Kulturë

Tirana rrezikon të humbë një prej monumenteve kryesore

Një kompleks dykatësh që ndodhet në zemër të Tiranës është e fundit shenjë e një prej familjeve më të kamura të Shqipërisë, Toptanëve. Zjarri që e përshkoi atë në mesnatën e së martës po rezulton të jetë zjarrvënie e qëllimshme. Derisa ka shprehur vendosmëri kundër tjetërsimit të “Sarajeve të Toptanëve” në hapësirë për pallate, shpallja e tyre si “shtëpi- muze” është paralajmërimi i shtetit shqiptar për ngrehinën dykatëshe në qendër të kryeqytetit. E megjithatë lëndët e pazgjidhura gjyqësore mes 18 pronarëve ngjajnë jo fort optimiste për synimin e Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë së Ramës

Si zjarrëvënie e qëllimshme po cilësohet zjarri që ka përpirë mjediset e brendshme të ngrehinës historike në Tiranë të njohur si “Sarajet e Toptanëve”. Një person i paidentifikuar që largohet me vrap, i kapur nga kamerat e sigurisë, dyshohet të jetë i përfshirë në ngjarjen piromanike të orëve të vona të së hënës në kryeqytetin shqiptar.

Megjithëse ekipet zjarrfikëse kanë arritur t’i vënë menjëherë flakët nën kontroll, zjarri ka kapluar katin e parë dhe të dytë në pjesën ballore të ndërtesës që prej më shumë se dyzet vjetësh mban statusin e monumentit të kulturës. Ky rast ka mobilizuar autoritetet bashkiake, si dhe Ministrinë e Kulturës duke paralajmëruar edhe shpalljen e “Sarajeve” si shtëpi-muze.

Në një postim të afishuar në faqen e tij në Facebook, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë të ditur se të hënën mbrëma, rreth orës 23:49, Policia Bashkiake ka njoftuar sallën operative për zjarrëvenie pranë monumentit të kulturës.

“Në pak minuta, zjarrfikësit e Bashkisë së Tiranës kanë shuar zjarrin e qëllimtë në dy vatra”, ka shkruar Veliaj, i cili ka publikuar edhe pamje filmike të kamerave të sigurisë. “Për dallim nga shumë objekte, për të cilat bëhet zhurmë pa lidhje, si lodrat te Liqeni apo ngrehina e tallashit te Teatri Kombëtar, objekti ‘Sarajet’ është monument kulture”.

Kreu i Tiranës ka nënvizuar se dje, në stilin e shkollës “Kosova”, është tentuar të digjet objekti nga dritarja e pasme që “pronarët të ndalojnë shpronësimin”.

“Kamerat e sigurisë kanë kapur zjarrvënësin teksa largohet përballë ‘Torre Drin’, ndërkohë Policia e Shtetit po punon për ta çuar në pranga. Por, zjarrvënësit e vërtetë janë porositësit – edhe për këta nuk do të ketë mëshirë! Politikanë që ditën merakosen për lodrat, e natën ia vënë zjarrin qytetit”, ka shkruar Veliaj.

Ai, po ashtu, ka bërë me dije se në mesnatë ka biseduar me kryeministrin Edi Rama, i cili, sipas tij, ka dhënë autorizimin për shpronësimin e përshpejtuar të “Sarajeve”, si një nga aktet e para të Qeverisë se re.

“Ta harrojnë që aty do të ketë ndërtim, e ta harrojnë që aty do të ketë zjarr gjersa të bëhet shpronësimi. Nga sot ka nisur regjimi 24h rojë!”, ka vijuar Veliaj.

Kreu i Tiranës, në fund, ka paralajmëruar edhe hapat që do të merren për objektin në fjalë: shpronësim për 18 pronarët; shpallje e “shtëpisë-muze” njësoj si shtëpia e Zekatëve dhe Skëndulatëve në Gjirokastër, si dhe rikonstruksion e hapje për publikun.

Në të njëjtat vija është shprehur edhe Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, e cila ka mbështetur Bashkinë e Tiranës në nismën e saj për ta shndërruar këtë godinë në një objekt kulturor e publik, që ruan vlerat e tij unikale.

Nëpërmjet një adresimi në mediat sociale, ministrja Elva Margariti ka dënuar “aktin kriminal” ndaj trashëgimisë kulturore, derisa ka inkurajuar organet përgjegjëse për të zbardhur ngjarjen dhe të vënë përgjegjësit para përgjegjësisë.

“Që në orët e para të ditës së sotme nga ana e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë, është bërë kallëzimi pranë Komisariatit të Policisë, nr. 1, Tiranë, me dyshimin se bëhet fjalë për një zjarrëvënie të qëllimshme, për të zhvlerësuar godinën dhe tjetërsimin e funksionit të saj”, ka shkruar Margariti.

Sipas ministres së Kulturës, kjo godinë, që dikur kishte kryer edhe funksionin e Bibliotekës së parë Kombëtare, ishte pronë e shtetit deri në vitin 2000, kohë kur iu kthye ish-pronarëve të saj.

“Së fundmi Bashkia Tiranë kishte nisur procedurat e shpronësimit, për ta shndërruar në një institucion kulturor publik. Parë situatën e krijuar, godina do të shpronësohet me procedurë të përshpejtuar”, ka shkruar mes tjerash Margariti.

Por konfliktet e mosmarrëveshjet mes pronarëve të shumtë të objektit të ndërtuar nga familja e Toptanëve nuk kanë të mbaruar.

“Na kanë bllokuar në një proces që nga viti 1992 dhe kjo po bëhet me qëllim”, ka thënë për mediat tiranase Vjollca Shkreli, anëtare e një nga familjeve pronare.

Ndryshe “Sarajet e Toptanëve”, që ndodhen në rrugën “Alqi Kondi”, për vlerat e tyre arkitektonike e historike janë shpallur monument kulture, në kategorinë e parë, në vitin 1973.

Kjo ngrehinë është ndërtuar në dekadën e tretë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Duke qenë prej të paktave saraje feudale të ruajtura në Shqipëri, ato të Toptanëve përbëjnë një kompleks arkitektonik me mure, kopshte, puse, porta të mëdha dhe mjedise ndihmëse.

Me muret e gurta që e qarkojnë, sarajet kanë pamjen e një kështjelle të vogël. Sipas njohësve të arkitekturës, këto ndërtime, fort karakteristike për shtresën e feudalëve shqiptarë, u përhapën gjerësisht në trevën e Tiranës.

E ndërtuar nga mjeshtër dibranë, banesa dykatëshe është e vendosur mbi një parcelë të rrafshët, duke pasur pamjen ballore të drejtuar nga dielli. Banesa ka një sipërfaqe rreth 254 metra katrorë dhe një lartësi prej 12 metrash. Brenda saj ndodhet edhe një “hamamxhik” me përmasa të vogla, në hapësirën private të shtëpisë.