“Sapo të krijohen kushtet teknike dhe kurdo që të jetë në dispozicion trupa e ‘Qendrës Multimedia’ besoj se shfaqja do të jepet”, ka thënë Burim Mustafa, drejtor i teatrit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, për shfaqjen “Të gjashtët kundër Turqisë”, e cila u anulua për shkaqe teknike përderisa kanë shpërthyer kërcënimet dhe një kërkesë për ta anuluar me arsyetimin se është “përgatitur kundër interesave të Turqisë, po ashtu kundër presidentit të Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdogan”. “Janë evidente sulmet publike në rrjete sociale por kjo nuk mund të ndikojë në vendimmarrjen apo vijueshmërinë e punës së institucionit të teatrit”, ka thënë Mustafa
Mbrëmja e së premtes në teatrin e Prizrenit “Bekim Fehmiu” ishte rezervuar për “Të gjashtët kundër Turqisë” të anuluar tashmë për shfaqe teknike. Teatri e ka konfirmuar këtë, njësoj siç i ka konfirmuar edhe sulmet që i janë bërë në rrjete sociale por edhe tërthorazi në rrugë zyrtare, me kërkesën për anulimin e saj adresuar kryetarit të Komunës së Prizrenit.
Por institucioni teatror s’e ka ndërmend të zmbrapset. “Të gjashtët kundër Turqisë” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, produksion i “Qendrës Multimedia”, do të jepet kur të evitohet mungesa e ngrohjes në sallë.
“Sapo të krijohen kushtet teknike dhe kurdo që të jetë në dispozicion trupa e ‘Qendrës Multimedia’ besoj se shfaqja do të jepet”, ka thënë për KOHËN, Burim Mustafa, drejtor i teatrit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”.
Dy ditë më parë, bashkë me lajmin për anulimin e “Të gjashtët...” në Prizren, u bënë publike edhe sulmet në adresë të teatrit dhe të “Qendrës Multimedia” tok me kërkesën e një anëtari të Kuvendit Komunal të Prizrenit, i cili i kërkon kryetarit Shaqir Totaj ta anulojë shfaqjen e “përgatitur kundër interesave të Turqisë, po ashtu kundër presidentit të Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdogan, dhe vlerave të komunitetit turk”. Kërkesa mban firmën e Ertan Simitçi, anëtar i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, kryetar i Partisë Turke të Lëvizjes Novatore, i cili kryetarit i drejtohet edhe si përfaqësues i komunitetit turk. “Kjo shfaqje është kundër vlerave të komunitetit turk” e “kundër Turqisë e presidentit turk”, janë konstatimet e tij në letrën ku e lut kryetarin Totaj që t’i shfrytëzojë kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore dhe të mos lejohet që të jepet shfaqja.
“Ne e dimë që Ju si kryetar nuk keni pasur informatë rreth kësaj çështjeje, andaj ne kërkojmë që të kërkohet përgjegjësi nga drejtori i teatres dhe menaxhmenti për këtë ngjarje”, kishte shkruar Simitçi.
Por Teatri i Prizrenit nuk ka marrë kërkesë të tillë.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tash e dy ditë nuk i është përgjigjur KOHËS, as në telefon e as nëpërmjet e-mailit zyrtar ku i janë adresuar pyetjet në lidhje me këtë rast.
“Sa i përket kërkesës për anulim të shfaqjes, ne si teatër nuk kemi marrë ndonjë kërkesë zyrtare”, ka thënë Mustafa.
Dy ditë më parë, “Qendra Multimedia” doli me sqarim për rastin e krijuar.
“Teksa përgatiteshim për të shkuar në Prizren, ne si ‘Qendra Multimedia’ dhe teatri ‘Bekim Fehmiu’ jemi bërë subjekt i sulmeve, kërcënimeve, presioneve e gjuhës urryese nga persona të ndryshëm nëpër rrjete sociale, të cilët s’e duan as teatrin e as neve në Prizren. Fillimisht u dakorduam që shfaqjen ta luanim më 6 dhjetor. Mirëpo, për shkak se teatri i qytetit ‘Bekim Fehmiu’ është duke u ballafaquar me probleme me ngrohje, na u desh ta shtynim shfaqjen për një datë të re, derisa të rregullohet problemi me ngrohje”, kishte shkruar “Multimedia”. Në bashkërendim me teatrin, “Multimedia” kishte bërë të ditur se shfaqjen do ta luajnë “përkundër presioneve e kërcënimeve, qoftë edhe me praninë e policisë, nëse kjo gjë do të bëhej e nevojshme”.
Kërcënimet e kërkesa për anulim, sipas drejtorit të Teatrit të Prizrenit, nuk mund të ndikojnë te ky institucion.
“Janë evidente sulmet publike në rrjete sociale por kjo nuk mund të ndikojë në vendimmarrjen apo vijueshmërinë e punës së institucionit të teatrit”, ka thënë Mustafa. I është rikthyer shkakut të anulimit.
“Problemet teknike janë me ngrohjen e sallës. Gjatë renovimit (të teatrit v.j.) është instaluar sistem i ri me pompa termike i cili ende nuk është funksionalizuar në sallë. Prej datës 26 (nëntor) deri më tani janë mbajtur vetëm dy evente në sallë. Koncerti i SHKA ‘Agimi’ (pa ngrohje) dhe koncerti i Orkestrës Frymore të Filharmonisë së Kosovës me ç’rast për ngrohjen e sallës është kujdesur vetë Filharmonia duke e ngrohur me kalorifer portativ”, ka thënë Mustafa. Teatri do të propozonte që edhe për shfaqjen e paraparë të premten mbrëma, ta bënin të njëjtën gjë.
“Mirëpo ka qenë e pamundur pasi që Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit na ka njoftuar se operatori ekonomik ka ende punë me ngrohjen dhe gjatë punëve ndërpritet edhe furnizimi me energji elektrike nga trafoja”, ka thënë Mustafa.
Pluhuri që çojnë shfaqjet me tekste të Jeton Nezirajt, është i rëndomtë tashmë. “Të gjashtët kundër Turqisë”, edhe para premierës në Prishtinë në tetor ka trazuar autoritetet turke deri te Ambasada e Turqisë në Kosovë. Anulimin e saj e kishte kërkuar publikisht nëpërmjet medias “Yeniakit” që njihet si platformë mediale në përkrahje të pushtetit aktual në Turqi, Ayhan Demir, që vetidentifikohet si shkrimtar për çështje ballkanike. Kishte shkruar tekstin “Propaganda e FETO-s në Kosovë”. Në këtë shkrim ai kishte bërë një bilanc të ndihmave që, sipas tij, Turqia ia ka bërë Kosovës. E më pas kishte nisur të tregojë se shfaqja nuk përmend heronjtë e veteranët e grushtit të shtetit dhe se Fetullah Gülen nuk përshkruhet si terrorist, por si klerik në ekzil. Kishte kërkuar edhe llogari nga Ministria e Kulturës në Kosovë.
“Ministria e Kulturës e Kosovës nuk mund të izolohet duke thënë se ka përkrahur ‘Qendrën Multimedia’ dhe jo këtë shfaqje. Pritja jonë nga Ministria e Kulturës e Kosovës është që të njoftojnë se mbështetja që i është dhënë ‘Qendrës Multimedia’ do të tërhiqet nëse vihet në skenë kjo shfaqje, e cila do të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve”, kishte shkruar Demir duke kërkuar që autoritetet e Kosovës të mos përpiqen të fshihen pas “perdes së ‘demokracisë’ ose ‘lirisë së mendimit’”. Po ai kishte përmendur Ambasadën e Turqisë në Kosovë e cila “është e interesuar nga afër për këtë çështje”.
“Të gjashtët kundër Turqisë” e ka zanafillën te mësimdhënësit turq të cilët në një mëngjes të vitit 2018 ishin kapur nga Policia e Kosovës. Atyre u ishin revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë dhe shteti më i ri në Evropë ua kishte dorëzuar shërbimeve turke, ku nëpërmjet një avioni të veçantë ishin dërguar në Turqi, drejt e në burg. Të gjashtit, sipas shtetit turk që udhëhiqet prej vitit 2002 nga Recep Tayyip Erdogan, ishin pjesë e “krahut” të klerikut në ekzil, Fetullah Gülen. Lëvizja e Gülenit – dikur prej njerëzve më të afërt të Erdoganit – fajësohet nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Asokohe arrestimet në Turqi ishin në masë. E shfaqja e “Qendrës Multimedia” merret me autoritarizmin. Shtron pyetje relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse përtej kufijve.
Kritiku i teatrit Igor Buriq, në një shkrim autorial botuar në “dnevnik.rs” e kishte cilësuar “rrëfim për guximin, “për njerëzit në hall, për të cilët – përveç kur shërbejnë për klika – kryesisht heshtet”. “Kur sot guximi qytetar është i rrallë, edhe më e rëndësishme është ndonjë deklaratë e herëpashershme e lirisë (artistike). Frika fiton!?”, kishte shkruar ai.