Kulturë

Të rinjtë e Kosovës dhe Serbisë synojnë të zbusin tensione me art

YIHR ekspozita

E kuruar nga Simon Kurti, tetë vepra janë rezultat i tri punëtorive me 60 pjesëmarrës. Të hënën në hapje në qendrën “Barabar” në Prishtinë është konsideruar testament për reziliencën e të rinjve për një rrugë drejt pajtimit të dy vendeve

Brenda ekspozitës “Stories of ongoingness” janë rrëfimet e të rinjve nga Kosova dhe Serbia. E kaluara, shpresat për të ardhmen e ngjashmëritë midis dy vendeve janë elementet në vepra bashkëkohore. E kuruar nga Simon Kurti, tetë vepra janë rezultat i tri punëtorive me 60 pjesëmarrës. Të hënën në hapje në qendrën “Barabar” në Prishtinë është konsideruar testament për reziliencën e të rinjve për një rrugë drejt pajtimit të dy vendeve. 

Mediumet bashkëkohore kanë qenë forma me të cilat janë shprehur ata duke prekur tema të ndjeshme.

E para vepër me të cilën nis ky rrëfim i “Historive të vazhdueshmërisë” është “A resilient woman’s journey throught motherhood and wartime loss” e Eriona Hotit. Duke printuar imazhin e një gruaje me veshje nusërie në material tekstili, ajo ndan rrëfimin e rrugëtimit të vështirë të nënës së saj. 

Dy fotografi nga Fuad Haziri dhe Velko Baljeviq shfaqin pasaporta, cigare dhe birra nga Kosova dhe Serbia. Ato qëndrojnë shumë pranë njëra-tjetrës dhe janë kapur në të njëjtin kuadër. Prapavija shfaq imazhet e dy qyteteve nga vende të ndryshme. 

Në katër enë të vendosura nëpër tavolina gjenden rrëfimet e pjesëmarrësve në këto punëtori të shkruara në ato që ngjajnë në kartolina. Mesazhet janë brenda tyre. 

Një vepër po aq atraktive dhe kuptimplotë është ajo e Ika Bardhi pa titull që përfshin kolazh të bisedave midis miqsh. Ajo e trajton në një formë të veçantë momentin e anulimit të festivalit “Mirëdita, dobar dan” që këtë vit do të mbahej në Beograd. Kur po mbahej punëtoria e tretë, pjesëmarrësit në punëtori po ashtu do ta ndiqnin ngjarjen. Ata kishin pranuar mesazhe nga të dashurit e tyre të shqetësuar për ta, kështu Bardhi i ka koleksionuar për të shfaqur një anë tjetër të efektit të ndalimit të festivalit. Arlind Merovci, Eliona Qerimi, Igor Tarik Duroviq dhe artistë anonimë janë autorë të kësaj vepre. 

Shumë pranë saj janë dy fotografi të Tereza Stefanoviq. I ka titulluar “Who sent you here?”.

Fotografitë janë të shkrepura dy ditë pas anulimit të festivalit dhe shfaqin rrugët e bllokuara autoritetet serbe pranë “Dorcol Platz” ku do të hapej festivali. Nga shpjegimi i artistes, bëhet e ditur se titulli është më i thellë. Sapo e kishin parë policët duke e fotografuar atë pjesë, e kishin pyetur se kush e kishte sjellë aty. Duke iu përgjigjur ia kishte bërë të njëjtën pyetje edhe ajo.

Një cikël pa titull i fotografive të Aleksandar Radim shfaq imazhe nga punëtoritë e zhvilluara. Procesit të punës që shfaq, i jep edhe pak shije arti duke e përshtatur me modifikimin e tyre me figurën e një elefanti që në çdo fotografi vjen më i zmadhuar. 

Yll Brezhnica dhe Diellza Preteni me “Whiteprints of change” përfshijnë 13 printime digjitale të të njëjtit format. Në secilën prej tyre prapavija e zezë është konstante, ndryshojnë simbolet. Te shikuesi në veprën e tyre dyshja me figurat e bardha prezanton ndryshimin që dominohet nga sipërfaqja e zezë. 

Ngjarja është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë dhe është implementuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut në Prishtinë dhe ajo në Beograd. 
Drejtoresha e kësaj organizate në Kosovë, Marigona Shabiu, ka konsideruar se ekspozita është testament për të vazhduar me aktivitete të tilla. 

“Kjo ekspozitë është testament se na duhet të vazhdojmë të zhvillojmë këto aktivitete dhe të ndajmë këto platforma sikur kemi bërë për 20 vjetët e kaluar. E di që shumë prej juve mendoni se tani kjo do të duhej të ishte shumë normale duke pasur parasysh ekspozitat, punët artistike, festivalin ‘Mirëdita, Dobar dan’, por e kemi parë së fundi dhe veçmas në vitet e fundit që zhvillimet aktuale politike e kanë polarizuar diskursin e politikave nacionaliste dhe këto na shtyjnë t’i bëjmë këto gjëra”, ka thënë ajo. 
Udhëheqësja e politikave të Bashkimit Evropian në Kosovë, Anna Rostocka, ka thënë se nëpër vepra arti mund të shihet e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e të rinjve nga dy vendet. 
“Jam e mahnitur me mesazhet, me mundësinë për të kapur disa nga çështjet më të rëndësishme dhe mundësinë dhe qëllimet për të shkuar përpara. Ky është një shembull edhe për pjesën tjetër të shoqërisë sesi është e mundur të funksionojmë së bashku. Duke parë përvojat e njerëzve, shpresat, ëndrrat, mënyrën sesi ballafaqohen me të kaluarën nëpërmjet artit, vërtet jep një dimension sesi mund të kuptojmë përvojat e tyre”, ka thënë ajo para të pranishmëve. 

Udhëheqësi i politikave të Ambasadës së Suedisë në Kosovë, Michael Sehlstedt, ka thënë se veprat reflektojnë në rrugën e mirëkuptimit.

“Sonte nuk jemi vetëm si spektatorë, por edhe pjesëmarrës në narrativat që kapërcejnë kufij e kultura. Kjo ekspozitë është më shumë se një seleksioniuim simbolik i rrëfimeve. Është testament i fuqishëm për reziliencën dhe determinimin e të rinjve nga Kosova dhe Serbia që ndajnë me ne rrugëtimin drejt të kuptuarit dhe pajtimit. Nëpërmjet përvojave të tyre personale ata kanë ndarë përvoja, shpresa, dhe sfida të cilat na bëjnë njerëz. Këta të rinj kanë zgjedhur të flasin dhe të ndajnë të kaluarën, rritjen e tyre dhe të ardhmen”, ka thënë ai. 

Sipas Sehlstedt, “ekspozita është platformë për të ndarë rrëfime, për të inkurajuar gjeneratën e re. Është shpresë që u hap rrugën të rinjve të kuptojnë dhe t’u tregojnë edhe liderëve se rrënjët e së kaluarës mund të tejkalohen”. 

Menaxheri i projekteve në “YIHR – Kosova”, Ilir Vitija, ka thënë se që në fillim qëllimi i punëtorive ka qenë të punohet për këtë ekspozitë. 

“Është projekt i cili gjatë tri punëtorive që janë mbajtur gjatë këtij viti kanë angazhuar 60 të rinj kosovarë dhe serbë të cilët pos që kanë punuar në aspektin e ballafaqimit me të kaluarën, janë takuar me njëri-tjetrin dhe kanë pasur për qëllim të krijojnë vepra artistike të cilat do të shfaqeshin në ekspozitë. Këto punë janë krijuar nga pjesëmarrësit të cilët jo domosdoshmërisht kanë qenë me prapavijë artistike, por e shohim se ka qenë një punë jashtëzakonisht e mirë”, ka thënë ai. 

Ekspozita është hapur në Ditën Ndërkombëtare të të Rinjve dhe do të qëndrojë e hapur për tri ditë në qendrën “Barabar” në katin e katërt të hotelit “Grand” deri më 14 gusht.