Si një lloj shkëndije për stimulimin e dramës shqipe shihet çmimi për dramën më të mirë origjinale të shkruar “Talia e Flakës” në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit “Flaka e Janarit”. Qysh një ditë para hapjes së konkursit, Teatri i Gjilanit që e bashkorganizon konkursin, bashkë me organizatën “Varg e Vi” nga Gjilani, i ka thirrur dramaturgët të konkurrojnë me dramat e tyre origjinale të painskenuara më herët. Ky është edhe një prej kritereve për pjesëmarrje. Midis kushteve është edhe ajo se dramat e papërfunduara nuk do të merren në shqyrtim
Zhvillimi i dramës origjinale shqipe është parë vazhdimisht si sfidë e skenës teatrore në vend. Ato që inskenohen jo veç në institucionin kryesor teatror – Teatrin Kombëtar të Kosovës – por edhe nëpër teatrot lokale, janë kryesisht vepra të përkthyera nga dramaturgë të huaj. Si një lloj shkëndije për stimulimin e dramës shqipe shihet çmimi për dramën më të mirë origjinale të shkruar “Talia e Flakës” në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit “Flaka e Janarit”.
Qysh një ditë para hapjes së konkursit, Teatri i Gjilanit që e bashkorganizon konkursin, bashkë me organizatën “Varg e Vi” nga Gjilani, i ka thirrur dramaturgët të konkurrojnë me dramat e tyre origjinale të painskenuara më herët. Ky është edhe një prej kritereve për pjesëmarrje. Midis kushteve është edhe ajo se dramat e papërfunduara nuk do të merren në shqyrtim.
Në njoftimin për konkurs bëhet e ditur se një autor mund të sjellë më shumë se një dramë për shqyrtim dhe se do të merren parasysh të gjitha zhanret. Gjithashtu se zhanri, tema e numri i personazheve nuk janë të kufizuara. Ky konkurs u lejon pjesëmarrjen dramaturgëve nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë ata nga mërgata.
Hiç më larg se pranverën e vitit që e lamë pas qe bërë e ditur se në Kosovë brenda vitit në krejt institucionet teatrore, nuk prodhohen as 30 shfaqje teatrore brenda vitit. Se prej tyre në gishta numërohen shfaqjet origjinale shqipe. Kështu pati thënë dramaturgu Jeton Neziraj që në kuadër të festivalit për letërsi e teatër “Polip” bazuar në “informacione dhe të dhëna konkrete që i posedojnë”.
Ai e ka vlerësuar si lajm të mirë konkursin për dramë origjinale për stimulimin e dramës shqipe.
“Fakti që ky konkurs ka filluar është lajm i mirë, sepse është një stimulim i mirë për shkrimtarët, dramaturgët, që të shkruajnë drama, të kenë mundësi që ato t’i ndajnë me lexuesit, jurinë, me këdo, sepse një prej probleme kryesore të dramaturgjisë është mosleximi. Regjisorët nuk kanë kohë të lexojnë drama, hezitojnë, autorët e dramave nuk kanë ku t’i adresojnë ato, kështu që çdo kanal si ky është i mirëseardhur dhe mendoj se duhet të pasohet edhe me konkurse të tjera të ngjashme”, ka thënë dramaturgu Neziraj.
I vetmi konkurs për dramë origjinale shqipe është çmimi vjetor “Katarina Josipi” që e ndan Ministria e Kulturës. Sipas Nezirajt, është gabim që ky çmim kufizohet “brenda dramaturgjisë shqipe që shkruhet në Kosovë”. Drama e tij “Bëje ose vdis” nën regji të Blerta Nezirajt u dha si produksion i teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë më 14 dhjetor. Ai ka thënë se nuk ka vepër të painskenuar, por se gjithsesi në edicionet e radhës të konkursit do të garojë. E vlerëson si mënyrën e vetme për ta stimuluar dramën shqipe.
“Nëse nuk ka hapësirë tjetër, atëherë krijuesit e dramës demotivohen. Kur ofrohen alternativa si kjo është stimulim i jashtëzakonshëm dhe i domosdoshëm. Përndryshe nuk shoh alternativë tjetër se si mund të stimulohet drama shqipe”, ka thënë Neziraj.
Dramaturgu Zymber Kelmendi e ka përgëzuar nismën për çmimin. Por e ka vënë theksin tek pjesa e vlerësimit të dramave. E ka përsëritur disa herë se nuk duhet të bëhet kompromis.
“Ne gjithmonë kemi të drejtën e mendimit se si ndahen çmimet. Nganjëherë kam përshtypjen që nuk vendoset juria e duhur në kuadër të prurjeve. Kjo për mua gjithmonë ka paraqitur një problem. Por përndryshe gjithsesi se kjo është motivuese për dramaturgët. Kryesisht për dramaturgë të rinj që kanë nevojë t’u krijohet një hapësirë për të dëshmuar veten”, ka thënë dramaturgu Kelmendi.
Çmimi organizohet në kuadër të festivalit të dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës” si segment i ngjarjes me traditë 34-vjeçare “Flaka e Janarit”.
Teatri i Gjilanit ka njoftuar se “drama e vlerësuar me çmimin e parë konsiderohet si dramë potenciale për inskenim në Teatrin e Qytetit në Gjilan”. Gjithashtu se drama fituese merr shpërblimin prej një mijë eurosh.
Dramaturgu Arian Krasniqi ka thënë se inskenimi i shfaqjes fituese do të duhej të ishte obligative dhe jo të lihet si dramë potenciale për t’u inskenuar.
“Nëse lihet si potenciale mund të thuhet se teatri ka të tjera orientime, por nëse bëhet obligative në kriteret e konkursit dhe dakordohet festivali me teatrin, do të ishte mirë. Teksti fitues do të duhej të kishte të garantuar inskenimin në sezonin e ardhshëm a kurdo që shihet e arsyeshme”, ka thënë Krasniqi derisa e ka konsideruar të mirëseardhur këtë çmim.
“Çdo iniciativë dhe projekt që bëhet për ta stimuluar dramën shqipe është e mirëseardhur. Drama shqipe ka nevojë për të gjetur mekanizma që e stimulojnë. Një prej mekanizmave deri tash ka qenë konkursi që bëhet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe që realisht e jep Ministria e Kulturës”, ka thënë ai.
Sipas Krasniqit teksti fitues duhet të ketë vendin në skenë, sepse vetëm atëherë audienca dhe juria ballafaqohen me cilësinë e atij teksti.
“Është shumë mirë që një teatër i qytetit në këtë rast ka nisur të mbështesë shkrimin e dramës shqipe, sepse ne duhet ta stimulojmë atë. Por për mendimin tim nuk mjafton vetëm stimulimi formal, por duhet që teksti a tekstet fituese, të kenë mundësi të inskenohen sepse drama shkruhet për skenë dhe vetëm aty testohet vlera a kualiteti i atij teksti dramatik”, ka thënë Krasniqi.
Sipas aktores Albulena Kryeziu-Bokshi, njëherësh drejtoreshë e Teatrit të Gjakovës, dramaturgët ndër vite kanë qenë nën hijen e aktorëve dhe regjisorëve.
“I motivon dhe u jep hapësirë për të ardhur në shprehje dramaturgët e rinj. Një konkurs i tillë është shumë stimulues dhe besoj se është i mirëseardhur për secilin dramaturg duke e ditur që ne si aktorë, sikurse edhe regjisorët, kemi pak më shumë hapësirë të shfaqemi, të na sheh publikun. Për dramaturgët gjithmonë ka qenë më e vështirë”, ka thënë ajo.
Konkursi për çmimin për dramën më të mirë origjinale të shkruar “Talia e Flakës” do të jetë i hapur nga data 7 deri më 22 janar.