“Thirrja publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2025” është hapur të hënën. S’ka shkuar në prill. Sipas thirrjes, qëllimi është që të bëhet promovimi i artit dhe i trashëgimisë kulturore përmes pasurimit, diversifikimit dhe rritjes së cilësisë së jetës kulturore, pastaj nxitja e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën kulturore brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës. Për të dytin vit me radhë përkrahen programe 3-vjeçare
Ministrinë e Kulturës sivjet nuk e ka zënë prilli që të hapë thirrjen për mbështetjen e skenës së pavarur të kulturës e trashëgimisë kulturore. “Thirrja publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2025” është hapur të hënën.
Sivjet thirrja ndahet në pesë kategori. Mbështetje organizative për organizatat me programe deri në tre vjet për zhvillimin organizativ dhe programor për OJQ-të e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore; Organizimet tradicionale ne fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore me program deri në tre vjet për zhvillimin e ngjarjeve përkatëse; Projektet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore; Projektet dhe ngjarjet e njëhershme në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturorë dhe; Projektet e krijuesve, performueseve (artistëve) dhe studiuesve të rinj. Sivjet nuk është hapur ende “Thirrja për fondin e mobilitetit” për dallim nga vjet që ishte hapur para asaj të përgjithshme.
Sipas thirrjes, qëllimi është që të bëhet promovimi i artit dhe i trashëgimisë kulturore përmes pasurimit, diversifikimit dhe rritjes së cilësisë së jetës kulturore, pastaj nxitja e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën kulturore brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, me theks te fëmijët dhe personat me aftësi të veçanta. Thirrja synon që të bëjë fuqizimin e koordinimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe shoqërisë civile përmes fuqizimit të skenës së pavarur kulturore dhe nxitjes së personave të rinj që veprojnë në fushën e kulturës. Promovimi i artit dhe i trashëgimisë kulturore përmes zhvillimit të diplomacisë publike është qëllimi tjetër.
Thirrja e shpallur të hënën do të qëndrojë e hapur deri në ditën e 24-t të marsit.
OJQ-të e profilizuara në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore sipas kategorisë “Mbështetje për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të përfitojnë nga 50 mijë deri në 100 mijë euro për një vit me mundësi financimi deri në tre vjet.
OJQ-të që hyjnë te kategoria “Organizimet tradicionale ne fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore me program deri në tre vjet për zhvillimin e ngjarjeve përkatëse” mund të përfitojnë deri në 40 mijë euro për një vit në vit me mundësi financimi deri në tre vjet.
Ndërsa sa i përket kategorisë “Projektet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” mund të aplikojnë po ashtu vetëm OJQ-të dhe shuma e përkrahjes shkon deri në 40 mijë euro.
“Projektet dhe ngjarjet e njëhershme në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” vlen për individë dhe OJQ, e shuma e përkrahjes mund të shkojë deri në 20 mijë euro.
Kurse të kategoria e pestë “Projektet e krijuesve, performueseve (artistëve) dhe studiuesve të rinj” mund të aplikojnë individët deri në moshë 30-vjeçare dhe mbështetja mund të shkojë deri në 5 mijë euro. Sivjet aplikimi nuk do të bëhet nëpërmjet platformës “e-Kosova”, por dokumentacionet e kërkuara duhet të dërgohen nëpërmjet postës elektronike.
Vjet MKRS-ja kishte thënë se organizatat e profilizuara në art dhe trashëgimi kulturore do të mund të aplikojnë për mbështetje vjetore për zhvillim organizativ dhe programor.
“Hapësirë e veçantë u është dhënë festivaleve tradicionale dhe ngjarjeve të tjera të dëshmuara. Studentët e artit (dhe të sapo diplomuarit) e kanë kategorinë e veçantë për mbështetje...”, shkruhej në përgjigje. Aty sqarohej se krahas rikonceptimit të përmbajtjes së skemës dhe mundësisë për aplikim online po punohet edhe në masa të tjera për të siguruar integritet maksimal të procesit.
“Respektimi pa kompromis i të gjitha kritereve të vlerësimit, paanshmëria dhe profesionalizmi i anëtarëve të komisioneve vlerësuese, mbikëqyrja e procesit të vlerësimit, janë masa që i kemi marrë për t’u siguruar që më të mirët do të mbështeten”, shkruhej në përgjigje. Bëhej e qartë se më nuk do të ketë numër të madh të përfituesve.
“Gjithashtu do të kalojmë në shuma më të mëdha të mbështetjes dhe mbase numër jo aq të madh të përfituesve”, shkruhej në përgjigje. Por MKRS-ja nuk kishte treguar se sa mjete ka në dispozicion për këtë thirrje publike.
Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij vitit te kategoria “Përkrahja e Kulturës” prej ku edhe merren mjetet për Thirrjen publike, MKRS-ja posedon 4.3 milionë euro si subvencione dhe transfere. Por MKRS-ja zakonisht i tejkalon shumat e parapara. “Djeg” buxhetin e projekteve kapitale që nuk mund t’i realizojë dhe fut në subvencione. MKRS-ja shquhet për mosrealizim të projekteve kapitale në kulturë.
Vjet MKRS-ja kishte ndarë 1.7 milion euro për 51 organizata. Mbështetja shkoi deri në 100 mijë euro. Kjo ishte hera e parë që MKRS-ja mbështeste skenën e pavarur kulturore nëpërmjet garantëve institucionale. Në të kaluarën janë mbështetur qindra organizata e individë me shuma më të vogla.
Për dallim prej listës paraprake ku prej 362 aplikimeve me propozime për projekte në kulturë e trashëgimi kulturore, kriteret bashkë me mënyrën e aplikimit kanë bërë që lista fituese të kishte vetëm 26 organizata, pas ankesave, gjendja ka ndryshuar. Numri pothuajse ishte dyfishuar. Në listën paraprake nuk figuronin organizime të mëdha e me nam si “DokuFest”, “Anibar” “PriFilmFest”, teatri “Oda”, festivali “EtnoFest”. Në listën përfundimtare figurojnë. Madje “PriFilmFest” printe me 100 mijë euro mbështetje bashkë me “Artpolis” pasuar nga “DokuFest” me 98 mijë, Fondacioni kosovar trashëgimia kulturore pa kufij “CHwB Kosova” 96 mijë, “Hardhfest” 83 mijë e “Anibar” 80 mijë.
Tetari “Oda” që përkrahur me 80 mijë euro, kurse Qendra “Multimedia” me 75 mijë euro. Të njëjtat edhe për sivjet dhe vitin që vjen këto shuma i kanë të sigurta, disa prej tyre edhe më të mëdha.