edhe një shtatore e Skënderbeut në rrethrrotullim të qytetit. Ende është aty, ani pse atëkohë u kërkua të hiqej dhe njashtu sikurse ajo e Adem Jasharit u quajt fyese për heronjtë. Rast unik qe edhe shtatorja që një mërgimtar ia ngriti kryeministrit Albin Kurti në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Peran të Podujevës. 

Për shtatoren e Tony Blair dhe të tjera ka reaguar gazetari Enver Robelli, duke dhënë edhe disa propozime. E ka cilësuar shtatoren “punim katastrofal sa i përket anës artistike”, ngjashëm sikurse ajo e ish-presidentit amerikan Bill Clinton e të Ibrahim Rugovës. Ka thënë se janë fyese ndaj personaliteteve që pretendohet se po nderohen. 

“Jo, jo, jo, nuk po i nderoni, po i fyeni, po i pështyni! Drejt në fytyrë! Kosova po shndërrohet në një fabrikë përmendoresh qesharake, një film vizatimor absurd ku çdo i çmendur për të treguar gjenialitetin e vet të rrejshëm çohet skalit buste e përmendore që më shumë janë pështymë mbi çdo vlerë. Krim mbi historinë tonë. Krim mbi sakrificën. Krim mbi pamjen estetike. Krim mbi pamjen artistike”, ka shkruar Robelli në rrjete sociale. 

Robelli, kolumnist në KOHA, redaktor në gazetën zvicerane “Tages-Anzeiger”, ka shkruar për propozimin e një ligji që ndalon ndërtimin e përmendoreve pa miratimin e një komisioni të përbërë prej profesionistësh derisa ka përmendur talljen me përmendoren në Ferizaj. 

“Mediat ndërkombëtare janë tallur qëmoti me shumicën e përmendoreve të Kosovës. Tash edhe shtypi britanik bën hajgare me Tony Blairin e Ferizajt. A ka vërtet një deputete, një deputet që del e thotë: do të luftoj për një ligj që lufton këtë fushatë primitive të përmendorizimit të Kosovës me gjysmagjela? Ky turbofolk duhet të marrë fund. Sa vota i merr në zgjedhjet e ardhshme Partia Kundër Përmendoreve Qesharake?”, ka shkruar ai në reagim. 

Tony Blairi me shtatoren e Ferizajt shfaqet me dorën lart si shenjë përshëndetjeje. Në bazamentin prej rreth 60 centimetrash mban thënien e Albert Einstein ku shkruhet: “Bota nuk do të shkatërrohet nga njerëzit që bëjnë keq, por nga ata të cilët i shikojnë dhe nuk bëjnë asgjë”.