Kulturë

“Të ‘90-at copë-copë...” me rrëfimet e dekadës së rezistencës

Ngjarja e “Kosovo 2.0” përkon pikërisht me 26-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe

Ngjarja e “Kosovo 2.0” përkon pikërisht me 26-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe

Periudha vendimtare e kauzës për liri vjen nga perspektiva personale e të rinjve të asaj kohe që e përjetuan atë, e madje iu bashkuan këtyre kauzave. Këto histori janë mbledhur në revistën me titull “Kështu duket paqja”. “Të ‘90-at copë-copë: U lexojmë të ‘90-ave dhe i kujtojmë me kangë” është titulluar ngjarja me të cilën është promovuar botimi i ri i “Kosovo 2.0” në kafe-galerinë “Hani i dy Robertëve” në Prishtinë

Seria e rrëfimeve të viteve ’90 nga “Kosovo 2.0” i ka kthyer lexuesit prapa në kohë, në imazhet e rrëfimet e vendit nën okupim, me të vrarë e të shpërngulur. Periudha vendimtare e kauzës për liri vjen nga perspektiva personale e të rinjve të asaj kohe që e përjetuan atë, e madje iu bashkuan këtyre kauzave. Këto histori janë mbledhur në revistën me titull “Kështu duket paqja”.

“Të ‘90-at copë-copë: U lexojmë të ‘90-ave dhe i kujtojmë me kangë” është titulluar ngjarja me të cilën është promovuar botimi i ri i “Kosovo 2.0” në kafe-galerinë “Hani i dy Robertëve” në Prishtinë. Por publiku ka pasur rastin edhe të dëgjojë rrëfimet nga vetë narratorët që flasin në botim. Ngjarja përkon pikërisht me 26-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe.

Kryeredaktorja e “Kosovo 2.0”, Besa Luci, ka thënë se për ekipin e këtij mediumi, vitet ’90 janë frymëzuese.

“Jemi revistë që jemi themeluar nga brezi që kemi qenë tepër të rinj për të qenë pjesë aktive e rezistencës së organizuar politike, por në të njëjtën kohë kemi qenë mjaftueshëm të rritur për të përjetuar dhe rikujtuar realitetet e përditshme të shtypjes dhe përjashtimit që e kanë karakterizuar atë dekadë. Mendoj që ky pozicion e ka formësuar qasjen tonë ndaj viteve ’90 dhe e ka bërë këtë dekadë jo vetëm pikë reference historike, por edhe një vend të kërkimit të vazhdueshëm”, është shprehur ajo.

Ka thënë se edhe kjo seri e rrëfimeve është brenda kornizës së kësaj pune.

“Kemi vendosur të publikojmë një seri pesëpjesëshe ku qëllimi ynë ka qenë të fokusohemi më shumë se si është ndërtuar dhe se si është vendosur kjo ngjarje e ngjashme me aparteidin. Segregimi sistemik, përjashtimi ekonomik dhe politik i shqiptarëve ka qenë pjesë e realitetit të përditshëm gjatë asaj kohe”, ka thënë Luci, duke rikujtuar se seria është pjesë e publikimeve të vazhdueshme për vitet ’90. Ka kujtuar edhe botimet e mëparshme.

“Edhe në vitin 2016 kemi publikuar një numër të shtypur që përmbante artikuj dhe publikime personale të asaj dekade. Edhe unë vazhdoj të publikoj artikuj në vetën e parë të brezave të ndryshëm dhe pikëpamje të reja apo të rizbuluara të dekadës për të organizuar debate  të tilla. Për ne gjithmonë qëllimi është që qoftë përmes publikimeve apo tubimeve të tilla të kundërshtojmë përpjekje për revizionizëm historik, të kundërshtojmë fshirjen dhe të angazhohemi në mënyrë sa më kritike me historinë”, ka thënë kryeredaktorja Besa Luci.

Duke kujtuar se ngjarja përkon me 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s, ka bërë të ditur se jo e rastësishme ka qenë përzgjedhja e “Hanit të dy Robertëve” si hapësirë e rezistencës dhe krijimtarisë gjatë viteve ‘90.

“Zgjodhëm ‘Hanin...’ sepse gjatë viteve ’90 e ka bërë po këtë që po e bëjmë sot, ani pse në rrethana krejt të tjera. Ka mbledhur artistë, poetë, shkrimtarë, filozofë, gazetarë, qytetarë, duke ndërtuar dhe duke e mbajtur rezistencën, por edhe për ta mbështetur krijimin artistik”, është shprehur Luci.

“Kosovo 2.0” bën të ditur se botimi është i përqendruar jo vetëm te shtypja që u prit me rezistencë, por edhe sesi dekada e fundit e shekullit të kaluar u përcaktua regjim i ngjashëm me aparteidin.

Leximin e artikujve e ka nisur shkrimtari Artrit Bytyçi. “Udhëtimi në të kaluarën: Udhërrëfyes për në vitet e ‘90” flet për kauzën për liri. Rrëfimi përshkrues i tij kthen në ato momente. Flet edhe për artin ilegal të asaj kohe, për ndjenjën patriotike e dëshirën e flaktë për pavarësim.

Bytyçi ka thënë se me këtë tekst ka dashur të kthejë publikun në kohë, në një gjendje hipnoze, siç e quajti ai.

“Është një lloj makine e udhëtimit në kohë. I kemi përzgjedhur vitet ’90, një përzgjedhje e guximshme. Kjo është mundësia e fundit për ta anuluar tripin tuaj para se të shkojmë në një epokë ku rrjetet sociale dhe telefonat e mençur nuk kanë ekzistuar. Po supozojmë se e kemi marrë pëlqimin tuaj për këtë eksperiment që do ju lë me dëmtime në tru, me vetë praninë tuaj këtu në publik”, ka thënë ai.

Eli Krasniqi me rrëfimin e saj me titull “Heshtjet e zhurmat e nji dekade” ka rrëfyer krejt rutinën e ditës së saj të 1 tetorit të vitit 1997, datë e shënuar në historinë e Kosovës. Qe 17-vjeçare në atë kohë kur mori pjesë në demonstrata. Ajo aty rrëfen dhunën që ishte ushtruar, e që më pas ishte raportuar në media ndërkombëtare.

Teksti i Aurela Kadriut në këtë botim titullohet “Gjithçka që humbi në luftë”. Ka thënë se tema e luftës është ajo që shmanget zakonisht në muhabete të përditshme.

“Këtu flas me njerëz që kanë qenë fëmijë në luftë, e kanë përjetuar luftën, por nuk kanë qenë pjesë aktive e luftës. Sidoqoftë, i kanë hapësirat e veta të përvojës të cilat i kemi eksploruar bashkë. Çfarë ka qenë shumë shpërblyese si përvojë, të gjithë njerëzit me të cilët kam folur janë njerëz që janë shokë e shoqe, kolegë e kolege, mirëpo e kemi çel një muhabet të cilin zakonisht e shmangim”, është shprehur sociologia e hulumtuesja Aurela Kadriu.

Rrëfimi i saj flet për humbjen e gjësendeve, frikën, ndryshimin e jetës së saj por jo edhe të gjendjes së vazhdueshme me pushtimin, vrasjet, shkatërrimet.

Kadriu është shprehur se shpreson për një kohë kur bisedat për luftën nuk do të jenë relevante për nga koha, por do të bëhen në kontekst të kujtimit dhe dokumentimit.

“Kurdo që vjen momenti të flasim për luftën gjithmonë njerëzit ndalen pak, përmblidhen për të folur, sepse nuk është lehtë. Nuk duhet të imunizohemi ndaj luftës, sot gjenocidin e shohim me sy në media sociale 24 orë”, ka thënë Kadriu.

Në këtë ngjarje Rrezearta Reka ka lexuar artikullin e saj “Tetori i bardhë, rrëfim nga libri ‘Kronikë në Zemër: Këto ishin të '90-tat.’”, Avni Rudaku me  “Për zogjtë dhe burrat: Jetët paralele të sorrave”, Vlora Konushevci me “Kujtesa e trenit”, Gresa Nuredini me “Lexim i reflektimeve personale dhe kuratoriale rreth librit ‘Album 1990-1999’” si dhe Arif Muharremi me “Tingulli i mbijetesës: Arratisja e madhe (Tek garazhi i Ekës)”. Ngjarja që kthen vëmendjen te vitet ’90 është organizuar bashkë me organizatën “Integra”.