Njashtu sikurse në Teatrin e Ferizajt javën e kaluar nën regji të Gjorgji Rizeskit, edhe në Gjilan “Togeri i Inishmorit” nën regji të Shkelzen Berishës vjen me të njëjtën dozë dhune, por me më shumë humor të zi, përderisa misioni mbetet i njëjtë: të dekonstruktojë njeriun e dhunshëm. Ngjarja në ishullin irlandez zhvendoset në realitetin e Kosovës. Kalimthi godet edhe diskursin publik e atë politik
Të shtëna revolesh, gjak dhe të qeshura është trinomi me të cilin përballet publiku përreth një orë e gjysmë. Komedia e zezë është krejt korb te “Togeri nga Inishmori” e Gjilanit. Edhe Ferizaj e ka një të tillë. Brenda javës është dhënë premierë si produksion më vete në të dyja teatrot e qyteteve.
Komedia e dramaturgut britaniko-irlandez, Martin Faranan McDonagh, është brutale. Sjell një lloj çmendurie të njeriut përballë çdo gjëje. Duket se buron nga kërkimi i lirisë, por deri diku edhe asaj – lirisë – do t’i humbiste kuptimi kur fitohet nga personazhet që luftojnë për të. Përderisa drama e fillimit të këtij shekulli është satirë ekstreme me nacionalistët irlandezë, këtu vjen në realitetin e Kosovës që dhunën e ka provuar në masë para pak më shumë se dy dekadash.
Filli i dhunës është vrasja e një maçoku. I takon personazhit më famëkeq të shfaqjes. Nën regji të Shkelzen Berishës, premiera e dhënë në Gjilan të martën mbrëma bashkon dhunën, satirën, hipokrizinë e çka jo tjetër. Duket të jetë punuar mbi maksimën “Dhuna ndalet me dhunë”. Grupet që dhunojnë gjithçka që u del përpara në emër të kërkimit të lirisë, janë të pamëshirshme. Sidomos ndërmjet vete. Për autorin e shfaqjes kësisoj ka ndodhur nëpër Irlandë. Por edhe Ballkani njeh histori të tilla. Eliminimin e kundërshtarëve të një kauze të përbashkët ky rajon e ka të freskët. Edhe zënkat gjatë atyre proceseve, po ashtu. Të qeshurat që vijnë në shfaqje janë bash sikurse ato që plasin pasi tregohet ndonjë situatë fort primitive e ndonjë formacioni gueril ballkanik.

Por në ishullin irlandez vrasja e maçokut të zi është paralajmërim se gjaku do të kaplojë krejt rrethinën. Personazhi Padraic, që portretizohet nga Kushtrim Qerimi, është dhunues ordiner. Prej babait të tij e deri te shpërndarësit lokalë të ndonjë substance narkotike janë në hall prej tij. Kthehet në shtëpi shkaku i vrasjes së maces. Situata me të atin (Ali Demi) e fqinjin e tij që portretizohet nga Ernest Zymberi janë tejet qesharake. Do t’i vrasë që të dy. Detajet janë domethënëse dhe të shumta. Sa më qesharake që bëhen situatat, aq më të dhunshme rezultojnë.
Absurditeti shkon deri në masën sa për një maçok të ngordhur, katër veta përfundojnë të vrarë. Shfaqja zhvillohet paralelisht midis gjakut e situatave qesharake. Krisma e armëve që është e shpeshtë, duket reale. Revolverët me gaz e bëjnë këtë. E trupat e njerëzve që copëtohen mbushin hapësirën me gjak. Qëllimi mund të jetë që të shokohet një audiencë që i takon një populli fort impulsiv e goxha të dhunshëm. Por nja 20 minuta mangët – jo si kohë por si ngjarje – ndoshta do t’i bënin hair produktit final. Pesha e gjakut dallon varësisht nga numri i njerëzve të vrarë a të torturuar, por mbase mesazhi mbetet me të njëjtin efekt. Është stil klasik i trajtimit të shfaqjes me muzikë të Memli Kelmendit e skenografi të Bekim Korçës. Përderisa detajet janë ruajtur në mënyrë që armët të duken reale sa një pjesë e publikut t’i mbyllë veshët nga të shtënat, ta zëmë thonjtë e gjatë të një vajze revolucionare e guerile janë të tepërt. Por si pako dhune e komedie, shfaqja ruan formatin. Maçoku vritet nga guerilët e të njëjtit grup me pronarin që ai të kthehet në shtëpi për ta vrarë edhe atë. Dekonspirohet situata e treshja guerile vritet. Pronari, po ashtu, vritet nga e dashura e tij. Si histori mund të tregohet me tri fjalë, por shtresat i ka të shumta e mesazhet po ashtu.
Regjisori Shkelzen Berisha ka thënë se njihet me veprat e autorit të dramës qysh para dy dekadash dhe i ka përkthyer shumicën prej tyre.

“Kam jetuar një kohë në Britani të Madhe dhe historia e popullit irlandez ngjason shumë me tonën. Trajtimi që kam bërë lidhet me disa tema. Tema numër një, lloj dhune, që ne ndoshta për shkak që kemi kaluar një gjendje të luftës jo fort të largët, mendoj që e kemi ende diku dhunën në sipërfaqe. Do pak që të shfaqet ajo dhunë. E shohim këtë në trende politike, në militantizëm, por edhe në jetën e përditshme. Ndoshta ndonjëherë është mirë t’i trajtojmë këto tema, t’ia kujtojmë vetes se ajo nuk është zgjidhja”, ka thënë ai.
Sipas tij, e mira e krejt kësaj shfaqjeje është që të gjitha këto dukuri e fenomene negative trajtimi bëhen nëpërmjet humorit. Ka thënë se humori është ai që publikut ia kujton nganjëherë që të ndalet e të mendojë nëse rrugët e tilla të dhunës nuk janë zgjidhje.
“Ne nuk kemi hezituar ta shfaqim gjakun e makabritetin njerëzor. Jemi munduar ta gjejmë një lloj balance dhe një hapësirë midis balancës që publiku të ketë kohë të mendojë se si sillemi. Të ndalen në një moment dhe të kujtojnë se si impulsiviteti mund të çojë diku ku nuk ka kthim prapa”, ka thënë ai.
Ka sqaruar se pikëqasja ka qenë të thotë se ka diçka në shoqëritë tona që mund të përshkallëzojë.
“Duhet të ndalemi, të mendojmë e të debatojmë. Të gjejmë zgjidhje me njëri-tjetrin pavarësisht se kemi mendime të kundërta. Detyra e teatrit duhet të jetë kjo: të ngacmojë mendjet e imagjinatën e jo të fokusohet te ajo që e bën publikun të qeshë apo të qajë”, ka thënë ai. Ka mbrojtur versionin e shfaqjes edhe në kuptimin e kohës sa zgjat duke thënë se nuk duhet të matet ashtu dhe se në Britani të Madhe s’ka produksion teatror nën dy orë.
Aktorja Djellza Dema ka thënë se vëren që shoqëria është lodhur pak nga televizionet me gjëra dramatike.
“Ose disa po ankohet se ka shfaqje shumë artistike të cilat nuk mund t’i kuptojnë. Ne kemi dashur të bëjmë diçka që të ketë audiencë, komedi. Krejt e donë komedinë. Është një shfaqje që besoj që do të qëndrojë gjatë në repertor”, ka thënë ajo.
Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, ka thënë se bëhet fjalë për një shfaqje të formatit klasik në shkrim por edhe në koncept siç është aktualizuar duke e bërë atë komedi të një niveli më të afërt me publikun.
“Si produksion është shumë i nevojshëm, pasi kohëve të fundit Teatri i Gjilanit ka pasur disa drama radhazi në repertor dhe kjo shfaqje e pasuron repertorin tonë. Besoj shumë se do të ketë jetë të gjatë si shfaqje”, ka thënë ai.
“Togeri nga Inishmori” bashkon shumëçka. I bën vend mentalitetit të këtyre anëve. Por se sa do të mund të ndikojë tek ai, mbetet të shihet.