Kulturë

“Të negociosh paqen” e Kosovës në Zagreb

negotiating peace

Kroacia është stacioni i radhës i kësaj vepre teatrore nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt dhe tekst të Jeton Nezirajt pas Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Gjermanisë e Çekisë (Foto: Atdhe Mulla)

Zagrebi i Kroacisë të premten mbrëma ka qenë nikoqir i shfaqjes nga Kosova, “Të negociosh paqen”, produksion i “Qendrës Multimedia”. Është shfaqur në Teatrin “Kerempuh”, në kuadër të edicionit të 48-të të Festivalit “Ditët e satirës – Fadil Hadžić”, ka njoftuar “Multimedia” në komunikatë për media, ku ka shpalosur dhe detajet e festivalit e të shfaqjes. 

Kroacia është stacioni i radhës i kësaj vepre teatrore nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt dhe tekst të Jeton Nezirajt pas Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Gjermanisë e Çekisë. Siç shkruhet në komunikatë, u paraprin prezantimeve të mëvonshme të shfaqjes në festivalin “Mittelfest” në Itali FIAT në Mal të Zi. Në teatrin “Oda” në Prishtinë, “Të negociosh...” u dha premierë në tetorin e vjetëm. 

“Kosova dhe Serbia gjenden në një moment kritik të negocimit të paqes. Lufta në Ukrainë i është afruar vitit të tretë, e nga Izraeli dhe Palestina çdo ditë vijnë lajme për qindra të vdekur. Diplomatët janë vënë në aksion. Në aksion janë diplomatët edhe në shfaqje, e cila hyn në prapaskenat e një realiteti absurd. Nuk bën teatër me dromca realiteti, por thjesht e dëshmon se me të tilla negociata paqeje që s’negociohen dot, jo rrallë bëhet teatër. Se negociatorët shpesh janë veç aktorë”, kishte shkruar KOHA pas premierës. 

Festivali “Ditët e satirës - Fadil Hadžić”, siç ka shkruar “Multimedia” është “festival ndërkombëtar i Teatrit ‘Kerempuh’, i cili që nga viti 1976 mbahet çdo vit në qershor, me qëllim të promovimit të shfaqjeve cilësore të satirës dhe komedisë, dhe mbi të gjitha përballjes së publikut me problemet aktuale të përditshmërisë tonë përmes elementeve të pashmangshme të humorit dhe satirës, duke e pasuruar jo vetëm jetën kulturore, por edhe vetëdijen shoqërore”. 

“Ditët e Satirës Fadil Hadžić çdo vit na kujtojnë rëndësinë e humorit dhe satirës që na bëjnë më tolerantë, na lidhin me të tjerët, na mësojnë, na japin pikëpamje të reja për botën”, ka shkruar “Multimedia” për të cilën, prezantimi në këtë festival që është ndërtuar mbi parimin e lirisë së fjalës dhe rezistencën kundër censurës, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për “Qendrën Multimedia”. 

“’Të negociosh paqen’ është shfaqje që ballafaqon shoqërinë me dinamikat e tryezave të negociatave që përcjellin shoqëritë e pasluftës dhe me pyetjet e vështira se kush e ka legjitimitetin të negociojë paqen e a është falja një akt kolektiv, apo individual si dhe a përfaqësohen zërat e viktimave në këto tryeza, si kategoria e shoqërisë që i vuan më së shumti humbjet dhe pasojat nga luftërat”, ka shkruar “Multimedia”. 

“Në aksion janë diplomatët edhe në shfaqje. Krejt në fillim një gjeneral në mot të vranët e me korba që sillen sipër, vihet në kërkim të eshtrave të ushtarëve të vdekur. Është ai gjenerali i moçëm, personazh i Ismail Kadaresë te ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Aty eshtrat janë thjesht mbetje mortore që pas luftës shkëmbehen me diçka. Jepet një numër i caktuar kufomash në shkëmbim. Me skenografi të thjeshtë, shfaqja merr hov me negociatat që zhvillohen midis dy vendeve: Unmikistanit dhe Banovinës. Që të dyja kanë kontekst vendor, por edhe ndërkombëtar”, kishte shkruar KOHA duke vënë në pah se libri i diplomatit me nam, Richard Holbrook “Të përfundosh një luftë” i kishte hyrë shumë në punë dramaturgut Jeton Neziraj. 

Marrëveshja e Daytonit e vitit 1995 kur përfundoi lufta frontale midis Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë, po ashtu. “Neziraj njihet për hulumtim të temave aktuale dhe ‘përkthim’ të tyre në performanca multimediale teatrore...Aktorët Shkumbin Istrefi, Ema Andrea, Harald Thompson Rosentrom, Ejla Bavçiq, Martin Kõiv, Melihate Qena dhe Orest Pastukh vërtiten përballë publikut duke shpërfaqur ngjarje që gjatë negociatave nuk tregohen asnjëherë publikisht”, kishte shkruar KOHA. 

“Negotiating Peace” ka pasur edhe interesim të jashtëzakonshëm të kritikës ndërkombëtare. 

”Media si The Guardian e Britanisë, Politis e Francës e Taggespiegel e Gjermanisë e vlerësuan atë për relevancën shoqërore e qasjen e veçantë ndaj një çështje politikisht të komplikuar. Në kritikën e tij për ‘The Guardian’, Philip Oltermann shkroi, se “kur udhëheqësit politikë e paraqesin luftën si të vetmen zgjidhje, është detyrë e artistëve t’ua kujtojnë njerëzve se gjetja e paqes është ende e mundur. Kjo është pikënisja për një kompani teatrore në Kosovë, ‘Qendrën Multimedia’, e cila nëpërmjet shfaqjes së re kthehet te lufta e fundit në Evropë para invadimit të Rusisë në Ukrainë dhe eksploron se si u ndal ajo”, ka shkruar “Multimedia” në komunikatë.