Kulturë

Teatri “Adriana” në pritje të rinovimit e alternativës për zhvillim të programit

Teatri "Adriana"

Për projektin e rinovimit të teatrit “Adriana” sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, Ministria e Kulturës ka ndarë 200 mijë euro për këtë vit, ndërsa nga 500 mijë planifikohen për dy vjetët e ardhshëm. Shuma totale e projektit është paraparë të jetë një milion e 200 mijë euro

Sivjet krejt çfarë synon teatri i qytetit të Ferizajt, “Adriana” është të paktën një shfaqje premierë para prillit. Atë muaj është planifikuar të nisë restaurimi i objektit të teatrit, gjë që konsiderohet e domosdoshme, por në anën tjetër, telashe më vete është gjetja e një hapësire alternative për ta ushtruar veprimtarinë. Në pikëpyetje është edhe edicioni i sivjetmë i Festivalit të Teatrove në Ferizaj. “Viti që e kemi lënë pas ka qenë i jashtëzakonshëm për teatrin ‘Adriana’. Kemi realizuar gjashtë premiera, tri në bashkëpunim dhe tri prodhim vetëm i teatrit. Prej bashkëpunimeve, dy kanë qenë shfaqje për fëmijë. Kemi pasur tri shfaqje që kanë qenë spektakël, shfaqje të mëdha e të kushtueshme”, ka thënë drejtori i përgjithshëm, Fatmir Hyseni

I suksesshëm konsiderohet viti që shkoi për teatrin e qytetit të Ferizajt, “Adriana”. Por sivjet krejt çfarë synon është të paktën një shfaqje premierë para prillit. Atë muaj është planifikuar të nisë restaurimi i objektit të teatrit, gjë që konsiderohet e domosdoshme, por në anën tjetër, telashe më vete është gjetja e një hapësire alternative për ta ushtruar veprimtarinë. Në pikëpyetje është edhe edicioni i sivjetmë i Festivalit të Teatrove në Ferizaj. 

Me produksione madhore, teatri “Adriana” e ka mbajtur publikun ferizajas të lidhur me artin skenik, e po ashtu edhe me shfaqje mysafire. 

Drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Fatmir Hyseni, ka thënë se viti i kaluar ishte shumë i suksesshëm.  

“Viti që e kemi lënë pas ka qenë i jashtëzakonshëm për teatrin ‘Adriana’. Kemi realizuar gjashtë premiera, tri në bashkëpunim dhe tri prodhim vetëm i teatrit. Prej bashkëpunimeve, dy kanë qenë shfaqje për fëmijë. Kemi pasur tri shfaqje që kanë qenë spektakël, shfaqje të mëdha e të kushtueshme”, ka thënë ai, duke e veçuar produksionin e fundit të teatrit “Adriana”. 

“Vetëm shfaqja e fundit ka zgjatur dy muaj ditë prova, janë mbi 240 rekuizita, mbi 13 aktorë, janë dhënë shfaqje që në vende të tjera do të kushtonin qindra mijëra euro, por me buxhetin e përgjithshëm të Teatrit prej afro 90 mijë euro, i kemi arritur këto rezultate”, i ka thënë ai KOHË-s duke iu referuar shfaqjes “13” që e kishte premierën më 13 dhjetor. 

Me dramatizim dhe nën regji të Sulejman Rushitit, narrativa e shfaqjes nis nga shekulli XVIII dhe duke u ndalur në fillimet e shekullit XX, periudhë që përmbledh përpjekjet heroike të shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Si burime frymëzimi aty përdoren katër vepra të rëndësishme të letërsisë shqiptare: romani “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë, drama “Qerthulli politik” i Kristo Floqit, tregimi “ABC-ja e kreshnikëve” i Mitrush Kutelit dhe poezitë e Gjergj Fishtës.

Më 21 qershor, para se institucioni ta mbyllte sezonin, ishte dhënë shfaqja “Togeri i Inishmorit” me tekst të Martin McDonaugh nën regji të Gjorgji Rizeskit. Drama kryesore fokusohej në gjetjen e vrasësit ku të  gjithë ishin të tillë. E inskenuar dhe e ndaluar në shumë vende të botës, “Togeri...” në Ferizaj ka ardhur bashkë me krismat, keqtrajtimet, përgjakjen a anën e errët të qenies. 

Shfaqje që vinte si studim i mendjes njerëzore e nderim i parimeve të secilit ishte “Fluturimi mbi folenë e qyqes. Me regji të Erson Zymberit dhe dramatizim të Jeton Nezirajt në teatrin “Adriana” në Ferizaj, më 20 prill drama vinte si protestë ndaj sistemeve totalitare. Drama e Dale Wasserman ka qenë edhe si kritikë ndaj institucioneve që trajtojnë shëndetin mendor.

Në këtë kapitull të radhës të Teatrit, një shfaqje e vetme e re është krejt çfarë është e sigurt, të paktën në shtëpinë e vet. 

“Në shkurt planifikohet të nisin përgatitjet për shfaqjen, të paktën që para muajit prill të zhvillohet një shfaqje, brenda javës tjetër është thirrja publike”, ka thënë drejtori i teatrit, Fatmir Hyseni. 

Në programin e këtij muaji, aktiviteti i teatrit bazohet në tri shfaqjet e dhëna premierën vitin që lamë pas. Më 22 janar do të jepet shfaqja “13” e dy ditë më pas me të njëjtën shfaqje teatri “Adriana” merr pjesë në festivalin e dramës shqipe “Talia e Flakës” në Gjilan. Më datë 28 e vë në skenë shfaqjen “Togeri i Inishmorit”, ndërsa më 31 janar shfaqjen “Fluturimi mbi folenë e qyqes”.

Por planifikim të saktë nuk ka edhe për projektet gjatë vitit për shkak të restaurimit të objektit të teatrit. 

“Nuk kemi bërë planifikim të saktë për këtë vit pasi mund të ndodh që në fillim të prillit, teatri ‘Adriana’ të hyjë në restaurim prej Ministrisë së Kulturës. Mjetet janë ndarë dhe projekti ka kaluar në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve, tash pritet hapja e tenderit”, ka thënë Hyseni. 

Ai ka thënë se hapësirat publike në Ferizaj janë të përmasave të vogla për një shfaqje. 

“Nuk e dimë sa do të zgjasë restaurimi. Në Ferizaj kemi shumë pak hapësira, as ‘black box’ nuk mund të bëjmë, por duhet të gjejmë një zgjidhje si bashkëpunime me teatro tjerë apo edhe shfaqje alternative në hapësira të ndryshme, pra shfaqje kamertale. Ende nuk e kemi të qartë se kur do të ndodhë kjo përndryshe do ta kishim një program të saktë”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Teatrit të Ferizajt. 

Në këtë hapësirë tradicionalisht shpaloset edhe programi i Festivalit të Teatrove në Ferizaj. “Edhe festivali është pikëpyetje se ku do të mbahet”, është shprehur Hyseni. 

Edicioni i kaluar i festivalit me historinë më të gjatë në Kosovë vjet zhvilloi edicionin e 54-t prej 1 deri më 6 shtator. U dhanë tetë shfaqje teatrale që vinin nga vendi, Tirana e Shkupi. Programi gjashtë ditor përfshinte edhe panele diskutimi, ekspozitë e punëtori. Ndërsa në mars qe organizuar edicioni i parë i Festivalit të Teatrove për Fëmijë nga data 4 deri më 8. 

Hyseni e konsideron të domosdoshëm restaurimin e objektit të teatrit.

“Në të gjitha pjesët, nga fasada, nxemjeve, karrigeve, skena. Ka 14 vjet që nuk është investuar asgjë aty. As nuk kemi pasur të drejtë të bëhet asgjë për shkak se objekti është nën mbrojtje”, është shprehur ai.

Për këtë projekt sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, Ministria e Kulturës ka ndarë 200 mijë euro për këtë vit, ndërsa nga 500 mijë planifikohen për dy vitet e ardhshme. Shuma totale e projektit është paraparë të jetë një milion e 200 mijë euro. 

Buxheti i teatrit “Adriana” për sivjet është rreth 100 mijë euro. 30 mijë euro janë subvencione, ndërsa 70 mijë euro nga Komuna e Ferizajt. Udhëheqësi i Teatrit të Ferizajt ka thënë se me këtë buxhet nuk e shohim mundësinë të paguajnë qira për prova e shfaqje. 

“Jam duke menduar hapësirë për zhvillimin e aktivitetit të teatrit, nuk kemi objekte të tilla kulturore, janë shumë të vogla, ndërsa sallat e mëdha kushtojnë shumë. Nuk e shoh që Teatri ka mundësi të paguajë edhe qira”, ka thënë ai. 

Vitin e kaluar buxheti i teatrit ka qenë 90 mijë euro. Fatmir Hyseni e sheh problematike mosmbështetjen e teatrove lokale nga Ministria e Kulturës. 

“Teatrot publike e kanë një problem. Prej Ministrisë së Kulturës nuk kemi asnjë mbështetje, jemi vetëm në buxhete komunale të cilat janë të pa mjaftueshme për shfaqje të tilla. Mirëpo, ekziston dëshira që të bëjmë sa më shumë shfaqje tamam me vlera, me një nivel të jashtëzakonshëm. Pos të kushtueshme janë edhe shfaqje të rënda për t’u punuar”, është shprehur ai. 

E ka përmendur dallimin në buxhet midis institucionit qendror teatror - Teatrit Kombëtar të Kosovës – me një teatër qyteti, duke e theksuar cilësinë e shfaqjeve të këtyre të fundit. 

“Mendoj që buxheti, krahasuar me Teatrin Kombëtar dallon shumë, ndoshta dhjetëfish më pak. Mirëpo, shfaqjet e teatrove të qyteteve janë shumë konkurruese edhe me shfaqjet e TKK-së, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet të tjera ndodh kjo. Për këtë fakt, Ministria duhet ta ketë në përgjegjësi se si të shtrihet buxheti”, ka thënë ai. 

Sipas Ligjit, mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2025, TKK-ja për këtë vit ka buxhet prej 450 mijë eurosh.