Festë e nderim për ata që i dhanë formë skenës teatrore në vend, ka qenë ceremonia e ndarjes së çmimeve tradicionale nga Ministria e Kulturës. Nëpërmjet tyre janë “lexuar” edhe mesazhet. Me Çmimin për Vepër Jetësore është nderuar kostumografja Samka Ferri, që u takon atyre që rëndom kontribuojnë nga prapaskena. Çmimin për Shfaqjen më të Mirë e ka marrë Teatri Kombëtar i Kosovës, i cili përballet me sfida kushtesh përderisa greva 100-ditëshe s’u përmend në ceremoni. Çmimin për Regjinë më të Mirë e mori Erson Zymberi, që realizoi shfaqje me buxhet minor, atë për Aktorin më të Mirë, Shpëtim Selmani, i cili ende s’është aktor rezident i asnjë teatri, e “Qendra Multimeda” përsërit suksesin për prezantim në skenën ndërkombëtare. Mesazhi botëror i shkruar sivjet nga regjisori grek, Theodoros Terzopoulos, është thirrje për të dalë nga një botë e qytetarëve të varfëruar, të mbyllur në qeli të realitetit virtual
Është një traditë tashmë 63-vjeçare kur gjithandej, në Ditën Botërore të Teatrit, matet pesha e tij në shoqëri, shpërndahen mesazhe universale për të e nderohen edhe personalitete që mbajnë gjallë frymën e tij. Njësoj bën edhe Kosova.
Çmimet në fushën e teatrit, që ndahen nga Ministria e Kulturës, janë festë e nderim, rëndom për ata që shihen në skenë. Por, sivjet me Çmimin për Vepër Jetësore është nderuar kostumografja ikonike Samka Ferri. Me një karrierë të bujshme prej më shumë se katër dekadash, ajo qe e angazhuar në teatër, balet, film e televizion.
Të enjten, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ajo është çmuar për profesionalizmin, përkushtimin shenjat e pashlyeshme që ka lënë jo vetëm në skenën teatrore.
Në Ditën Botërore të Teatrit, Ministria e Kulturës ka nderuar veprën e Ferrit ku, sipas arsyetimit të jurisë, midis tjerash, vlerësohet për llojllojshmërinë e kostumeve, përdorimin e materialeve, nuancat estetike dhe dramatike.
Po në këtë ceremoni janë darë edhe çmimet vjetore. Aty janë mbledhur një numër i vogël i njerëzve të skenës teatrore në vend.
Kostumografja Samka Ferri, e përhershme në Teatrin Kombëtar të Kosovës deri në pensionim më 2028, është shprehur e nderuar me çmimin.
“Jam e nderuar, sepse kolegët e mi më kanë vlerësuar për punën time shumëvjeçare dhe kontributin që e kam dhënë në fushën e kostumografisë”, ka thënë Ferri, e lindur në Pejë më 1953, ku përfundoi shkollimin fillor e të mesëm, kurse studimet i mbaroi në Shkollën e Lartë të Tekstilit dhe të Veshjes në Universitetin e Zagrebit më 1976. Punoi si kostumografe në Televizionin e Prishtinës prej vitit 1977 deri më 1990, kur Serbia i dëboi punëtorët shqiptarë nga ky institucion. Më pas për gati një çerekshekulli qe kostumografe në TKK.

Juria e kryesuar nga regjisori Alban Beqiraj, në përbërje të Aurita Agushit, Agon Myftarit, Blerta Syla-Surroit dhe Xhevdet Dodës, në arsyetimin për dhënien e Çmimit për kostumografen Ferri, ka shkruar se ajo “për dekada ka formësuar skenën teatrore në Kosovë dhe jo vetëm”.
Me çmimin për Shfaqjen më të Mirë të vitit të kaluar është vlerësuar Teatri Kombëtar i Kosovës për shfaqjen “Martesa”, me autor polakun Witold Gombroëicz dhe nën regji e adaptim nga Norbert Rakowski. Produksioni i TKK-së, i dhënë premierë në shtator të vitit të kaluar, përthekon problematikat e shoqërisë pas Luftës së Dytë Botërore e që gjëllijnë edhe sot. Aty është drama e njeriut që kërkon autenticitetin e tij.
Në shfaqjen e vlerësuar të enjten nga Ministria si më e mira e vitit të kaluar, njeriu është aktor në teatrin e përditshëm të jetës. Çështjet komplekse e filozofike aty shtrohen me gjuhë të ashpër.
Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka theksuar kushtet e vështira në të cilat funksionin institucioni.

“Jemi shumë të lumtur që pavarësisht rrethanave më të cilat punojmë, pavarësisht se kemi ardhur në një hapësirë si Amfiteatri i Teatrit Kombëtar këta dy vjetët e fundit, në kushte shumë të vështira. Është viti i dytë me radhë që po prodhojmë këtu dhe po e fitojmë Çmimin për Shfaqjen më të Mirë”, ka thënë Sheremeti.
E drejtuesi artistik i këtij institucioni, Kushtrim Mehmeti, ka thënë se midis shtatë propozimesh nga regjisori Rakowski, “Martesën” e kishte zgjedhur pavetëdijshëm.
“Shfaqja ‘Martesa’ është një ëndërr e një të kthyeri nga lufta ku asgjë nuk është më e njëjtë dhe ku gjithçka ka ndryshuar. Kur Norberti m’i dha shtatë propozime, unë pavetëdijshëm e zgjodha këtë vepër dhe tash e kuptoj mirë pse”, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se të duash teatrin do të thotë të mbash gjallë kujtesën.
Juria e ka vlerësuar shfaqjen për realizimin skenik të një materiali të dendur, eksperimental, dramaturgjik, eksplorimin skenik të temave të identitetit, absurditetit dhe transformimit shoqëror, trajtimin e dilemave të një shoqërie që është duke u rikuperuar nga plagët e së shkuarës dhe në sfidë për të rindërtuar marrëdhënie të reja njerëzore, pritshmëri dhe projeksione për të ardhmen.
Është vlerësuar se shfaqja vendos paralele midis realiteteve dhe ëndrrave.
“Për simbolikat gjuhësore, skenike, regjisoret ekspresive minimaliste që vendos paralele midis realiteteve dhe ëndrrave, interpretimi i fuqishëm i ansamblit dhe shënimi i suksesit të tij duke e bërë një nga shfaqjet më të diskutuara dhe të vlerësuara të sezonit”, thuhet në arsyetimin e jurisë të lexuar nga aktorja Aurita Agushi.
Çmimin për Regjinë më të Mirë e mori Erson Zymberi për regjinë e shfaqjes “Djali” të francezit Florian Zeller, produksion i vetë regjisorit që u dha premierë në Teatrin e Gjilanit, nëntorin e kaluar.

I takon atij që quhet teatër i heshtur, i varfër, por shfaqja “Djali” flet zëshëm. Mesazhet janë të shumëfishta në shfaqjen që përherë gjeneron emocione të trishta që bëhen intensive secilën herë. E bën publik intimitetin e kompleksitetin e marrëdhënieve në familje. Alarmon për peshën e gabimeve.
Juria e ka vlerësuar shfaqjen për “inskenimin dhe trajtimin e materies së dendur psikologjike dhe dramaturgjike, estetikën minimaliste në skenë, ndërtimin e strukturave me motive vizuale e përdorimin e hapësirës në vend performativ, ndërlidhjen e skenave me intensitetin dramatik të dramës familjare...”.
Regjisori Erson Zymberi ka theksuar se kjo shfaqje qe mbështetur nga Ministria me vetëm pesë mijë euro.
“Më gëzon fakti që me një shumë shumë të vogël të një projekti të tillë jemi vlerësuar me një çmim që konsideroj se është shumë i rëndësishëm në karrierën time, por edhe për ekipin e shfaqjes pasi flet shumë për mënyrën sesi po bëhet teatri sot në Kosovë”, është shprehur regjisori Zymberi.
Ka thënë se mënyra e krijimit të shfaqjes flet për realitetin e shfaqjeve sot, të cilat anojnë nga spektakli.
“Flet për investimet në terma të jashtëzakonshëm, në krijimet spektakël, në intervenimet artistike ku një teatër si shfaqja ‘Djali’, që nuk është e vetmja e tillë, që jam shumë i lumtur që në teatrin e varfër i kushtohet shumë rëndësi fjalës, punës me aktorët dhe jo investimeve të jashtëzakonshme në skenografi e kostume, por më shumë me afërsinë, heshtjen dhe atë se sa e rëndësishme është të punosh me tema sociale”, ka thënë regjisori Erson Zymberi.
Çmimi për Aktorin më të Mirë e mori Shpëtim Selmani për rolin kryesor në shfaqjen “Të bardhët” me autor Steven Leigh Morris, nën regji të Besim Ugzmajlit.
Drejtori artistik i kamotshëm i teatrit, Louisi, aktron dhe e bën regjinë në të njëjtën kohë me shfaqjen “Mbreti Lir” të Shekespeareit. Rolin e sjell aktori Shpëtim Selmani, i cili pret publikun në skenë duke lexuar tekstin. Zbulohet që në nisje gjendja e rëndë shëndetësore e personazhit që qëllim ka t’i lërë mesazhe botës me një shfaqje të fundit.
Aktori Selmani është shprehur se që në fillim kishte ndjenjë refuzimi ndaj këtij roli edhe për shkak se e kishte përjetuar në realitet te një familjar të njëjtën sëmundje me të cilën përballet në shfaqje karakteri të cilin ai e luan.

“Halla ime para disa kohësh kishte ndërruar jetë nga e njëjta sëmundje. E kisha parë në momentet e fundit sa dergjej në shtrat ndërkohë jashtë shkëlqenin fishekzjarrët me rastin e ndërrimit të moteve. Ballafaqimi me një qenie njerëzore që është në momentet e fundit të jetës është i dhembshëm, prekës dhe na jep mësime brilante mbi kuptimin e të jetuarit dhe mënyrës sesi e jetojmë atë”, është shprehur aktori Selmani.
Paraqitja e tij në këtë shfaqje vlerësohet ekspresive nga juria.
“Për paraqitjen ekspresive të personazhit që shpalos hipokrizinë e pashmangshme në një shoqëri të ndarë nga tensione jetësore, nuanca dhe kompleksitete të një karakteri që përpiqet të kuptojë veten dhe pozitën e të tjerëve në një realitet të mbushur me pabarazi, për intensitetin dramatik në ballafaqim diskursiv si dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në rolin e Louis”, ka përcjellë aktorja Aurita Agushi.
Për prezantimin në skenën ndërkombëtare të shfaqjeve “The Handke Project”, “Negotiating Peace”, “Kthimi i Karl Majit” dhe jo vetëm, “Qendra Multimedia” për të dytin vit radhazi merr Çmimin për Prezantim Ndërkombëtar. Është vlerësuar se ky institucion ka ndërtuar ura bashkëpunimi me institucione të rëndësishme ndërkombëtare të teatrit.
“Për bashkëprodhimin e produksioneve dhe praktikës, konsultimet poetike me Teatrin e qytetit të Parisit, atë të Lisbonës, për organizimin e festivalit ‘Polip’ dhe ‘Kosova-Albania Theatre Showcase’ me mbi njëqind mysafirë ndërkombëtarë në Tiranë në kuadër të së cilit janë prezantuar shfaqjet e Kosovës dhe janë shkruar mbi njëqind artikuj në media të ndryshme ndërkombëtare”, shkruhet në një pjesë të arsyetimit të jurisë për ndarjen e këtij çmimi.
Drejtoresha e programit të “Qendrës Multimedia”, Aurela Kadriu, ka thënë se puna e tyre është akt rezistence në një kohë kur po ndërtohen mure midis njerëzish.

“Të këmbëngulësh të komunikosh me njerëz përmes teatrit në këto rrethana, kalon përtej faktit të thjeshtë të promovimit dhe bëhet akt rezistence ndaj këtyre mureve që po ndërtohen. Kjo është rezistenca jonë. Komunikojmë me publikun, me njerëzit, me të gjithë në botë ku kemi mundësi të komunikojmë me shfaqjet tona, tentojmë që edhe shfaqjet, edhe skenën teatrore të Kosovës ta promovojmë ndërkombëtarisht”, është shprehur ajo.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është shprehur falënderues për punën e kontribuuesve të skenës teatrore në vend, derisa ka thënë se skena teatrore funksionon përkundër sfidave e mungesës së kushteve.
“Shpesh ka shumë sfida, nga kushtet e punës e deri në telashet të tjera, por përkundër atyre, me shumë përkushtim ju i shërbeni skenës, teatrit dhe publikut”, ka thënë Çeku.
Në ceremoni nuk është përmendur fare greva e aktorëve, që rezultoi me bllokim më shumë se 100 ditësh të institucionit më të lartë teatror në vend.
Vitin e kaluar Ministria nderoi post mortem aktorin e regjisorin e shquar, Muharrem Qena, me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore.
Prej vitit 1962, gjithandej shënohet Dita Botërore e Teatrit dhe për çdo vit shpërndahet mesazhi për peshën e këtij arti. Sivjet atë e ka shkruar regjisori grek Theodoros Terzopoulos, i cili pyet nëse “teatri mund ta dëgjojë thirrjen emergjente SOS që kohët tona po e dëgjojnë, në një botë të qytetarëve të varfëruar, të mbyllur në qeli të realitetit virtual, të ngujuar në privatësinë e tyre frymëzënëse?”
“Na duhen rrugë të reja rrëfimi që synojnë të kultivojnë kujtesën dhe të formësojnë një përgjegjësi të re morale e politike për të dalë nga diktatura shumëformëshe e mesjetës së sotme”, ka porositur ai, përcjellë nga drejtori i institucionit teatror shtetëror, Kushtrim Sheremeti.