Kulturë

“Testament” në tejkalim paragjykimesh tek ëndrrat që bëhen realitet

Ajo që prezanton “Testament” është pasqyrë e identitetit, rezistencës dhe suksesit të komuniteteve

Ajo që prezanton “Testament” është pasqyrë e identitetit, rezistencës dhe suksesit të komuniteteve

Përmes portreteve dhe rrëfimeve të njëzetë profesionistëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, “Testament” shpalos talentin e përkushtimin e tyre në fushat përkatëse. Por ekspozita me fotografi të Arben Llapashticës, kuruar nga Eliza Hoxha, rrezaton edhe fuqinë për të sfiduar stereotipat dhe për të ndërtuar realitetin ku ekzistojnë diversiteti dhe barazia.

Vargjet e poezisë “Testament” të Kujtim Paçakut janë frymëzim për ekspozitën me të njëjtin titull në galerinë “Qahili”. Vijnë si reflektim i fuqishëm mbi identitetin dhe përpjekjet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për përballje me sfidat historike. Portretet e personaliteteve të kësaj ekspozite thërrasin për reflektim e ndërgjegjësim.

Të enjten mbrëma, në galerinë “Qahili” nuk kanë qenë veprat krejt çfarë është shpalosur. Bashkë me muzikën në sfond ka qenë një lloj instalacioni i shpalosjes së kulturës rome. E ajo çfarë “Testament” prezanton është pasqyrë e identitetit, rezistencës dhe suksesit të komuniteteve.

Përmes portreteve dhe rrëfimeve të njëzetë profesionistëve nga këto komunitete, ekspozita shpalos talentin e përkushtimin e tyre në fushat përkatëse. Por rrezaton edhe fuqinë për të sfiduar stereotipat dhe për të ndërtuar realitetin ku ekzistojnë diversiteti dhe barazia.

Mbi të gjitha, në hapje të paktën, kryefjalë e të pranishmëve ka qenë burimi i frymëzimit për brezat e rinj që ëndërrojnë një të ardhme me më shumë mundësi dhe më pak barriera.

Fotografitë i shfaqin protagonistët nga vendet e tyre të punës. Ato janë shkrepje të fotografit Arben Llapashtica, ndërsa ekspozita është kuruar nga Eliza Hoxha.

Ajo e ka vlerësuar ekspozitën si mundësi të jashtëzakonshme për të njohur personalitete, me të cilat nuk kemi pasur rrugën e përbashkët dhe mundësinë për t’i njohur.

“Kjo ekspozitë mundohet t’i sjellë këto personalitete edhe për ne që jo gjithmonë jemi takuar, por edhe brenda vetë komuniteteve për t’u njohur më mirë dhe për të vënë dritë mbi ata e ato që ia kanë dalë. Rruga nuk ka qenë e lehtë dhe nuk ka qenë pa sfida. Ata e ato ia kanë dalë dhe janë fanarë edhe për të tjerët që në Kosovë ka mundësi që ëndrrat të bëhen realitet, ka mundësi të jesh pjesë e barabartë e institucioneve, e jetës publike dhe jetës që do ta projektosh e ta zhvillosh tutje. Kjo nuk bëhet vetë dhe për faktin që nuk bëhet vetë, tregon edhe ky organizim”, ka thënë Hoxha.

Varfëria e mungesa e mundësive për të depërtuar në shoqëri, janë ato që përmenden kur flitet për komunitetet rom, ashkali e egjiptian. Por “Testament” është kontrapunkt

Ka thënë se puna me organizatën “Zëri i romëve, ashkalive dhe egjiptianëve”, e cila e ka porositur ekspozitën, për të është mësim më vete.

“Mundohet çdo ditë të punojë, të hapë perspektiva të reja, të na angazhojë të gjithëve, jo vetëm komunitetet që prezanton, por edhe të gjitha komunitetet, përfshirë edhe mua nga komuniteti shumicë, përfshirë mua, që të rrugëtojmë bashkë, të mësojmë e ta respektojmë njëri-tjetrin dhe të rritemi bashkë për të ardhmen e përbashkët. Për mua, çdo punë me organizatën ‘Voice of Roma, Ashkali and Egyptian’ është një mësim më vete, një përvojë e jashtëzakonshme edhe kulturore, edhe e pasurisë etnike dhe sfondeve të tjera të njerëzve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Hoxha.  

Në ekspozitë janë portretet e polices Adelina Qorri, juristit Gjimshit Galushi, ministrit Elbert Krasniqi, artistit e muzikantit Bajram Kinolli, mësimdhënësit Edis Galushi, pianistit Besim Qorri e gazetarit Selamir Qerimi.

Pikturat shumëngjyrëshe të Fahrie Mehmetit janë në katalogun e ekspozitës që vjen më i zgjeruar sesa vetë ekspozita. Aty vijnë nga dy, tri e katër fotografi të personazheve përkatëse.

Pjesë e ekspozitës janë edhe punuesi i litarit dhe tupanit, Almir Shefkiu, bendi muzikor “Jimmy Band”, boksieri Hasan Veseli, poçari Luan Qukani, mjeku Jetmir Fazlija,  pedagogia Elmira Pajaziti e mësimdhënësja Indira Jashari.

Kjo e fundit më parë ka punuar në media e prej tetë vjetësh punon me nxënës të shkollave fillore. Ajo shpreson që rolet model të ekspozitës të frymëzojnë brezat më të rinj.

“Më vjen mirë që jam zgjedhur një role-model nga komuniteti rom, sidomos që është edhe ekspozita me termin ‘Testament’ e të ndjerit Kujtim Paçaku. Ndihem shumë e privilegjuar dhe e respektuar. Është kënaqësi të shoh veten në këtë mes të shumë profesionistëve të ndryshëm, ku një prej tyre jam edhe unë”, ka thënë ajo.

Ka thënë se ekspozita është përplot mesazhe.

“Dua të përcjell një mesazh te të gjitha vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që ne gjatë rrugës mund të kemi sfida të ndryshme, por sa herë rrëzohesh mund të ngrihesh më e fortë për të vazhduar dhe të ecësh përpara”, është shprehur Jashari.

Ushtari Benjamin Bajrami, drejtoresha e organizatës “RrOGRAEK”, Shpresa Agushi, farkëtari Daut Kurti, profesori, poeti, romologu e ish-deputeti i ndjerë Kujtim Paçaku sikurse edhe mësuesi, gazetari e dramaturgu Negjip Menekshe janë personalitetet e tjera të ekspozitës.

Ekspozita ka qenë edhe një lloj homazhi për Paçakun.  Në një pjesë të galerisë është ilustruar edhe poezia e tij “Testament”, që emërton ekspozitën në galerinë “Qahili”.

Drejtori i organizatës “Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve”, Isak Skenderi, ka thënë se ekspozita ka emër simbolik për komunitetin rom dhe se ai buron nga veprimtaria e Paçakut.

“Ne deshëm që përmes portreteve të njerëzve të zakonshëm nga vendet e tyre të punës të tregojmë së pari se pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, mund të jenë pjesëmarrës aktiv në shoqëri dhe të japin kontributin e tyre për shoqërinë e familjen derisa ekziston mundësia për të arritur deri aty. Kur flasim për komunitetet, për fat të keq gjithmonë e përmendim aspektin e margjinalizimit, i cili kapet me varfërinë dhe përjashtimin”, ka thënë Skenderi.

Është shprehur se me ekspozitë kanë dashur të tregojnë edhe anën tjetër të medaljes, pasi, sipas tij, kur flitet për këto komunitete, flitet për varfërinë e për mungesën e mundësive për të depërtuar në shoqëri.

“Përmes kësaj ekspozite deshëm të tregonim se këto komunitete mund të arrijnë qëllimin e tyre të përfshirjes, pjesëmarrjes e kontributin për shoqërinë derisa ekziston edhe vullneti i shoqërisë për t’i pranuar të gjithë ata”, është shprehur ai.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për tri javë në galerinë “Qahili”.