Vepra e regjisorit kroat, Nevio Marasoviq, është shembulli i minimalizmit dhe thjeshtësisë në film. Janë dy personazhe që e zbërthejnë rrëfimin, njëri është regjisor, ngjarja ka të bëjë me të shkruarit e skenarit dhe ajo që jetësohet në film shkon paralelisht me atë që ngjan prapa kamerave. Marasoviq e ka shkruar skenarin tok me dyshen e aktorëve, një dhomë hoteli i mjafton për shesh kryesor xhirimi dhe “This is not a Love Song” shndërrohet në dramë intime, që thyen klishe në film dhe zbërthen dashurinë. Edhe atë për regjinë
Vepra e kineastit kroat, Nevio Marasoviq, karakterizohet me qasjen introspektive që ia jep narracionit në film. Në shikim të parë gjithçka duket e pastër, minimale. E përtypshme, mbi të gjitha, për syrin, nuk e lodh mendjen, vëmendja medoemos vendoset te loja e aktorëve dhe te skenari që zbërthehet.
Në festivalin ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, “PriFest”, regjisori kroat ka qenë disa herë. Për herë të fundit kishte qenë me filmin “Goran” në vitin 2017, në 2014-n në Kosovë kishte sjellë edhe premierën e filmit të tij artistik “Vis-á-vis”. Në ujëra të ngjashme me “Vis-á-vis” ai eksperimenton stilin e tij edhe me “This is not a Love Song”, filmin e tij më të ri, i cili e kishte premierën botërore në muajin korrik, në kuadër të Festivalit të Filmit në Pula të Kroacisë. Emocionet njerëzore të nuancuara, spektri i gjerë i ndjenjave, përqasja intime, janë vetëm disa nga elementet të cilat e jetësojnë këtë film. Përqendrohet në një narrativ. Një regjisor, Niko, i luajtur nga aktori Janko Popoviq Volariq, fton ish-të dashurën e tij Sara (Lana Bariq) për t’i ndihmuar në shkrimin e filmit të tij të ri. Rrëfimi zhvillohet shpejt, në atë mënyrë që Niko pëson një aksident, i cili e kushtëzon atë të vendoset në një hotel në Bledin piktoresk të Sllovenisë, aty shkon edhe Sara, por me idenë që të qëndrojë një natë dhe të kthehet. Në fakt, Sarës vizita në Bled i del jashtë parashikimeve. Përballet fillimisht me egon e Nikos, gjendet me shpatulla për mur, kur ai e akuzon se në fakt ajo kishte qenë gjatë gjithë kohës arsyeja se pse ata ishin ndarë si fillim. Përveç prologut dhe epilogut të filmit bashkë me disa interlude që paraqesin një video të bërë në shtëpi nga Niko, i cili i drejtohet një festivali filmi në Japoni, pjesa tjetër përqendrohet kryesisht në një lokacion. Bazohet kryesisht në dialogë të shumtë dhe të gjatë mes dy aktorëve, të vetmit në film. Përgjatë kohëzgjatjes prej 71 minutave estetika minimale i bën rrugë njëfarë kinematografie të thjeshtë, por shumë efektive kur vjen puna te depërtimi i thellë nëpër emocionet e Sarës e të Nikos. Një skenë e tillë është dhe biseda e tyre në dhomën e hotelit. Pas disa grindjeve se kush i ka bërë keq kujt, rrëfimet e sinqerta për të pastruar ndërgjegjen e secilit si dhe krejt atmosfera mes tyre, i hapin rrugë formimit të një marrëdhënieje të re. Kjo nis e ndodh kur Sara fillon e i rrëfehet pa doreza Nikos, emocionet transmetohen fuqishëm, përfshihen edhe lotët, edhe shakatë. E kjo ndjeshmëri emocionale e arritur nga loja fantastike e dy aktorëve tek krijon përshtypjen se shikuesi gjendet në fakt aty, në dhomë me ta duke i shikuar tinëz. Është e vështirë që shikuesi të mos e ndiejë peshën emocionale të dy personazheve. E përfshirja e aktorëve në gjithë procesin e gjatë të krijimit të filmit duket ta ketë dhënë rezultatin e vet. Këtë arritje e pohuan dhe dy aktorët, të cilët ishin të pranishëm në premierën e filmit të enjten mbrëma në “Kino Armata”.
“Kur kemi filluar xhirimet e filmit, unë dhe Lana, mund të them që jemi ndier sikur e njohim njëri-tjetrin shumë mirë si Niko e Sara. Kemi pasur skenarin të cilin e kemi shkruar bashkërisht me regjisorin, por kemi pasur edhe disa improvizime që i kemi bërë. Në fakt kjo gjë më ka ndihmuar shumë të mbështetem te Lana nganjëherë dhe kështu kemi fituar të dy vetëbesimin e nevojitur në sheshxhirim”, ka thënë kroati Popoviq Volariq, duke shtuar se kishte qenë synimi i të treve që të dalin jashtë kornizave të skenave të rëndomta nëpër filma.
Si proces kishte qenë unik edhe për aktoren Bariq. Tetë ditët intensive të xhirimeve përgjatë dy vjetëve e koha e kaluar në një hotel totalisht bosh në kohë pandemie në Bled të Sllovenisë, kishin qenë pikat që shënjuan rrugëtimin e realizmit të këtij filmi. Mbi të gjitha sinergjia e ekipit qëndron prapa realizmit të suksesshëm.
“Janko është një partner shumë i mirë, pastaj regjisori është shumë i veçantë në qasje. Janë të paktë ata regjisorë që gërmojnë thellë në emocionet njerëzore. Jam shumë krenare për këtë film, me të vërtetë ka dalë nga brendia e të treve, është një film shumë i sinqertë”, është shprehur ajo për KOHËN pas premierës.
Ky film e ky edicion i “PriFestit” u bënë sebep që ajo të vinte për të parën herë në Kosovë. Por, për Kosovën e Prishtinën di shumë nga një koleg i saji kosovar.
“Është hera ime e parë në Kosovë, kam dashur të vija këtu qëkur. Kolegu im në Sarajevë ka qenë Alban Ukaj. Është një koleg shumë i mirë por, mbi të gjitha, një aktor i mrekullueshëm. Kam ditur shumë për Prishtinën e Kosovën andaj mezi kam pritur të vija”, ka shtuar ajo.
Qasja regjisoriale e Marasoviqit është në funksion të rrëfimit dhe nuk bie shumë në sy. Për shembull, shpesh insertet të cilat kapin peizazhin e mahnitshëm të liqenit të Bledit janë të turbullta, e imponojnë vëmendjen te qendra: dyshja që ndërvepron, edhe pse si tërësi pothuajse çdo kuadër, përbën një sekuencë montazhi pa i munguar e bukura në të. Për vetë regjisorin, rol kryesor kishte pasur dhe ndërtimi i personazheve si pikënisje.
“Në fakt edhe storia, edhe vetë personazhet janë ndërtuar gjatë krijimit të vetë filmit. Ne i kemi eksploruar këto karaktere dhe pastaj kur e kam marrë parasysh këtë eksplorim të mjaftueshëm kemi vendosur edhe për sinopsisin. Pastaj arsyeja që unë në fakt bëj filma është evokimi i emocioneve te njerëzit. Unë ndihem njësoj gjatë gjithë procesit të filmit. Bëhem edhe unë si karakteri, depresiv, euforik, qaj, gëzohem dhe shpresoj dhe synoj shumë që këto emocione të ndihen edhe nga shikuesi”, ka thënë regjisori, i cili në Kosovë vjen për të tretën herë. E quan veten me shaka dhe veteran të “PriFestit”, teksa vlerëson njerëzit e këtushëm e shprehet plot habi kur flet për zhvillimin e hovshëm të kryeqytetit.
“This is not a Love Song” – me titull origjinal “Šlager” – është në garën e filmave të metrazhit të gjatë në “PriFest”, ndërkaq me premierën e tij audiencës i ofroi freski kinematografike, qasje të pjekur në filmbërje, e cila përkthehet lehtë në një fjalë të vetme që u përgjigjet të treve, regjisorit e dy aktorëve. E ajo është mjeshtëria, çfarëdo qoftë epilogu në “PriFest”.