Kulturë

Tirana, “kryeqytet” i folklorit nga vendi e bota

Amfiteatri i Tiranës për tri net me radhë do të ndizet nga ngjyrat e artit dhe traditës. Me edicionin e parë, “International Folk Festival Tirana” synon të promovojë kulturën dhe folklorin e kryeqytetit shqiptar. Pos ansambleve nga tri shtetet shqiptare, aty do të performojnë edhe grupe nga rajoni dhe bota

Për tri ditë radhazi, Tirana do të bëhet “kryeqytet” edhe për ansamble vallesh nga rajoni e bota. Me edicionin e saj të parë, që po ia bën sefte, “International Folk Festival Tirana” (IFFT) do të mirëpresë qindra valltarë nga vendi, rajoni e bota.

Ansamble folklorike që mbrojnë ngjyrat e vendeve përkatëse do të shpalosin larushinë e kulturave dhe traditave të tyre përmes valleve, këngëve dhe muzikës.

I menduar si festival me karakter garues, IFFT është organizuar nga shoqata “FIDAF Albania”, e cila është pjesë e Federatës Botërore të Valleve.

Siç ka bërë me dije ditë më parë, Gëzim Alimehmeti, organizator i këtij festivali, në këtë edicion do të marrin pjesë ansamble nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja, Bullgaria, Polonia, Meksika dhe Kameruni.

Kështu, prej së enjtes deri të shtunën, Amfiteatri i Tiranës do të ndizet nga ngjyrat e artit dhe traditës.

Me mbrëmjet që fillojnë nga ora 20:00, sipari hapet me performimin e pesë ansambleve amatore nga Shqipëria.

Ndërkaq, vendi nikoqir do të jetë i përfaqësuar me trupën profesioniste të ansamblit folklorik “Tirana”. I gjithë organizimi bëhet në kuadër të planit të shpalosur ditë më parë nga Bashkia e Tiranës për sezonin e sivjetmë turistik. Me qëllimin të promovimit të vlerave folklorike e historike të kryeqytetit shqiptar, festivali synon t’i nxisë turistët e huaj për t’ia mësyrë Tiranës.

Sipas organizatorëve, nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë, ky festival do të shërbejë njëkohësisht edhe si promovues i vlerave të vendeve pjesëmarrëse.