Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku mbrëmjen e së mërkurës ka njoftuar për themelimin e një Grupi Koordinues Ndërinstitucional për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Sipas ministrit Çeku, vendosmëria institucionale ka qenë vendimtare në shpëtimin e monumenteve edhe kur u sfiduan nga zjarrvëniet dhe aktivitetet degraduese të periudhës së fundit, me shkollën e parë shqipe në Ferizaj, Muzeun e Muzikës në Gjakovë, shtëpinë Koroglu në Mitrovicë dhe “Kompleksin Saraji i Vjetër” në Prizren.
“Nga sot, jemi edhe më të fortë në betejën tonë. Kemi themeluar Grupin Koordinues Ndërinstitucional për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, pjesë e të cilit janë Ministria e Kulturës, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Policia e Kosovës”, ka njoftuar ai nëpërmjet një deklarate publike në rrjete sociale, të cilën e ka shoqëruar me një fotografi të bërë në kabinetin e tij.
Sipas ministrit Çeku, qëllimi i këtij grupi, ndër të tjera është hartimi i Planit të Veprimit ku parashihen masat dhe veprimet konkrete që rrisin efikasitetin institucional në mbrojtje të trashëgimisë, me fokus në parandalimin e aktiviteteve që cenojnë integritetin fizik të monumenteve.
“Të bashkuar, ministritë, gjyqësori, policia, do të jemi më efikasë jo vetëm në trajtimin e pasojave, por edhe në parandalimin e rrënimeve. Faleminderit ministrave dhe udhëheqësve të institucioneve, KGJK, KPK dhe Policia e Kosovës për bashkëpunimin e mirë deri tani dhe gatishmërinë e vullnetin që mbrojtjen e trashëgimisë ta çojmë në nivel edhe më të lartë”, ka shkruar ai, pa treguar se mbi çfarë baze ligjore e me vendim të kujt është themeluar ky grup. Sipas ministrit Çeku, takimet e grupit do t’i kenë të rregullta dhe veprimet të koordinuara. “Shteti i Kosovës me të gjithë mekanizmat do të sigurohet që në fund kultura të triumfojë”, ka shkruar ai.