Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, njësi e përhershme e kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka kujtuar se, 21 Shkurti, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, është me vlerë të shënuar edhe për gjuhën shqipe, përmes së cilës shprehet shpirti dhe kultura e popullit shqiptar, pjesë e pandashme e identitetit tonë kombëtar.
Instituti ka cituar akademikun e shquar Eqrem Çabej, i cili ka thënë se, “historia e një gjuhe është historia e popullit që e flet atë”.
Në këtë ditë të gjuhës amtare, Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë ka përkujtuar të gjithë ata që luftuan në shekuj për shqipen, e sidomos rilindësit e shquar që punuan e luftuan për kombin shqiptar, për gjuhën shqipe e për ta shkruar atë me një alfabet të vetëm.
Ka theksuar rolin e gjuhës amtare shqipe si mjet identifikimi dhe bashkimi, rol i cili ka qenë i jashtëzakonshëm në rrugëtimin e shqiptarëve në shekullin XX.
Në postimin në rrjete sociale të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, vihet në dukje se, sot, shqipja gjendet përballë sfidave të shumta dhe të egra që rrjedhin nga proceset globalizuese botërore, ndaj, krahas përpunimit, zhvillimit e pasurimit të pandërprerë, mbrojtja e saj nga proceset asimiluese, duhet të jetë detyrë e përhershme e gjuhëtarëve.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përcjellë mesazhin e ruajtjes së gjuhës shqipe nga shqiptarët e diasporës. Nismës së Kreut të Shtetit iu përgjigjën përfaqësues të komunitetit shqiptar që jetojnë në vende të ndryshme të botës, të cilët ruajnë gjuhën amtare ndër breza, duke respektuar njëherazi diversitetin gjuhësor e kulturor dhe shumëgjuhësinë. Ka kërkuar edhe përcjelljen e saj te fëmijët nga familjet shqiptare që jetojnë jashtë vendit, duke inkurajuar, gjithashtu, hapjen e sa më shumë shkollave shqipe në komunitetet shqiptare nëpër botë përmes nismave vullnetare dhe institucionale. “Gjuha shqipe është tipari themelor i identitetit tonë kombëtar, që duhet të na bashkojë në përpjekjen për ta ruajtur, trashëguar dhe pasuruar atë”, ka shkruar Begaj. Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare këtë vit kremtohet në të gjithë botën si Jubile i Argjendtë, pasi mbushen 25 vjet nga shënimi i saj dhe në fokus janë përpjekjet për promovimin e diversitetit gjuhësor, mbrojtjen e gjuhëve të rrezikuara dhe inkurajimin e edukimit shumëgjuhësor.