Me moton “Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh”, është hapur edicioni i 27-të i Panairit të Librit në Tiranë. Janë rreth 100 botues që prezantojnë ofertat e tyre, e gjatë pesë ditëve janë paralajmëruar mbi 100 veprimtari e 60 promovime
Për pesë ditë, Tirana është kryeqendra e librit shqip. Të mërkurën në Pallatin e Kongreseve është hapur edicioni i 27-të i Panairit të Librit. Rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, kanë zënë vendet e tyre me ofertën e botimeve.
“Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh” është motoja e këtij viti e Panairit, organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Është një ftesë për zbulim botësh nëpërmjet magjisë së librit. Gjatë këtyre ditëve, publiku mund të vizitojë stendat në një hapësirë prej një mijë e 500 metrash katrorë, të takohet me shkrimtarët e përkthyesit. Janë paralajmëruar mbi 100 veprimtari dhe 60 promovime.
Me ftesë për rikthim te libri e ka hapur fjalën e tij, Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.
“Nëse do të arrijmë ta fitojmë betejën me librin në shkollë dhe në familje, si dhe të kemi bibliotekat tona me sa më shumë libra, ne kemi fituar betejën e së ardhmes”, citohet të ketë thënë Ymeri.
Në hapje ka qenë e pranishme edhe ministrja e Arsimit dhe Sporteve e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu.
“Panairi i Librit është një platformë që reflekton identitetin tonë kulturor dhe historik. Jam e kënaqur që edhe këtë vit janë rreth 100 botues, por edhe autorë që vijnë me tituj librash të rinj”, citohet të ketë thënë ajo.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi, ka thënë se libri është pikënisje.
“Për të mundësuar të ardhmen e vendit, duhet patjetër ta filloni nga diku. Filloni duke lexuar një libër, sepse është kjo bota që ju hapet, bota e madhe e zhvillimit kulturor, social dhe ekonomik që do t’i ndodhë vendit dhe qytetit tonë”, ka thënë ajo.
Qindra lexues e veçanërisht fëmijë vizituan Panairin që në orët e para të hapjes së tij.
Siç është bërë dhe traditë tashmë, një juri e veçantë do t’i ndajë edhe çmimet e Panairit për veprat më të mira të vitit 2024. Këtë vit, juria është e përbërë nga: Anisa Ymeri, gazetare e kulturës, Ben Andoni, publicist e përkthyes, Ilir Baçi, përkthyes, Ledia Dushi, poete e përkthyese dhe Luli Sula, studiuese e letërsisë, pedagoge në Universitetin e Tiranës. Panairi zgjat deri të dielën.
“Libri na bashkon të gjithëve” ka qenë motoja e edicionit të vjetëm të Panairit. Edhe ky i sivjetmi vjen në kohën kur është ngritur alarmi jo vetëm për rënie të numrit të lexuesve, por edhe për krizën e botuesve.
Në fund të shtatorit, Shoqata e Botuesve Shqiptarë kishte alarmuar për rënien e numrit të përkthimeve letrare, duke theksuar se “Shqipërinë e lë pas edhe Kosova”. Kishte qenë kryetari i kësaj shoqate, Petrit Ymeri, i cili kishte bërë një deklaratë të tillë, duke nxjerrë në pah edhe shkaqet. Kishte thënë se me trefishimin e çmimeve të shtypshkronjave dhe kostove për botime, me një treg të vogël e buxhete të ulëta për librin “Shqipëria lihet pas edhe nga Kosova sa i takon numrit të veprave të përkthyera nga gjuhët e huaja në shqip”. Ymeri kishte qenë njëri prej panelistëve në takimin e organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit me Shoqatën e Përkthyesve Shqiptarë, të hënën me rastin e 30 shtatorit, Ditës Botërore të Përkthimit.
Ymeri ka thënë se mungojnë projektet shtetërore në mbështetje të përkthimeve, përderisa veprat e përkthimeve zënë më shumë se gjysmën e botimeve në shqip.
“Është kuptimplotë thënia e Umberto Ecos qe përkthimi është gjuha e Evropës. Përkthimet nga gjuhët e huaja në shqip zënë 50 deri në 60 për qind të vëllimit të botimeve. Edhe përkthyesit duhet t’i ngrenë këto probleme. Po flas kundër vetes, mos pranoni pagesa të ulëta, mbroni dinjitetin tuaj. Nuk kemi më projekte për përkthimet nga gjuhët e huaja në gjuhën shqipe, Ministria e Kulturës nuk e bën më këtë”, kishte thënë Ymeri nga Shoqata e Botuesve, e themeluar më 1992.