Kulturë

Teatri dy vjet nën dry, 5.4 milionë euro kostoja fillestare e restaurimit

Teatri Kombëtar i Kosovës

Me një histori prej gjashtë rinovimesh e ndërhyrjesh prej pasluftës, objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës – qiraxhi tash gati dy vjet në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit – pret restaurimin e tërësishëm kaherë të paralajmëruar. Kostoja fillestare është 5.4 milionë euro, por ende pa nisur është konfirmuar se kaq nuk do të mjaftojnë. Projekti ideor parasheh ndërhyrje minore në objektin që mbrohet si monument, por synohet modernizim në enterier, krijim hapësirash të reja, përderisa skena dhe kapaciteti i sallës mbesin të njëjta. Projekti detaj pret dritën jeshile, përderisa për nisjen e punimeve nuk ka ende afat

Historia e restaurimit të tërësishëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka hyrë në fazën e fundit sa i përket projektimit. Deri në këtë stad është ardhur pasi janë bërë gati dy vjet prej se ndërtesës së institucionit më të lartë teatror në vend i ishte vënë dryni. Kostoja fillestare e restaurimit: 5.4 milionë euro. Por nuk do të mjaftojnë as kaq. Qysh tash është paralajmëruar se “çmimi” do të rritet për miliona të tjerë. Sipas dokumenteve, Ministria e Kulturës është bërë gati që të mbulojë shpenzime deri në 10 milionë euro. 

Projekti i hartuar nga profesorët universitarë të Fakultetit të Arkitekturës dhe ai i Inxhinierisë së Ndërtimit ruan formën aktuale të ndërtesës së viteve ’40 të shekullit të kaluar. Shtesa janë bërë nga prapa në një aneks të shtuar në vitet ’80. Arkitektura e re e bazuar në nevojat e institucionit nuk tejkalon pikën më të lartë aktuale të monumentit. 

Interpolimi – siç njihet ndërhyrja me shtesa në monument – është bërë për t’iu përshtatur kërkesave të TKK-së. Në bazë të projektit, të cilin e posedon KOHA, bëhet fjalë për ndërhyrje prapa, pjesa që ka dalje në rrugën “Agim Ramadani”. Ana ballore e ndërtesës do të ngelet e njëjta, por me fasadë të re. Emërtimi – Teatri Kombëtar i Kosovës – zmadhohet.

Projekti i hartuar nga profesorët universitarë të Fakultetit të Arkitekturës dhe ai i Inxhinierisë së Ndërtimit ruan formën aktuale të ndërtesës së viteve ’40 të shekullit të kaluar. Shtesa janë bërë nga prapa në një aneks të shtuar në vitet ’80

Në pritje të miratimit të projektit detaj

Grupi i profesorëve projektues ka paraqitur dy opsione. Komisioni i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka zgjedhur që t’i japë dritën jeshile atij, ku parashihen më pak ndërhyrje në strukturën e jashtme. Projekti ideor është miratuar më 1 nëntor të vitit të kaluar. Në bazë të asaj që shihet, projektuesit kanë studiuar secilën pjesë të TKK-së dhe kanë marrë parasysh vlerat historike, shoqërore e ato arkitekturore të ndërtesës. Sivjet Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka kthyer prapa për plotësime një version të projektit detaj. Versioni përfundimtar pritet që të miratohet këto ditë.

Me projektin ideor, në objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas restaurimit nuk ka vend për Baletin Kombëtar të Kosovës. Aty BKK-ja pati sallën e ushtrimeve e zyrat e administratës qysh prej rithemelimit të Baletit, fill pas luftës. Tash është pak në ambientet e “Shotës” e pak në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit. 

“Tash së voni është dorëzuar edhe faza e fundit e atij projekti. Jemi në procedurën e sigurimit të pëlqimit përfundimtar nga komisioni përkatës në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Në momentin që do të bëhet përmbyllja e procedurës javën e ardhshme, ne i kemi të gjitha autorizimet për ta shpallur procedurën e restaurimit. Jemi brenda kornizës buxhetore që kemi ndarë për restaurimin e TKK-së”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Sa i përket anës së buxhetit, ministri Çeku ka bërë të ditur se tashmë kanë marrë masat e duhura. 

“Kjo informatë (5.4 milionë v.j.) ka qenë e fundit, por mundësia është që të shkojmë edhe pak përtej, pasi faza që është hartuar herën e fundit ka të bëjë me akustikën dhe ajo ka disa specifika të caktuara. Ta shohim tash kur të përfshihet edhe akustika në totalin e paramasës se në çfarë shume do të shkojmë. Por edhe nëse e tejkalojmë këtë shumë në kornizën afatmesme të shpenzimeve e kemi buxhetin e nevojshëm. Shpresojmë shumë që procedura e prokurimit për operatorin punëkryes të shkojë në afate optimale në mënyrë që sa më parë të nisë punë në ndërtesën e Teatrit”, ka thënë ministri Çeku. 

Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore për këtë vit, deri më 2026, Ministria e Kulturës ka paraparë 5.3 milionë euro për këtë projekt, por në të njëjtin dokument si vlerë të totale të projektit ka llogaritur mbi 10 milionë euro.

Interpolimi – siç njihet ndërhyrja me shtesa në monument – është bërë për t’iu përshtatur kërkesave të TKK-së. Në bazë të projektit, të cilin e posedon KOHA, bëhet fjalë për ndërhyrje prapa, pjesa që ka dalje në rrugën “Agim Ramadani”

Ruajtja e autenticitetit, intervenim minimal me impakt maksimal

Profesoresha e arkitekturës, Florina Jerliu, e cila është pjesë e grupit projektues, ka thënë se kanë ardhur në përfundim që Teatri ka ruajtur autenticitetin e vet në formën e jashtme. Sipas saj, ka pasur ngjyrosje e intervenime, por që nuk e kanë prishur autenticitetin nga jashtë. 

“Është një aneks prapa për të akomoduar disa gjëra, por kemi konsideruar se ajo shtesë e viteve ’80 nuk bart ndonjë vlerë. Është shtesë më shumë funksionale. Kemi konsideruar se i vetmi vend ku do të mund të ndërhynim në bazë të kërkesave, është ajo hapësirë. Kjo na e ka dhënë mundësinë e artë që të bëjmë interpolim e të krijojmë arkitekturë të re sipas praktikave më të mira që i gjejmë sot në botë”, ka thënë Jerliu. Sipas saj, janë përpjekur që prapa Tetarit të përfitojnë një hapësirë të re. Me projektin e ri, ajo zonë po e fiton një fasadë të re e një freski që nuk është imponuese. “Ideja ka qenë që të bëhet intervenimi minimal me impakt maksimal në bazë të nevojave dhe kërkesave të reja duke e respektuar gjithë ekzistencën jo vetëm të ndërtesës, por të të gjithë aurës apo krejt zonës”, ka thënë midis të tjerash Jerliu. Sipas projektit, janë bërë zgjidhje që brenda ndërtesës të ketë hapësira më të përshtatshme në disa rrafshe. Nuk ka pasur mundësi të rritet kapaciteti i skenës e as i sallës së publikut. E njohura si “lozhë” brenda sallës – një shtesë e mëvonshme – nuk do të ekzistojë fare, me vetë kërkesën e TKK-së. Te pjesët që shtohen nga ana e prapme janë llogaritur hapësira për nevojat e stafit të TKK-së. Shtesa është paraparë si një përshtatje e re me arkitekturën aktuale të ndërtesës. Deri tek ajo zgjidhje është ardhur pas studimit të historisë së ndërtesës. 

Sipas projektit, Teatri Kombëtar i Kosovës në Prishtinë është ndërtuar më 1948 si Teatri Popullor Rajonal e pastaj Teatri Popullor Krahinor. 

“Veprimtaria teatrale në ndërtesën e tanishme të TKK-së u hap solemnisht në vitin 1949 dhe që atëherë është zhvilluar në vazhdimësi dhe në hap me kohën. Vlera historike e TKK-së konsiston jo vetëm në vjetërsinë e ndërtesës tashmë 75-vjeçare, por edhe në faktin se themelimi i Teatrit të Kosovës përbën një pikë kthese të rëndësishme për kulturën dhe më specifikisht, për shkollën kosovare të artit skenik”, shkruhet në projekt.

Grupi i profesorëve projektues ka paraqitur dy opsione. Komisioni i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka zgjedhur që t’i japë dritën jeshile atij, ku parashihen më pak ndërhyrje në strukturën e jashtme. Në foto: Versioni i dytë i projektit ideor i cili nuk është miratuar

“Një teatër modern me kushte të mira”

Menaxhmenti aktual i TKK-së është i kënaqur me projektin. 

“Është një projekt i cili do ta krijojë një teatër shumë modern me kushte shumë të mira në atë hapësirë që është. Do të thotë nuk do të jetë skena ose tetari më i madh, por hapësirat tjera përcjellëse do të jenë shumë të përshtatshme për punë”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti. Sipas tij, njëkohësisht edhe skena, auditoriumi do të jenë moderne, shumë të mira e të përshtatshme për realizim të shfaqjeve. 

“Do të jetë me teknologji të reja e mekanizma të rinj. Do të kemi edhe hapësira të tjera për prova e më shumë skena për shfaqje. Pos skenës kryesore dhe një skene tjetër, e cila do të jetë skenë më e vogël, do t’i kemi së paku edhe dy hapësira të tjera ku do të mund të performojmë”, ka thënë Sheremeti.

“Green Room”, apartamente në nën kulm e hapësira të reja

Sipas shpjegimit që i bëhet në projekt versionit të miratuar, ai e ruan pamjen ekzistuese të aneksit, ndërhyn te segmenti i dyqaneve sipas dizajnit, dhe e zhvillon strukturën me “corten”. Ky material është çelik i njohur për intervenime të jashtme dhe duket si metal i ndryshkur. Është prej çelikut më të qëndrueshëm për intervenime të tilla. Sipas projektit, me corten do të mbështillen disa grupacione të kthinave të reja të Teatrit. 

“Mbi kafazin e aneksit të ruajtur të viteve ‘80 krijohet ‘Green Room’ – hapësira për shumë qëllime e trupës së teatrit, e në segmentin jugor ngrihet në dy kate një segment i ri rreth 20 metra i gjatë, që formohet si hapësirë shtesë për trupën e teatrit dhe për apartamentet sipër në nën kulm. Këto dy segmente lidhen në një strukturë të vetme përmes materializmit të mbështjellësit corten që i mbështjell ato që të duken si një strukturë e vetme e interpeluar”, shkruhet në projekt. Sipas këtij dokumenti, do të aplikohen tre tipa të paneleve corten: panele solide, që do të vendosen aty ku kërkohet mbyllje e plotë e sipërfaqeve, panele me perforim të rrallë për të kontrolluar dritën në disa segmente të mbulesës së “Green Room”.

Shtesa në objektin e TKK-së sipas versionit të dytë në projekt ideor, i cili nuk është miratuar

Mbyllja në emër të rrezikut të paqenë

Ndërtesa ishte mbyllur nga Ministria e Kulturës në korrik të vitit 2022 me arsyetimin se paraqiste rrezik. Qe një arsyetim i paqenë, pasi raporti i profesorëve universitarë nuk e konstatonte këtë. Në maj të vitit 2022 një grup i profesorëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë së Universitetit të Prishtinës ia kishte dorëzuar Ministrisë së Kulturës një raport mbi gjendjen e objektit.

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës bashkë me Ministrinë e Kulturës e kanë mbyllur ndërtesën e institucionit më të lartë teatror. Të paktën profesionistët që janë thirrur për të bërë një vlerësim të gjendjes fizike të ndërtesës nuk kanë rekomanduar mbyllje. Nuk është konstatuar se ndërtesa si tërësi paraqet rrezik për punëtorët dhe publikun e as që gjendja është alarmante. Në raportin që zyrtarisht titullohet “Vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, hartimi i termave të referencës (tor) dhe ndërhyrjet e menjëhershme të evidentuara”, nuk shkruhet se ndërtesa paraqet rrezik për punonjësit apo publikun. Raporti i detajuar shpërfaq gjendjen e secilës pjesë të ndërtesës. Nxirren përfundime se në shumicën e pjesëve ka nevojë për ndërhyrje. Për këtë edhe janë dhënë një varg rekomandimesh.

Historia e gjashtë rinovimeve të pasluftës

Nga paslufta e deri më tani objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës është rinovuar gjashtë herë. Më 2010, në atë që u quajt rinovim, u shpenzuan 150 mijë euro. Më pas ishte një rinovim i vitit 2015, rinovimi i parë pas luftës qe ai i vitit 2000, për të vazhduar edhe më 2004 dhe 2007. Më 2022 po ashtu qe një rinovim i nyejve sanitare dhe banjave të Baletit.

Prej shtatorit të vitit 2022, Teatri u zhvendos në atë që tash quhet Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Edhe së fundmi u investua për rinovim.