“Vojçeku” në versionin modern por që i flet vuajtjes njerëzore, tjetërsimit e pasigurisë financiare, është drama e parë që do ta inskenojë Teatri i Gjakovës “Hadi Shehu”, në hapjen e një viti sfidues financiarisht, por me synimet për të sjellë maksimumin. Drama klasike është produksioni madhor i këtij institucioni, por që e “tkurr” buxhetin e pamjaftueshëm të teatrit që synon edhe të tjera shfaqje të reja
Fillimviti për institucionet kulturore kryesisht nënkupton planifikimin e ngjarjeve e ndërtimin e programeve. Edhe teatri i Gjakovës “Hadi Shehu” shpejt e mbledh bordin për ta bërë këtë, por shfaqja e parë premierë veçse është e planifikuar. “Vojçeku” e Georg Büchner nën regji të Zana Hoxhës është vënia e parë në skenë për sivjet. Drama klasike është produksioni madhor i këtij institucioni, por që e “tkurr” buxhetin e pamjaftueshëm të teatrit që synon edhe të tjera shfaqje të reja.
Drama e autorit gjerman, Georg Büchner, përshkruhet si portret i fuqishëm dhe thellësisht emocional i vuajtjes njerëzore dhe efektit shkatërrues të padrejtësive shoqërore. Në skenën e Gjakovës vihet si adaptim nga autori anglez, Jack Thorne, në një version më modern të asaj që konsiderohet si një nga dramat më të interpretuara dhe më me ndikim në letërsinë gjermane.
Në sinopsisin e shfaqjes bëhet e ditur se subjekti qendror është Vojçeku, një ushtar i varfër dhe i shtypur që përballet me realitetin e zymtë të jetës së tij. Shfaqja ndërtohet duke shpërfaqur mungesën e sigurisë financiare, shfrytëzimin e tij nga eprorët dhe, sipas përshkrimit të shfaqjes, degradimi si objekt eksperimentesh mjekësore.
“Ai përpiqet të sigurojë jetesën për gruan e tij Marian dhe fëmijën e tyre të vogël, por presioni i varfërisë dhe dhuna psikologjike fillojnë ta çojnë drejt shpërbërjes mendore”, shkruhet aty.
Drejtoresha e Teatrit të Gjakovës, Albulena Kryeziu-Bokshi, ka bërë të ditur se rolin kryesor, atë të Vojçekut, e luan Bujar Ahmeti. Ndërsa në role të tjera luajnë aktorët Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Aurita Agushi, Altina Kusari, Arbies Komoni dhe Eden Kastrati.
“Është dramë klasike, por Zana e ka përzgjedhur një rishkrim që e ka bërë autori anglez, Jack Thorne. Është një vepër e cila flet për Berlinin e ndarë. Ngjarja ndodh pas Luftës së Dytë Botërore. Bujar Ahmeti do të jetë në rolin kryesor. Një vepër bukur e madhe e shumë serioze me të cilën presim që në fund të shkurtit, eventualisht në fillim të marsit, të dalim me premierë. Nuk mund të përcaktohemi për datën edhe për shkak të kohës së rinovimit të sallës pasi është duke u punuar ventilimi. Pa u kryer ky proces ende nuk e dimë sa do ta kemi sallën në dispozicion”, ka thënë ajo.
Salla e shtëpisë së kulturës “Asim Vokshi” ku, pos shfaqjeve teatrore, aty është e përqendruar skena kulturore në Gjakovë, aktualisht është në renovimeve të sistemit të ventilimit. Kësisoj, provat për shfaqjen “Vojçeku” pritet të nisin më 15 janar.
“Është shfaqje shumë e madhe si produksion me kostume shumë të bukura e skenografi shumë të bukura. Shfaqja nën regji të Zana Hoxhës ka qenë e paraparë për vitin e kaluar, por për shkaqe të ndryshme është shtyrë për këtë vit. Është kjo shfaqje do të jetë në repertor të këtij viti. Besoj se do të mbërrijmë që së paku ta sjellim në Prishtinë”, ka thënë Kryeziu-Bokshi.
Sipas të dhënave për dramën, dramaturgu gjerman, Georg Büchner, mendohet se filloi ta shkruajë atë rreth fundit të korrikut dhe fillimit të tetorit 1836. Kur ai vdiq në fillim të shkurtit 1837, vepra mbeti si një fragment. “Woyzeck” u shfaq për herë të parë në shtyp në 1879, ndërsa u shfaq më 8 nëntor 1913 në “Residenztheater” në Münich . Që atëherë është përkthyer në shumë gjuhë dhe është inskenuar gjithandej.
Për dramën shkruhet se mishëron “llojin e dramës së hapur, edhe nëse ky interpretim ka tentuar të braktiset kohët e fundit dhe një caktim për dramë të hapur supozohet vetëm për shkak të natyrës fragmentare të veprës”.
Skenografinë do ta bëjë Petrit Bakalli me anglezen Grace Rumsey, e cila do të punojë edhe kostumet ndërsa muzikën, Tomorr Kuçi.
Drejtuesja e këtij teatri, Albulena Kryeziu-Bokshi, ndonëse nuk është hartuar plani final, ka thënë se këtë vit synojnë t’i mbajnë shfaqjet në repertor si dhe të rikthejnë disa prej tyre që nuk u është dhënë hapësirë të vihen në skenë.
“Qëllimi është t’i rikthejmë disa shfaqje të tjera të cilat publiku nuk ka pasur mundësi t’i shohë, për shkak të renovimeve që kanë ndodhur, aktiviteteve të shumta që kanë qenë në Gjakovë, sidomos fundi i vitit ka qenë i mbingarkuar me aktivitete, them për të mirë për qytetin. Por neve na ka penalizuar pak sepse nuk e kemi pasur gjithmonë hapësirën që na është dashur”, ka thënë ajo.
Derisa ka përmendur produksionet e realizuar vjet të Teatrit të cilat institucioni planifikon t’i bartë në repertor, aty përfshihet edhe një shfaqje për fëmijë.
“Prej këtij viti besoj se do të rikthehet shfaqja ‘Masë për masë’ që është shfaqje në bashkëpunim me Teatrin e Prizrenit nën regji të Altin Bashës. Do ta kthejmë shfaqjen ‘Anima Mea’ që e ka pasur premierën vitin e kaluar, por që shumë pak e kemi pasur rastin ta luajmë. Do të vazhdojmë me reprizat e ‘Bëje ose vdis’ që e pati premierën në dhjetor, gjithashtu edhe me shfaqjen për fëmijë ‘Magjistari nga Ozi’”, ka thënë Kryeziu-Bokshi.
Gjithashtu në program planifikohet edhe shfaqja “Bëje ose vdis” me tekst të Jeton Nezirajt dhe nën regji të Blerta Nezirajt. Drejtuesja e Teatrit ka bërë të ditur se kjo shfaqje e hap festivalin e dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës” që zhvillohet nga 22 deri më 28 janar në Gjilan në kuadër të programit të festivalit “Flaka e Janarit”.
60 mijë euro është totali i buxhetit të Teatrit të Gjakovës për sivjet. Aq ka qenë edhe vitin e kaluar. Por një pjesë e kësaj shume duhet të shkojë për produksionin e fundit të institucionit – “Bëje ose vdis” i cili nuk është mbuluar tërësisht. Buxheti mbetet njëra prej sfidave për institucionin.
“Është buxhet solid i cili nuk na jep shumë mundësi të punojmë duke qenë se, për shembull, shfaqja nën regji të Zanës është gati e papërballueshme të mendohet të punohet edhe një shfaqje tjetër premierë gjatë këtij viti, por do të bëjmë të pamundurën. Jam në bisedime për koo-produksione. Janë edhe disa projekte të tjera të cilat do t’i punojmë me aktorët e teatrit dhe besoj se do të jetë vit i frytshëm sado që them se me buxhetin që kemi është e pamundur ta bëjmë atë që me të vërtetë do të donim ta punojmë dhe sasinë e premierave që do të donim t’i sillnim në skenë”, ka thënë ajo në një përgjigje për KOHËN.
Por sipas saj, sfidë mbetet edhe hapësira e cila shfrytëzohet pothuajse për të gjitha aktivitetet kulturore. Është shprehur se lufta më e madhe e saj është të krijohet një repertor i qëndrueshëm. Krahas shfaqjeve në repertorin e tij, Teatrit sivjet i është lehtësuar puna për të sjellë shfaqje mysafire në Gjakovë.
“Ka ndodhur një ndryshim i rregullores, gjë për të cilën i jam shumë falënderuese Drejtorisë për Kulturë, sepse ka qenë gati e pamundur të ftosh shfaqje mysafire për shkak që sipas rregulloreve që kanë qenë në fuqi, kushdo që vjen prej shfaqjeve mysafireve, duhej të paguante sallën. Kjo na pengonte të ftojmë teatrot tjera të shfaqin punët e tyre në Gjakovë”, ka thënë drejtoresha e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, Albulena Kryeziu-Bokshi.
Vitin e kaluar, institucioni pati tri premiera. Shfaqja për fëmijë “Magjistari nga Ozi” nën regji të Butrint Pashës u dha premierë më 4 prill. Më 9 qershor u dha premiera e komedisë “Anima Mea” nga Seadet Beqiri nën regji të Ilir Bokshit. Mister, joshje, ambicie, pushtet, intrigë e zgjedhje janë ato që e karakterizojnë këtë shfaqje.
“Bëje ose vdis” e mbylli vitin e kaluar me premierë më 14 dhjetor. Në shfaqjen me tekst të Jeton Nezirajt dhe nën regji të Blerta Nezirajt, figura e Ukshin Hotit vjen si simbol i fatit tragjik i të burgosurve politikë shqiptarë. Protagonisti në qendër është emblemë e kujtimit të të zhdukurve. Ajo reprezenton rezistencën e popullit ndaj regjimit serb.