Kulturë

“Të gjashtët kundër Turqisë” me ata që s’dorëzohen përballë autokracisë

“Të gjashtët kundër Turqisë” është një reagim artistik në raport me viktimat e pushteteve që po rrëshqasin drejt autokracisë, jo veç në Turqi, por siç bën të ditur shfaqja, gjithandej (Foto: Armend Nimani)

“Të gjashtët kundër Turqisë” është një reagim artistik në raport me viktimat e pushteteve që po rrëshqasin drejt autokracisë, jo veç në Turqi, por siç bën të ditur shfaqja, gjithandej (Foto: Armend Nimani)

Është një pamflet i atij që njihet teatër politik. Baza: deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi më 2018. Kronologjia: grushtshteti i dështuar në Turqi më 2016. Palët luftuese: Recep Tayyip Erdogan dhe Fetullah Gülen. Rezultati: Qindra të vrarë e mijëra të burgosur. Arsyeja: Pushteti. “Të gjashtët kundër Turqisë” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, në skenë sjell teatrin e guximshëm që denoncon autoritarizmin e flet me zërin e viktimave. Në prapaskenë janë edhe interesimi i autoriteteve turke për një projekt si ky dhe ikja e dy aktorëve nga frika se mund të ndëshkohen në shtetin e tyre. Krejt bashkë, janë teatër

Ambienti është tipik turk. Shtandet e një pazari ku shitet gjithçka me simbolin e gjysmëhënës bashkë me ombrellat e plazhit formësojnë hapësirën ku shitësi i pambuk-sheqerit shfaqet i pari. Kjo është njëkohësisht edhe pjesa më e qetë e shfaqjes, pasi ata që njohin produksionet e “Qendrës Multimedia” e marrin me mend se shpejt nis një ritëm që s’ka të ndalur.

Por fillimisht bëhet një deklaratë, ku aktorët thonë se do të jetë veç teatër, veç një lojë dhe kërkojnë që gjithçka që ngjan të mos lidhet me ndonjë ndodhi që ka ngjarë diku a dikur. Por, s’ka nevojë të asociohet fare. “Të gjashtët kundër Turqisë” merr “flakë” shpejt. 

Është një pamflet i atij që njihet teatër politik. Baza: deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi më 2018. Kronologjia: grushtshteti i dështuar në Turqi më 2016. Palët luftuese: Recep Tayyip Erdogan dhe Fetullah Gülen. Rezultati: Qindra të vrarë e mijëra të burgosur. Arsyeja: Pushteti. 
Por, shfaqja më së paku merret me statistika. Shpërfaq tendenca e ndjesi.

“Zhveshja” e drejtpërdrejtë e pushtetarëve

Një tragjedi antike e vëllavrasjes për pushtet, vjen si sekuencë e një teatri të Stambollit. Por, shpejt lufta për karrige zhvendoset në Turqinë e sotme. Dikur mbështetës të njëri-tjetrit, Recep Tayyip Erdogan, i cili prej vitit 2002 udhëheq me Turqinë e kleriku Fetullah Gülen që vepron në ekzil janë armiq të njohur botërisht. Po ashtu kanë viktima në mes. Në shfaqje, Gülen vjen nëpërmjet Ernest Malazogut e Erdogan nëpërmjet Adrian Morinës. Gülen, i cilësuar si një predikues më reformist fetar, shfaqet me gjuhën e tij të butë. E më pas ndizet situata në shtetin që pasoi Perandorinë Osmane. 
Jepet një kronologji se si gjithçka nisi në selinë e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, se si u bllokuan urat kryesore të Stambollit nga ushtria e lajme të tjera. Zyrtarisht shteti turk ka shpallur 248 dëshmorë në ngjarjet e 15 korrikut 2016 . I gjendur diku në rivierën turke, presidenti Erdogan, i rrethuar nga ata që i puthin duart, është veç në brekë. Si patriot, edhe në ato veshje mban një flamur turk. Me të marrë lajmin, bën thirrje që populli të ngrihet në këmbë për ta shpëtuar Turqinë. Me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Blerta Nezirajt, shfaqja në krejt elementet e saj është therëse ndaj pushtetit autoritar.

Erdogan në këtë rast pezullon Kartën e Lirive dhe të të Drejtave të Njeriut për të nisur një operacion të madh ku burgosen mijëra njerëz. Shfaqja nxjerr në pah se si kur është në pyetje pushteti, demokracia zbehet krejtësisht. 

“Të gjashtët kundër Turqisë” nuk merr anë midis palëve. Por renditet nga viktimat. Në këtë perspektivë është e drejtpërdrejtë. 

“Gjatë shfaqjes, mundohesha ta definoj këtë poetikën e dramaturgjinë e Jetonit dhe të Blertës. Më shkonte mendja te ‘po-etik’ pasi gjithmonë etika është dhe shfaqjet i ka direkte duke goditur fenomenet antidemokratike e fashiste, duke i punuar pa zbutje e makijazh”, ka thënë filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi. Mandej ka dhënë edhe një tjetër zbërthim, duke e konvertuar “poetikën” në “po, jetike”. 

“Është shumë e guximshme nga ana e tij (Jeton Nezirajt v.j.), edhe pse kjo është lojë. Por, problemi është se po jetojmë në një botë ku po triumfon autoritarizmi ose ku në shtetet më të rëndësishme ku është zhvilluar demokracia po kërcënon një totalitarizëm i paparë dhe i rrezikshëm”, ka thënë Maliqi.

Dikur mbështetës të njëri-tjetrit, Recep Tayyip Erdogan, i cili prej vitit 2002 udhëheq me Turqinë e kleriku Fetullah Gülen që vepron në ekzil janë armiq të njohur botërisht. Po ashtu kanë viktima në mes. Në shfaqje, Güleni vjen nëpërmjet Ernest Malazogut e Erdogani nëpërmjet Adrian Morinës. Ironizohet duke i kthyer Erdoganin e Gülenin në kukulla. Por realisht kukulla janë shërbëtorët e tyre. (Foto: Armend Nimani)

“Interesimi” i autoriteteve turke, frika e dy aktorëve

Pas shfaqjes, Shkëlzen Maliqi si me humor i është drejtuar Nezirajt: “E prishe tregun e mirë që e ke pasur”. 

I është referuar faktit se në Turqi janë përkthyer e inskenuar shumë drama të tij. Por Neziraj ka rrudhur krahët dhe ka qeshur, duke lënë të nënkuptohet se vazhdon të mbështetet në teatrin, të cilit i beson. Atij që u jep zë viktimave. Turqia i njeh mirë veprat e tij. “Fluturim mbi teatrin e Kosovës” pati bërë goxha bujë në Stamboll më 2014. Pas kërkesës së Ministrisë turke të Kulturës për retushim të tekstit, kishte dhënë dorëheqje drejtori i Teatrit Shtetëror. E mediet turke kanë reaguar ende pa u dhënë premiera e “Të gjashtët kundër Turqisë”. Është kërkuar njëfarë llogarie nga shteti i Kosovës për këtë, përderisa është raportuar se Ambasada e Turqisë në Prishtinë po e përcjell nga afër situatën. Përfaqësia diplomatike e Turqisë në Kosovë ka kërkuar takim me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku për këtë shfaqje. E Çeku nuk ka qenë në premierë. Aty do të shihte Erdoganin në cilësinë e pushtetarit që nuk kursen asgjë. 

Roli vjen në mënyrë të përkryer nga Adrian Morina, duke nxjerrë në pah tendencat diktatoriale jo veç të presidentit turk, por futen në lojë edhe pushtetarë të tjerë si rusë, hungarezë e të popujve të tjerë. 
Në shfaqje zë vend edhe zhvendosja e disa turqve në Kosovë. Besëtytnitë e teoritë konspirative të pushtetit vijnë në elemente të ndryshme, përderisa fillimisht me joshje për pushime në rivierën turke e mandej me njëfarë presioni prej miqësisë, Kosova arreston e depërton 6 turq të akuzuar për terrorizëm. Kërkohen nja 300, por për gjashtë mbyllet marrëveshja. E këtu del shkelja e të drejtave të njeriut edhe nga shteti më i ri i Evropës.

“Të gjashtët kundër Turqisë” nuk merr anë midis palëve, por renditet nga viktimat. Në këtë perspektivë është e drejtpërdrejtë (Foto: Armend Nimani)

Viktimat si mburojë e vetme e një krijuesi

Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se më shumë u ka interesuar se si është e mundur në një shtet që proklamon veten demokratik e ku çështje e të drejtave të njeriut, që është themel kushtetues, të nëpërkëmbet si diçka e pavlerë dhe e rëndësishme.

“Turqinë e kemi marrë si shembull. Më tepër na ka interesuar se si shtete të ndryshme e shoqëri të ndryshme kanë tendencë që të lëvizin nga autokracia. Këto tendenca që janë gati në nivel global janë si një lloj sindromi që përsëriten, kopjohen e imitohen. Fashizmi para e pas Luftës së Dytë Botërore është imituar e bartur”, ka thënë Neziraj. Ka shtuar se pikëpamja e tyre është artistike. Ka thënë se nuk u interesojnë shumë çështjet e brendshme politike, por identifikimi e trajtimi i fatit njerëzor. Sipas tij, janë njerëzit e zakonshëm ata që e paguajnë çmimin më të lartë kur ballafaqohen të fuqishmit që synim kryesor e kanë pushtetin.

“Ekziston veç një anë e sigurt, në të cilën ne mbështetemi fort e që është ajo e njerëzve të zakonshëm e viktimave që bien pre e paguajnë çmim në këto beteja që shpesh janë të pakuptimta. Grupacioni i viktimave është mburoja e vetme e një krijuesi pasi ne nuk marrim përsipër të mbajmë anë apo të gjykojmë se cili krah ka pasur të drejtë, pasi janë çështje politike. Thjesht pozicionohemi te fati i individëve e në këtë rast te fati i individëve, te fati i atyre 300 njerëzve që atë ditë janë vrarë në mënyrë të panevojshme”, ka thënë ai. 

Dorëzimi i turqve në shfaqje është dramë më vete. Vijnë në pah skenat e tmerrshme të njerëzve me thasë në kokë që e dinë se kanë rënë në duar të të pushtetshmëve dhe për ta nuk ekzistojnë të drejtat e liritë e popujve që jetojnë në demokraci. Krejt kjo derivat i përballjes së dy koncepteve autoritare. 

“E kam lexuar Gülenin dhe ai duket pak më gojëmbël. Insiston në edukim dhe ka hapur shumë shkolla. Nuk e potencon shumë fenë, por është njëfarë organizimi sektar. Në shfaqje tregohet se përballen konceptet autoritare”, ka thënë Maliqi. Sipas tij, projekti teatror – ku luajnë edhe Shpetim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi, Don Shala – merret me pushtetarët e jo me popullin turk. Aty vijnë në pah edhe vlerat teatrore të Turqisë. Ironizohet duke i kthyer Erdoganin e Gülenin në kukulla. Por, realisht kukulla janë shërbëtorët e tyre.

“Erdogan nuk është Turqia, as Orban nuk është Hungaria e as Hitleri nuk ka qenë Gjermania. Është shfaqje shumë e qëlluar. Ka qenë shumë spektakël edhe në aspektin vizual”, ka thënë Maliqi. 
Regjisori Erson Zymberi ka thënë se shfaqja është në vijë me atë se teatri duhet të ngrejë pyetje e çështje për diskutim, në mënyrë që publiku të mendojë për atë që luhet.

“Siç e thanë edhe aktorët, shpresojmë që kjo shfaqje të prekë ose të ngrejë zërin për një dukuri a fenomen kudo që dikush mund të jetë rob, shkaku i fjalës së lirë, në çdo vend. Kjo është më e rëndësishme e po ashtu shfaqja edhe është shumë e pasur me lojë teatrore, regji e tekst sikur në dramat e Jetonit ku vërehet freskia e publiku nuk mund të qëndrojë rehat përballë asaj që thuhet”, ka thënë Zymberi. 

Simbolikat janë po ashtu të forta në këtë produksion gati dyorësh. Një oktapod shtrin tentakulat, duke kapur gjahun edhe përtej kufijve, duke asociuar me arrestimet e pushtetit turk përtej Turqisë e aktorët tregojnë se kjo shfaqje është bërë për krejt ata që s’janë të lirë.

Kanë treguar se dy aktorë turq, pasi kanë parë konceptin e shfaqjes, janë larguar shkaku i frikës për pasoja. Në Turqi artistët merren në pyetje për piktura që pushtetit i duken të rrezikshme, për shkrime publicistike, krijimtari letrare e shumëçka tjetër. 

“Të gjashtët kundër Turqisë” është një reagim artistik në raport me viktimat e pushteteve që po rrëshqasin drejt autokracisë, jo veç në Turqi, por siç bën të ditur shfaqja, gjithandej. Është një pamflet teatror i atyre që renditen krah viktimave dhe artit nuk i japin kuptim tjetër. Pasi arti, mbi të gjitha, është për dhe i lirisë.