Kur Burim Myftiu e zbërthen historinë prapa ekspozitës së tij, ka diçka që vetvetiu e në pavetëdije e përshkruan edhe krejt aktivitetin krijues, ekspozitën si ngjarje. “E quajtëm ‘Të shenjtit e rëndomtë’, pasi sipas meje, të shenjtët kanë qenë si ne. Por njerëz revolucionarë që kanë dashur ta ndryshojnë botën, janë revoltuar. Kanë qenë të rëndomtë, por me aftësi të jashtëzakonshme. Është cikël i fotografive me njerëz të rëndomtë, por me vepra të jashtëzakonshme”, ka thënë ai. Të jashtëzakonshme janë fotografitë që sjell, rrëfimet që ngjallin dhe ato prapa fotografive. Rrëfim unik është ai me “Madonën e Milanos”
Nëse kërkohet vjegëza e një ekspozite ku personazhe publike e qytetarë të rëndomtë janë kornizuar ashtu që estetikisht të jenë brenda të njëjtit koncept, ndalesa është Milanoja. Në një mbrëmje me shi në këtë qytet, fotografi Burim Myftiu ishte ulur në tramvajin numër “23” duke u kthyer për në hotel.
Papritmas përballë tij do të ulej një grua që për nga pamja anonte nga mosha e re. Me të zbërthyer pak xhaketën që po mbante veshur, një foshnje do t’i shihej koka. Ky moment për Myftiun – që me besimin duket se i kanë ndarë rrugët në krye të herës – ishte diçka sakrale.
“Paraqitja e saj ishte mistike për një person që është shumë pak religjioz si unë”, ka kujtuar Myftiu.
Mendja do t’i shkonte te fotoaparati, por do të hezitonte pak për t’i thënë nëse mund t’ia shkrepte një fotografi edhe shkaku i tollovisë në linjën e udhëtimit ku njerëzit ishin mbledhur edhe shkaku i shiut. Do të ndanin rrugët me atë grua me foshnjë. Por po atë natë pas pak kohësh, derisa Myftiu po ndërronte tramvajin, prapë do të haste në atë pamje. Kësaj radhe nuk do ta lëshonte rastin. Imazhi i përjetësuar bardhezi mund të krahasohet edhe me pikturat më me nam në botë. E ka quajtur “Madona e Milanos”, duke marrë shkas prej epifanisë, përfytyrimit a shfaqjes së të shenjtës e hyjnores si trupëzim.
Kjo fotografi është midis atyre me portrete në “Hanin e 2 Robertëve” në Prishtinë në ekspozitën nën titullin “Të shenjtit e rëndomtë”, kuruar nga Shkëlzen Maliqi. Ekspozita rendit profile interesante.
Gruaja e fotografuar në Milano qëndron në ballë të ambientit me dy hapësira ekspozuese. Myftiu e konsideron veten me fat që ka pasur mundësi të shkrepë atë fotografi që e lidh edhe me rishfaqjen e saj, bash si Shën Maria me Jezusin apo Madona.
“Duke ia treguar këtë rrëfim kuratorit filloi koncepti i kësaj ekspozite. E quajtëm ‘Të shenjtit e rëndomtë’, pasi sipas meje të shenjtët kanë qenë si ne. Por njerëz revolucionarë që kanë dashur ta ndryshojnë botën, janë revoltuar. Kanë qenë të rëndomtë, por me aftësi të jashtëzakonshme. Është cikël i fotografive me njerëz të rëndomtë, por me vepra të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Ambienti i “Hanit…” u shkon fort për shtat fotografive. Myftiu, mjeshtër i këtij zanati, duket se ndër vite është fokusuar në portrete interesante për nga ana estetike apo edhe për nga të bëmat e tyre.
Nuk kishte parë kurrë që një prift që tymos puro. Këtë do ta shihte në Romë. E ka përjetësuar atë moment duke kthyer në fotografi pamjen e priftit amerikan në Romë. Duket si ndonjë aktor filmash të fundshekullit të kaluar. Bëhet fjalë për pamje që e kanë intriguar shumë. Të tilla janë.
Por në hapësirën ekspozuese ku nën segregacion shqiptarët gjatë viteve ’90 mblidheshin që të rezistojnë edhe me art, gjenden edhe disa portrete emblematike sa i përket karrierës së tyre.
Kitaristi Petrit Çeku është njëri prej tyre. Pamja tregon se ishte në një prej momenteve të tij më të thella të interpretimit. Megjithëse me sy të mbyllur, mënyra se si ka kokën lart tregon se është zhytur në gjithësinë e instrumentit në të cilit luan, kitarën.
“Petrit Çeku për mua është një shenjtor. Ai me kitarën e vet po bën një punë të jashtëzakonshme si njeri i rëndomtë. Asgjë tjetër në jetën e tij nuk është më e rëndësishme sesa kitara”, ka thënë Myftiu.
Krahas Çekut që është ndërkombëtar, qëndron neuropsikiatri Skënder Boshnjaku, njëherësh kritik arti e artist. I mbështetur në muret e një prej librarive të kryeqytetit portreti i Boshnjakut, prej më të veçantëve në Prishtinë, e plotëson mozaikun e ekspozitës. Një hasjane e fotografuar para dy dekadash rri mirë karshi fytyrave publike. Vijat që i ka gdhendur koha në fytyrën e saj bashkë me dy tufat e flokëve mbi vesh – karakteristikë e grave të asaj ane – e bëjnë sa dramatike aq edhe paqësore.
Një ditë i kishte ardhur radha edhe shkrepjes së fotoaparatit përballë Petrit Halilajt. Artisti i artit bashkëkohor, aktualisht më i zoti i kësaj fushe në botë ndër shqiptarë, shikon lart.
“Petrit Halilajn e takova në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe i thashë shiko lart. I thashë kështu, pasi ai ka ekspozita madhështore dhe arti i tij shprehet në atë mënyrë. Këtë fotografi e kam quajtur ‘Ku e kam çerdhen’. Omer Kaleshi në një intervistë thoshte se artisti është si një burim uji në mal dhe rrugës bashkohet me rrjedha të tjera dhe nëse shkon në oqean, nëse bashkohet në oqean arti i tij bëhet global. Petriti arriti që nga Runiku të bëhet global”, ka thënë Myftiu.
Shikimi i tij në këtë fotografi i shkon fort zogjve si subjekte që i trajton, por edhe të bëmave. Aktualisht ekspozita e Halilajt, “Abetare” është në majë të tarracës së Muzeut Metropolitan të Artit në New York. Ka dërguar rrëfime fëmijësh nga Kosova e krejt Ballkani. Halilaj është mjeshtër i këtyre punëve. Edhe Myftiu po. Ia ka gjetur pozitën për ta përjetësuar një moment. Secila fotografi ka rrëfimin e vet.

Kuratori Shkëlzen Maliqi ka thënë se filli ishte te gruaja në Milano. Sipas tij, ajo duket si figurë mesjetare.
“Pastaj nga koleksioni i Burimit kemi gjetur fotografi pak të çuditshme. Janë njerëz që duken pak si të shenjtë. Petrit Çeku në atë qetësinë e vet duket si në njëfarë transi. Pastaj ashtu janë është edhe portreti i Petrit Halilajt, Ferdi Limanit e Skënder Boshnjakut”, ka thënë ai.
Ka treguar se në 35-vjetorin e funksionimit të “Hanit të 2 Robertëve” çdo muaj janë duke hapur nga një ekspozitë. Kanë luajtur me të “shenjtit”.
“Të gjithë shenjtorët diku kanë qenë ordinerë. Kjo është pak si lojë me fjalë. Është një ekspozitë e bukur që sjell një kualitet të ri në skenën tonë që gjithnjë e më shumë po pasurohet”, ka thënë Maliqi, filozof e kritik i njohur i artit në këto anë.
Portretet e Myftiut në bardhezi janë të fuqishme. Në ndonjë interpretim mund të përshkruhen si imazhe që duket sikur flasin shumë me heshtjen e tyre.
Nganjëherë mund të shihen edhe si figura mesjetare në ndonjë tablo evropiane. Por shumica prej tyre – estetikisht të gjithë – janë personazhe të historisë së kësaj kohe. Pjesës me të lavdishme të saj.