Aty zbërthehet metafora e njeriut në lëvizje e udhëtim të përhershëm. Destinacionet kanë përballë të papriturën, pritjen, zhgënjimin a vonesën. E ateron prej një terminali jetësor në tjetrin. Edhe vetë shfaqja titullohet kësisoj – “Terminal”. Me koreografi të Evgeny Kozlov dhe Romane Petit me asistent solistin Sead Vuniqi, shfaqja e baletit modern ka ikur nga Prishtina. Ka ndërruar terminal duke pasur premierën në Obiliq. Në lëvizje të vazhdueshme është edhe Baleti Kombëtar i Kosovës tash e dy vjet, me prova në një vend e me premierë në tjetrin. Pa një “terminal” të vetin gjendja e tij është emergjente
Shtyllëzat në skenë ngjajnë me ato që përcaktojnë rrugicën për të vazhduar te “Check in” në aeroporte. Me të nisur shfaqja, bëhet e ditur se krejt ngjarja do të zhvillohet në terminal. Prapavija tregon për destinacione në krejt botën e për statuse fluturimesh. Ka prej atyre që janë në kohë, të vonuara e të anuluara krejtësisht. Poshtë tabelave gjigante njerëzit hapin sytë, vrapojnë, habiten, zhgënjehen e çka jo tjetër. Është njëfarë terminali ku secili është në hall të vetin.
Edhe vetë shfaqja titullohet kësisoj – “Terminal”. Me koreografi të Evgeny Kozlov dhe Romane Petit me asistent solistin Sead Vuniqi, shfaqja e baletit modern ka ikur nga Prishtina. Ka ndërruar terminal duke pasur premierën në Obiliq.
Të enjten mbrëma krejt ata që kanë dashur të shohin premierën e BKK-së është dashur t’ia mësyjnë Obiliqit. Në shikim të parë s‘duket ndonjë gjë e madhe. Rreth 11 kilometra. Por për të shkuar deri te Qendra e Kulturës në Obiliq – që ka sallën më të mirë në vendin më të varfër të rajonit për infrastrukturë kulturore – nuk është e lehtë sidomos për një shfaqje që nis në orën 19:00. Kolona nuk është e vogël e as gjetja e Qendrës jo aq e lehtë. Krejt bashkë bëhen arsye të bollshme për ta shmangur një ngjarje kulturore. Megjithëse publiku nuk ka munguar, banorët e vendit nikoqir kanë bërë që salla të duket e mbushur. Kësaj radhe ndërrimi i terminalit të shfaqjeve, BKK-së i ka shkuar për shtat.. Por këtë e ka mundësuar pamundësia për të pasur një ambient në Prishtinë.
Lëvizjet e balerinëve në skenë, nëpërmjet baletit modern e bëjnë gjuhën e trupit më dramatike. Shfaqja me muzikë kontemporane bashkon shumë ndjesi në “Terminal”. Është një përballje simbolike me jetën që sot ka secili. Udhëtimet janë të pashmangshme, përderisa përtej udhëtimeve jeta ka marrë një dinamikë të madhe dhe ndërrimi i terminaleve është bërë njëfarë përditshmërie. Balerinët që në këtë projekt janë goxha edhe të gjeneratës së re, zhvillojnë lëvizje midis barrierave të aeroporteve.

Ndjesinë emocionale shfaqja e arrin. Por shihet qartë se është produkt i zorit. Të ndarë me prova midis Prishtinës e Obiliqit, balerinët kanë arritur të përthekojnë mirë konceptin e koreografëve, ku njëri ka punuar më shumë nga distanca. Por skenografia shihet se nuk është e duhura. S’ka pasur tjetër mundësi pasi koncepti kërkonte goxha ndërhyrje në skenë, gjë që s’mund të bëhet në atë të Qendrës së Kulturës në Obiliq. Në Amfiteatrin ku mban aktivitete Teatri Kombëtar i Kosovës në Pallatin e Rinisë, aktualisht po përgatitet shfaqja “Emira” për festivalin mbarëkombëtar të teatrove “Moisiu”, i cili pas Tiranës e Shkupit, sivjet ndërron terminal, vjen në Prishtinë.
Ndërtesa e TKK-së ku ka zhvilluar aktivitetin edhe BKK-ja për më shumë se dy vjet e gjysmë është e mbyllur. Tash ka nisur restaurimi. Krejt këto reflektojnë fort në punën e Baletit Kombëtar të Kosovës që provat i mban duke ndarë hapësirën me ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” në ndërtesën e këtij institucioni. Lodhja e balerinëve duke u endur nga një skutë në tjetrën vërehet fort. Edhe humbja e vullnetit po ashtu.
Por te “Terminal” në Obliq, shfaqja ka funksionuar me gjithë mungesat e konceptit, sherri i shkaqeve të njohura. BKK-ja është shndërruar në njëfarë institucioni nomad. E qytezat e vogla i kanë edhe disa “kushte” të veta. Muhabeti i bërë nga katër gra me zë të plotë gjatë gjithë shfaqjes, deri diku i ka shkuar konceptit të ngjarjes pasi në terminale haset në gjithçka. Për dikë një performancë baleti mund të duket edhe ambient kafehaneje ku njerëzit flasin pandërprerë. E edhe kur marrin telefonin e me dritë të ndezur xhirojnë pa e çarë kokën se dritat janë pjesë e rëndësishme e shfaqjes.

E balerinët vazhdojnë përpjekjet për të shpërfaqur konceptin e “Terminalit”. Lëvizjet janë goxha të çrregullta, njashtu siç i përshtaten një baleti modern ku anën dramatike nuk e shpalos me kronologji për me përzierje ndjenjash. Në raste të tilla fuqia ekspresive e balerinëve nuk lidhet shumë me rregullat e baletit, sidomos me ato të baletit klasik ku zotësia e kërcimit ka norma fikse. Shfaqjet moderne mund të konsiderohen si më të lehta për shumë arsye, por kanë edhe barrën e përçimit tek audienca të asaj që koreografët kanë menduar ta thonë. Në këtë rast, balerinët ia kanë dalë, bile edhe të shmangin mangësitë në skenografi e krejt telashet tjera.
Koreografja franceze, Romane Petit ka thënë se kanë dashur të tregojnë për ndërrimet që bëjnë si njerëz në jetë.
“Terminali është një gjendje e mendjes. Shfaqja zhvillohet në një aeroport dhe përshkruan jetën njerëzore ku gjithnjë na duhet të ndërrojmë diçka ndoshta edhe vendin se ku jetojmë. Kemi dashur të ilustrojmë këtë, e pastaj edhe të papriturat që dalin nga udhëtimet, njerëzit që takojmë e gjëra të tjera”, ka thënë ajo pas shfaqjes. Sipas saj njerëzit nganjëherë duhet të adaptohen, e pastaj e kujtojnë diçka tjetër e adaptimi është i pashmangshëm.
“Ka qenë gjë e shkëlqyer që të bashkëpunojmë me këtë trupë baleti. Por kjo ishte edhe sfiduese në të njëjtën kohë”, ka thënë ajo.
Sfidat qenë jo të vogla edhe për institucionin. Veç logjistika është çështje më vete në raste të tilla.
Një shfaqje kërkon shumë mobilizim. E lëre më kur gjithçka duhet të zhvendoset në Obiliq. Pas duartrokitjeve të publikut punëtorët teknikë ia kanë mësyrë që t’i mbledhin gjërat. E këtë e kanë bërë jo veç ata por edhe disa balerinë, përfshirë edhe solistin Sead Vuniqi. Kjo pamje është shfaqje më vete dhe imazhi i saktë i gjendjes së mjerueshme të BKK-së që tjetërkund ka administratën, diku tjetër mban provat e krejt tjetërkund jep premierë.
“Sfidat janë të mëdha. Por bashkë me drejtorin dhe kolegët kemi punuar shumë që kjo shfaqje të behet pasi shpresojnë se do të lëvizim me të edhe në disa vende të Evropës”, ka thënë solisti Vuniqi.
Sipas tij, bëhet fjalë për një dyshe të koreografëve me të cilët ka bashkëpunuar më herët në Austri.
“Janë shumë të mira dhe shfaqjet e tyre lëvizin shumë. Neve na duhet edhe afirmim i punës e edhe promovim i institucionit e shtetit tonë. Për këtë siç po shihet secili po bën shumë punë që nuk janë tonat", ka thënë Vuniqi.
Derisa punëtorët e balerinët kanë ngarkuar rimorkion e një kamioni me krejt gjërat që duhet për një shfaqje, drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi ka thëne se si propozim ka qenë që të bëhet një shfaqje moderne si për nga struktura dramaturgjike por edhe nga stili i kërcimit.
“Si pjesë e projektit janë edhe festivalet si ai në Gjermani, Holandë e Çeki. Po ashtu në Austri. Ekipi është më i vogël dhe më i lehtë që të udhëtojë. ‘Terminali’ është përdorur si metaforë për të krijuar një shfaqje pasi njerëzit janë çdo ditë në udhëtim”, ka thënë Kajtazi.
Ka treguar se pikë lidhëse me autorët qe solisti i BKK-së, Sead Vuniqi.
“Autorët kanë luajtur me përditshmërinë tonë. Të shkosh nga një qytet në tjetrin përjetohen shumë gjëra dhe autorët kanë prekur këtë përditshmëri. Pastaj relacionet ndërnjerëzore gjatë udhëtimeve janë përfshirë në shfaqje me mjeshtri”, ka thënë Kajtazi.

Sa i përket faktit se BKK-ja është detyruar që të ndërrojë lokacion, ai ka thënë se ka kohë që janë në gjendje emergjente.
“Ne jemi në gjendje emergjente prej kohësh. Jemi duke e përsëritur shpesh por kjo është gjendja jonë. Jemi shumë falënderues ndaj Komunës së Obiliqit për ndihmën që na kanë bërë me këtë ambient pune. Por audienca nuk e ka të lehtë të vijë deri këtu për shfaqje. Mandej disa kërkesa të koreografes për skenografi ka qenë e pamundura me këtë skenë. Po mundohemi që brenda kushteve të bëjmë më të mirën”, ka thënë Kajtazi.
“Terminal” ka kthyer te publiku sfidat e udhëtimeve por nëpërmjet simbolikave edhe ato të rrugëtimit jetësor. Se cili do të jetë terminali i ardhshëm i Baletit Kombëtar të Kosovës nuk dihet. Është shndërruar në një trupë nomade në mungesë hapësirash. E në raste të tilla edhe produkti artistik është i kushtëzuar. Por jo edhe vullneti i balerinëve për ta mbajtur afër publikun.