Thesari arkeologjik, Mozaiku i Tiranës, po merr jetë falë ndërhyrjes restauruese për ta sjellë sërish në vëmendje të vizitorëve.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, duke shpërndarë imazhe nga restaurimi i këtij mozaiku, ka thënë se ai mëson të shndërrohet në atraksion të kryeqytetit.
Mozaiku i Tiranës daton që prej shekullit III dhe është zbuluar në vitet ’70 nga ndërtimet e një blloku pallatesh.
“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka ndërhyrë për ta mbajtur të gjallë këtë monument kulturor, ku aktualisht janë drejt përfundimit ndërhyrjet e fundit të objektit, organizimi është i tillë që të mos cenojë në asnjë moment gjendjen dhe jetëgjatësinë e objekteve arkeologjike”, ka shkruar ministri Gonxhja.
Sipas tij, shumë shpejt dyert do të jenë të hapura për të gjithë vizitorët, për t’u njohur me një copëz historie, aty ku dikur ka qenë një vilë romake, me kultura e tradita të asaj kohe.
“Kjo godinë, përpos historikut të saj, do të shërbejë si pikë informacioni vizual për të gjithë mozaikët që mbart nëntoka e pasur arkeologjike shqiptare”, ka thënë ai.
Ndryshe, siti arkeologjik – i njohur konvencionalisht si “Mozaiku i Tiranës” – doli në dritë më 1972 gjatë punimeve për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani”, në lagjen nr. 9 të Tiranës. Gjatë gërmimeve, në ato që u identifikuan si mbijetojat e një ndërtese antike, arkeologët e kohës zbuluan se mjediset ishin të shtruara me mozaikë, por edhe u konstatuan gjurmët e një bazilike paleokristiane.
Sipas informacioneve të afishuara në faqen e Institutit të Monumenteve të Kulturës, pjesët e mureve, fragmentet e tullave, copëzat e enëve qeramike dhe mozaiku datojnë nga shekulli i parë i erës sonë, si një banesë e tipit rural (“vila rustica”).
Po sipas arkeologëve, dy shekuj më vonë, vendbanimi në fjalë u “zëvendësua” prej një kompleksi ndërtesash me funksione banimi dhe prodhimi. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u mor nën mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) në vitin 1973.
Gjatë viteve 2003-2004, punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit.
Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme.
Në ambientet e “Mozaikut të Tiranës” është vendosur edhe administrata e “Sektorit të Tiranës”, në varësi të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare - Durrës, që merret me përkujdesjen dhe monitorimin e monumenteve të kulturës në territorin e Qarkut të Tiranës.
Mozaiku u rihap për publikun në janar 2010. Vendndodhja e tij është pranë “Sheshit Zogu i Zi” dhe vetëm pak minuta larg nga aty përbri rrugës “Sandër Prosi”.