Pesë teatro nga vende të ndryshme të Evropës – në mesin e të cilëve edhe Teatri Kombëtar i Kosovës – i ka bashkuar teatri për teatrin. E tillë është shfaqja “The Best European Show” dhe zbërthimi i teatrit është i shumëfishtë. Prapaskenën e zhvendos në skenë, por zhvesh spektaklin, teatrin e Evropës jo vetëm si art, por edhe si politikë. Është një lloj himni për artin dhe ironizim i hipokrizisë evropiane. Vendet e Ballkanit – në shfaqjen me tekst të Marko Bratush dhe Haris Pashoviqit, i cili ka bërë edhe regjinë – lihen jashtë dhe kjo ka një arsye dhe shumë kuptime, pikërisht si në përditshmëri
“The Best European Show” është vështrim satirik se si gjykohet teatri në Evropë. Shfaqja shpalos se çdo akt i krijimit të teatrit mund të jetë rast unik rezistence në formë arti. Është art i kushtëzuar që është i varur nga kontakti i dyanshëm i krijuar ballë për ballë midis shfaqjes dhe audiencës.
Pas Polonisë, Italisë, Maltës e Sllovenisë, shfaqja shtriu “leksionet” edhe para publikut në Prishtinë. Veçmas komunitetit teatror. Me kritikë e autokritikë të rreptë gjykon teatrin e sotëm evropian, duke e paraqitur atë të ndikuar nga politika dhe jo vetëm.
Tragjikomedia flet për një juri evropiane që ka për detyrë të përcaktojë fituesit e festivalit evropian të teatrit para se të bëhet revolucion modern i këtij arti. Juria përbëhet nga një kritik arti, një zyrtar politik, një menaxher teatri, një shkrimtar dhe jo vetëm. E trilluar është ngjarja me emrin “The Best European Show” që vjen si version i ri i konkursit evropian muzikor “Eurovision”. Aktorët ftojnë ta imagjinojmë atë duke marrë shembuj krejt në fillim të shfaqjes se si ndikon gjeopolitika në votimin e fituesit e në rezultatin e humbësve.
Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë është shndërruar në sallë teatri të enjten kur u dha premierë në Prishtinë. Pasqyrimi për të vjen kur në një sekuencë të shfaqjes trajtohet infrastruktura. Aty nisin rrjedhjet ngjarjeve të “The Best European Show” e që pasqyron më së miri institucionin pa shtëpi, që është imponuar të shfrytëzojë hapësira alternative për të ushtruar aktivitetin, pasi objektin e vet e ka nën dry tash e dy vjet në pritje të rinovimit.

Shfaqja është bashkëprodhim ndërkombëtar nga pesë teatro anëtare të European Theatre Center: Teatri i Maltës, JK Opole Theatre nga Polonia, SNG Nova Gorica nga Sllovenia, Teatro Due nga Italia dhe Teatri Kombëtar i Kosovës. Aktorët vijnë prej vendeve të këtyre teatrove.
Nëpërmjet roleve të tyre formulojnë opinionet për shfaqjet e vendeve të ndryshme gjatë procesit rrëqethës të vlerësimit. Është kombinimit i lojës në skenë me videot shkurtra që ofrojnë bazën e diskutimit për çështjet aktuale që ndërlidhen me teatrin evropian.
Rrugëtimin e filloi në Poloni kur u dha premierë më 13 tetor të vitit të kaluar në qytetin Opole e më pas në Parma të Italisë më 21 tetor. Premierën në Maltë e pati në qytetin Valetta në 9 shkurt të këtij viti, ndërsa në Slloveni në Nova Gorica më 16 prill.
Shfaqja me tekst të sllovenit Marko Bratush dhe Haris Pashoviqit nga Bosnja Hercegovina, i cili ka bërë edhe regjinë, zhvesh ndikimin e politikës, ambiciet personale e dashurinë që ndikojnë në teatrin si koncept artistik. Me të ndërthuren vizionet e guximshme artistike. Krejt ato bëhen bashkë në natën kur duhet marrë vendim për fituesin e shfaqjes më të mirë evropiane. Presioni rritet çdoherë dhe duket se gjithçka po shkon duke u përkeqësuar.
Krejt në fillim, shfaqja ndiqet me një prezantim të moderatorit të spektaklit që vjen edhe si intro. Flet për gjendjen aktuale në botë. Midis shumë ngjarjeve, përmend edhe Kampionatin Botëror të Futbollit që ishte mbajtur në Katar. Një lloj pasqyrimi sesi shkëlqimi i spektaklit ka pasojat në prapaskenë. Si rasti kur qindra punëtorë që kanë vdekur në vendin e tyre të punës, duke ngritur stadiumin ku shikuesit festojnë e gëzojnë sukseset e ekipeve të tyre.
Në shfaqje tregohet se Rusia nuk është ftuar në konkurs. Një lloj ironie vjen kur përmendet se Palestina nuk merr pjesë, ndërsa Izraeli po. Fillimisht ngjan se konotacioni shkon në atë drejtim se si anashkalohet aspekti gjeografik, por bie poshtë. Ka të bëjë me interesat e shteteve që marrin pjesë, edhe pse janë jashtë kufijve të kontinentit.
Disa prej anëtarëve të jurisë kërkojnë të jenë transparentë me rezultatin përzgjedhës, disa të tjerë e quajnë absurditet demokracinë. Disa marrin për bazë “Eurovisionin” për shpalljen e fituesit. Anëtarët aty nisin gjykimet për këngën fituese të Ukrainës në vitin 2022 – “Stephania” të “Kalush Orchestra”. Aty thuhet se vendi kishte fituar veç pse ishte i kapluar nga lufta. Kjo e fundit është një prej shumë temave në shfaqje. Vlerësohet si mjet prej të cilit përfitojnë shumë shtete e si biznesi më fitimprurës i tyre.

Aty janë edhe paragjykimet për aktorët e njerëzit e teatrit. Aktori francez, Jammeh Diangana, shpjegon se si në shfaqjen “Othello” krejt çfarë mbahet mend më së shumti është zezaku. Madje as kryepersonazhi më shumë sesa raca e njërit prej personazheve. Janë stereotipat e përjashtimi nga Evropa.
Teatri Evropian papritur tronditet kur audienca përshihet masivisht në shfaqje. Dashamirët e artit kundërshtojnë revolucionet dashakeqëse.
Regjisori e bashkë-dramaturgu i shfaqjes, boshnjaku Haris Pashoviq, ka thënë se donin të kritikonin Evropën dhe të sillnin në mendje atë që mund të bëjë teatri me ndikimin e tij në përmirësimin e jetës sot.
“Donim të eksploronim të dyja: teatrin në Evropë sot dhe Evropën sot. Kjo është jeta në të cilën po jetojmë sot. Ka shumë çështje kritike që prej zhvillimeve kritike deri në ato më të këqija si ngacmimet, aborti, migrimi, korrupsioni, të drejtat e njeriut. Të gjitha këto janë pjesë e përditshmërisë në të cilën jetojmë sot”, ka thënë Pashoviq.
Sipas tij, kjo ka qenë një prej temave qendrore. Këtë e kanë bërë duke kritikuar edhe veten si regjisor, dramaturg e aktor.
Prej 52 vendeve që bëhet e ditur të jenë në shfaqje, nuk diskutohet për asnjë vend të Ballkanit. Nuk është as Kosova dhe kjo ngjan si mbështetje e mospjesëmarrjes në “Eurovision”. Sipas regjisorit Pashoviq, vendet e Ballkanit nuk janë trajtuar në shfaqje pasi është temë komplekse. Ky rajon, sipas tij, është shfaqje në vetvete.
“Nuk mund të diskutonim Ballkanin, pasi Ballkani është show në vetvete. Është e komplikuar madje edhe kur flasim me miqtë, bashkëpunëtorët. Kërkon shumë kohë për ta zhvilluar ngjarjen si dihet dhe ne thamë që më mirë të mos i futemi kësaj pune sesa ta trajtojmë sipërfaqësisht”, është shprehur ai. Ka thënë se Teatri Kombëtar i Kosovës dhe aktorët e këtij institucioni kanë qenë shumë bashkëpunues dhe profesionalë.
Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, e ka vlerësuar “The Best European Show” si shfaqje unike që flet për teatrin dhe e analizon atë.
“Është shfaqje unike, nuk është shfaqje shumë e rëndomtë që të kemi një shfaqje teatrale që flet për teatrin, që e analizon atë, që flet për teatrin evropian sot, për problemet që i ka dhe midis saj, fut anëtarët e Parlamentit Evropian me të cilin vendosin të kenë një juri që do të zgjedhë shfaqjen më të mirë evropiane. Është shfaqje unike, një produksion shumë i madh evropian për të cilin jam shumë i lumtur që në këtë kohë sa jam drejtor i Teatrit, kemi vendosur të prodhojmë shfaqjen”, ka thënë Sheremeti.
Kosova në këtë produksion merr pjesë edhe për kompozimin e muzikës të cilën e ka bërë Trimor Dhomi, ndërsa koreografinë e ka realizuar Robert Nuha. Repriza e parë është shfaqur të premten, ndërsa Sheremeti ka bërë të ditur se me këtë shfaqje, në qershor do të rrugëtojnë për në Portugali. Sipas tij, audienca e shfaqjes janë njerëzit e teatrit.
“Është shfaqje e punuar pos në një format jo të rëndomtë ku pesë teatro evropiane vendosin që për shkak të temës të prodhojnë një shfaqje me mjetet e tyre vetanake, ne kemi besuar në temë, në mesazhet që japim. E ka një audiencë specifike. Audienca e saj janë njerëzit e teatrit, ata e kuptojnë më së miri dhe jo vetëm”, ka thënë Sheremeti.
Njëra prej analizave për shfaqjen është bashkëprodhimi ndërmjet Francës dhe Gjermanisë që ka për tematikë antinazizmin. Gjyshërit e jurisë kishin pasoja nga ky regjim. Anëtarët vlerësojnë se historia po përsëritet e se ideologjia naziste është në rritje. Për dy shtetet merret për bazë demografia.
Ngacmuesi është Kovaçi, që e luan aktori Armend Smajli. Ka thënë se shfaqja është shembull sesi teatrot kur bashkohen mësojnë nga njëri-tjetri. Secili prej aktorëve sipas tij, është rritur e pasuruar profesionalisht.
“Kjo eksperiencë jo veç për ne, por edhe për artistët polakë, sllovenë, francezë, maltezë, gjermanë, italianë që kanë qenë pjesë e kësaj shfaqjeje, është – sipas edhe një shkrimi – një shembull shumë i mirë se si teatri në Evropë sot duhet të jetë më afër njëri me tjetrin. Ka teatro të mira në Evropë, por që veprojnë si ishuj, mungon bashkëpunimi. Teatri e ka koston e vet, veprat e tjera të artit mund të udhëtojnë më lehtë, teatri duhet të udhëtojë me njerëz, me shumë infrastrukturë”, ka thënë aktori Smajli.

Sipas tij, shfaqja është homazh për teatrin. Ka thënë tërthorazi flet edhe për krizat shoqërore e institucionale me të cilat ballafaqohet Evropa. Ka theksuar edhe mungesën e infrastrukturës e ngrohtësinë e publikut.
“Pavarësisht se është luajtur në një sallë që nuk është teatër, edhe në këto rrethana infrastrukturore, ishte një reagim shumë i pjekur. Prishtina e ka një publik shumë të kultivuar të teatrit. Jo vetëm unë, por edhe mysafirët e huaj që kanë ardhur për herë të parë sonte e kanë parë sa është i rëndësishëm publiku i Prishtinës, skena e artit të Prishtinës”, ka thënë Smajli.
Shfaqja e Maltës “konkurrente” në festival është ajo që trajton vrasjen e gazetares malteze Daphne Caruana Galizia. Anëtarët janë konfuzë nëse rrëfimi për një gazetare të vrarë duhet të jetë fitues. Madje edhe njëra prej aktivisteve për të drejtat e njeriut, Beatrisa, rol që e luan aktorja Maylinda Kosumoviq, voton kundër shfaqjes.
Situata tensionohet çdoherë. Jashtë populli zhvillon protesta. Njëri prej tyre vret veten në shenjë proteste para se të thërrasë “Vive le théâtre” (Rrnoftë teatri!). Njëra prej anëtarëve kërkon të mbulojë skenën e krimit. Këtë karakter në shfaqje e luan aktorja italiane Anna Fachinni.
“Karakteri im është i një gruaje të fortë që mundohet fort të mbajë gjithçka në rend, por ngadalë gjithçka i del nga dora. Mesazhi i shfaqjes është se rëndësia e teatrit nuk mund të humbet në politikë e ekonomi. Prek zemrat e njerëzve dhe i mëson ata të jetojnë më mirë dhe të gëzojnë jetën”, ka thënë ajo.
Sipas aktores Fachinni, e cila për shfaqjen ka ardhur për herë të parë në Prishtinë, ka qenë prekëse ngrohtësia e publikut që sipas saj, ka rrezatuar në shfaqje.
“Ajo që ishte prekëse për mua ishte ngrohtësia e publikut me shfaqjen. Mendoj se u lidhëm goxha me ta dhe gjithashtu fakti që ndamë skenën me aktorët nga Kosova, Majlindën dhe Armendin. Ishte përvojë e bukur që jam e sigurt se nuk ndodh shpesh”, ka thënë ajo.
Ngjarja vendoset në Bruksel, aty ku viktima kërkonte liri për teatrin. Anëtarët kishin mundësi të bënin revolucion në teatër, por zgjodhën rrugën që ndjek përmbushjen e egove dhe agjendave të tyre. Richardi, presidenti i konkursit, kërkon të mbulojë krimin, por vritet vetë ai.
Loja e aktorit austriak, Felix Römer, në pjesën e fundit të shfaqjes sfidon regjisorët, dramaturgët dhe jo vetëm. Kritikon ata dhe veten.
“Karakteri im është i një regjisori shumë të famshëm teatri, që ka një eksperiencë shumë të gjatë në profesionin e tij, që është një burrë shumë i mirë. Por është karakter i vështirë. Vuan pak për emrin e tij. Ai quhet Grotowski, sikur revolucionari polak i teatrit. Është një lloj emërtimi tragjik për të. Ai ka një problem me alkoolin të cilin mundohet çdoherë ta shmangë për të mos e shfaqur, por në situata tragjike problemi i tij i brendshëm del në pah”, ka thënë aktori Römer.
Në shfaqje luajnë edhe aktorët Weronika Kozakowska, Blazej Stencel, Gianni Selvagi, Davide Gagliardini, Lumnije Sopi, Philip Leone Ganato dhe Paola de Crescenzo.
Shfaqja “The Best European Show” e merr si pikënisje çmimin për shfaqjen më të mirë evropiane si reflektim për teatrin e sotëm evropian. Një lloj lavdie për teatrin. Është pasqyrë për institucionin burokratik në rënie të reputacionit.