Kulturë

Tingujt e natyrës së Australisë thuren në Prishtinë edhe me muzikë shqip

Joel Brennan në trumbetë, Ken Murray në kitarë me koncerti në “Barabar” kanë shpalosur diversitetin e kulturave nëpërmjet veprave atraktive e bashkëkohore

Joel Brennan në trumbetë, Ken Murray në kitarë me koncerti në “Barabar” kanë shpalosur diversitetin e kulturave nëpërmjet veprave atraktive e bashkëkohore

Shumica e veprave janë të frymëzuara prej tingujve të natyrës së Australisë. Ngjyrat e luleve e cicërima e zogjve përkthehen në veprat muzikore në koncertin “Directly from Australia” të mbajtur në “Barabar” organizuar në bashkëpunim me Festivalin ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Joel Brennan në trumbetë, Ken Murray në kitarë dhe kompozitori Alan Holley, repertorit të tyre ia kanë shtuar edhe veprat e muzikantëve shqiptarë, e ky harmonizim ia ka shtuar veçantitë

Nga ana tjetër e botës, dy instrumentistë dhe një kompozitor kanë sjellë meloditë e veprave unike. Të frymëzuara kryesisht nga natyra e Australisë, Joel Brennan në trumbetë, Ken Murray në kitarë dhe kompozitori Alan Holley kanë sjellë frymën autentike të vendit të tyre. Kur janë ndalur në Tiranë, e më pas në Prishtinë, repertorin e kanë pasuruar me vepra shqiptare. I kanë sjellë në version të ri në qendrën “Barabar” të enjten mbrëma nëpërmjet koncertit “Directly from Australia” (Direkt nga Australia). 

Hapësira kulturore në katin e katërt të hotelit “Grand” në Prishtinë ka qenë nikoqire e koncertit të radhës të organizuar në bashkëpunim me festivalin ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Ka ardhur në kuadër të programit që e paraprin edicionin e 19-të që sivjet mbahet prej 18 deri më 22 shtator. 

Programi i kuruar nga kompozitori australian Alan Holley, ka sjellë diversitetin e kulturave nëpërmjet veprave atraktive e bashkëkohore. 

Me “Diggins for trumbet and guitar” të Enis Mullajt është hapur koncerti. Janë tinguj unikë me veglat që i shtohen trumbetës që e ndryshojnë akustikën e instrumentit. Ngjajnë shumë tradicionalë në fillim dhe marrin formë në linjë paralele me kitarën. Shpesh kumbojnë dhe zënë vend qendror në vepër. Luhatjet në tinguj të saksofonit e shpalosin temperamentin e saj derisa pozita e kitarës mbetet e njëjta. 

“Sorrel – for solo flugelhorn” nga kompozitori Alan Holley ngjan si një lloj vepre me temë abstrakte e së njëjtës frymë me veprën tjetër e kompozitorit australian, “Fallen Light” për solo kitarë, të cilën e ka luajtur Ken Murray. Në repertor kanë qenë edhe veprat e kompozuar nga ai. 

Të parën, kompozitori Alan Holley ka thënë se për frymëzim ka ngjyrat dhe lulet, ndërsa tjetra që është luajtur me kitarë elektrike ka ngjyra të rockut. 

“’Sorrel’ ka të bëjë me ngjyrat e luleve. I mendoja gjithë këto ngjyra që vinin nëpërmjet tingujve të bukur që krijoheshin. Vepra tjetër anon më shumë nga ritmet ‘funk’, ‘rock n’roll’ dhe nganjëherë edhe disa lloj thirrjesh të zogjve nga Australia. Unë jetoj në Sydney dhe kam parë shumë zogj në kopshtin tim që është fat shumë i mirë”, ka thënë Holley i cili pos si kompozitor ka ndërtuar karrierë edhe si dirigjent. 

Kompozimet e Alan Holley përfshijnë një opera dhome – “Dorothea” - bazuar në jetën e shkrimtares Dorothea Mackellar, vepra për orkestër dhome, për ansamble të vogla, për zë dhe për instrumente solo. 

“Freya and Wave” nga cikli i veprave të tij “Three pieces for solo guitar”  ka sjellë ritmet amerikane, siç edhe ka bërë të ditur autori i veprës para se ta luajë atë. Ka sjellë intimitet e romantikë. Tinguj të zbehtë që vijnë nga prekjet e lehta në telat e kitarës e kanë bërë të tingëllojë unike. Nisin po aty, dhe zhvillohen derisa mbërrijnë kulmin. 

Nga po ky cikël veprash ka sjellë edhe “Moruya” të inspiruar nga ritmet e muzikës kubane. 

“Australian Figbird”, “Grey Headed Robin” dhe “Torresian Croë” kanë qenë pjesë tejet atraktive. Kitara ka mbajtur ritmin ndërsa loja që e identifikon është ajo e trumbetës. Me tinguj të shkurtër e të shpeshtë e bëjnë të tingëllojnë si cicërima zogjsh. 

Murray ka thënë se frymëzimin kryesor në krijimin e veprave të tij e gjen te një numër i madh i llojeve të zogjve në vendin e tij. 

“Jam shumë i frymëzuar nga zogjtë. Kërkoj gjithmonë lloje të reja dhe ata që nuk i kam parë më parë, kryesisht në Australi. Kjo pjesë identifikon zogj të ndryshëm. Në Australi kemi 880 lloje të ndryshme zogjsh kështu që duke i dëgjuar kam filluar të mendoj se si do të tingëllonte muzika e bazuar në ritmin e tyre. Tingujt e tyre më bëjnë të ndihem më nostalgjik, sidomos e fundit – ‘The Crow’ – mund të dëgjosh korbin, por edhe emocionin prapa saj”, ka thënë Murray i cili në rrugën e tij si kitarist zhvillon performancën, kompozimin, mësimdhënien dhe hulumtimin. 

Ka punuar gjerësisht me kompozitorë bashkëkohorë dhe ka qenë aktiv si interpretues i stileve muzikore braziliane dhe amerikano-jugore. Si kompozitor ai ka shkruar një sërë veprash për kitarë në mjedise solo dhe ansambël. Ka interpretuar në performancat premierë të mbi 100 veprave. Një pjesë integrale e veprimtarisë së tij ka qenë puna me kompozitorë australianë. Ka bashkëpunuar me kompozitorë që kanë shkruar për të vepra për kitarë solo, kitarë elektrike, ansambël, kitarë dhe zë e formacione të tjera. Ka doktoruar në Universitetin e Melburnit, ku është profesor i asociuar. 

Paraprakisht dyshja ka mbajtur koncert në Tiranë ku ngjarja ishte organizuar nga “International Albanian Brass Festival” si dhe nga Universiteti i Melburnit. 

Murray ka thënë se ishte përvojë e veçantë koncerti në Prishtinë edhe për shkak të njohjes me muzikën shqiptare. 

“Ishte përvojë e jashtëzakonshme, sikurse muzika e kompozitorëve nga këtu dhe nga Shqipëria. Kemi qenë të emocionuar të interpretojmë këtu. Kemi bërë shumë miq nga këtu që janë kompozitorë dhe mendojmë të incizojmë muzikë. Disa prej tyre ishin shumë sfiduese, por interesante dhe orkestrimi është shumë unik. Janë ndikime të ndryshme e kultura, diçka e re për ne”, ka thënë ai. 

Bashkë me trumbetuesin Joel Brennan kanë sjellë veprat shqiptare të përshtatura për trumbetë dhe kitarë. Sipas Brennan më interesantja ka qenë “Trio për trumbetë, korno dhe tuba” e Avni Krasniqit të cilën e ka luajtur bashkë me Ilir Kodhimën dhe Aleksandar Niniqin. 

“Për mua ishte interesante vepra e Avni Krasniqit. Mënyra sesi ai e përdor ritmin mendoj se është më shumë lloj i muzikës folklorike që dëgjohet shumë nga njerëzit këtu gjë që ne nuk e kemi në atë pjesën tonë të botës kështu që duke biseduar me të për muzikën kemi mësuar shumë. Kam qenë shumë i emocionuar që kam marrë pak shije nga ngjyrat e muzikës tradicionale”, ka thënë Brennan i cili ka interpretuar me orkestra anembanë botës si me Orkestrën Simfonike të Melburnit, Orkestrën Filharmonike të Seulit, Filarmoninë e Rotterdamit,  Simfoninë e Winnipeg  në Kanada, Filarmoninë e Malajzisë dhe Orkestrën Simfonike Bilkent në Turqi. 

Si përkrahës i muzikës bashkëkohore dhe muzikës së dhomës, ka porositur dhe shfaqur premierë dhjetëra vepra të reja, me theks të veçantë në punën me kompozitorët e rinj dhe ata që vijnë nga vendet më pak të përfaqësuara. Joel Mennan është profesor i asocuar i performancës muzikore në Konservatorin e Muzikës në Melburn derisa ka shërbyer edhe në universitete jashtë vendit të tij si në Kanada e në Kinë dhe ka qenë artist i ftuar në shumë akademi e punëtori. 

Vepra e Krasniqit ka qenë shumë më serioze me tinguj dinamikë, dominues, të mprehtë e paralelë midis tri instrumenteve. 

“Echoes” e Kris Sopiqoti dhe “Viotar” e Kreshnik Aliçkajt kanë qenë veç disa nga veprat në program. Kjo e fundit ka qenë më dinamike në kontrast me ato që janë luajtur paraprakisht. Duke marrë parasysh se fillimisht ishte shkruar për violinë dhe kitarë, në version të ri vepra ngjan më sfiduese. 
“Vepra është shkruar për herë të parë për violinë dhe kitarë dhe ka qenë e porositur për festivalin ‘ReMusica’ dhe më pas është interpretuar edhe për flaut dhe kitarë. Ndërsa sonte erdhi versioni për trumbetë dhe kitarë. Për herë të parë e dëgjova edhe vetë. Interpretimi i instrumentistëve nga Australia ishte shumë i mirë”, ka thënë Aliçkaj. 

Ka thënë se pjesët më sfiduese kanë qenë ato për kitarë dhe se janë shumë më të vështira për t’u luajtur sesa që ndodh në këtë rast me trumbetën. 

“Si kompozitor kam pasur dëshirë që kitara të jetë pak më e zhvilluar sesa instrumenti tjetër, sepse kitara, pianoja apo një instrument tjetër që e përcjell instrumentin solo është çdoherë më pak e zhvilluar dhe i jepet rëndësi instrumentit solistik. Kështu që në këtë rast unë e kam bërë të kundërtën”, ka thënë ai më tej. 

Sa u përket veprave shqiptare është luajtur edhe “Amidst the Peaks” për trumbetë dhe kitarë e Jetmir Zaganjorit, ndërsa në fund është interpretuar “Una per Ornette” për kitarë solo e kilianit Andrian Pertout.