Tahir Emra është një prej pionierëve të artit pamor në Kosovë. Veprat e tij hyjnë tek ato që hapën shtigje që shqiptarët e Kosovës të merreshin me art në ish-Jugosllavi. Piktori, profesori universitar e akademiku vdiq të hënën. Ai ishte 86 vjeç. Vdekja e Emrës që nëpërmjet penelit u bë kronist i historisë së shekullit të kaluar në Kosovë, është parë si humbje e madhe për artin pamor në vend. Trashëgimia e tij është peshërëndë dhe historia e artit pamor në Kosovë do ta renditë te majat, ose në “kreun e pikturës kosovare”, si do të thoshte më 1970, piktori shqiptar me nam botëror, Ibrahim Kodra
Talenti prej vizatuesi do t’i vërehej qysh në shkollimin fillor, gjë që do të bënte që ai – në kohën kur në shumicë shqiptarët e Kosovës nuk mendonin aq për art – t’ia mësynte Shkollës së Mesme të Artit në Pejë. Në këtë institucion, prestigjioz për atë kohë, Emra do të avanconte duke i shtuar profesionalizimin talentit. Vizatimet e tij si “Profil modeleje 1958” nuk shpërfaqin veç talent e teknikë të lapsit në letër. Janë edhe fragmente të kronikave të këtyre anëve që Tahir Emra do t’i punonte për disa dekada me laps, thëngjill, dush e ngjyra. Veprat si “Profil i një modeleje”, ku paraqitet gruaja me shami janë dokumentim artistik i një kohë. E Emra është një prej pionierëve të artit pamor në Kosovë. Veprat e tij hyjnë tek ato që hapën shtigje që shqiptarët e Kosovës të merreshin me art në ish-Jugosllavi. Piktori, profesori universitar e akademiku Tahir Emra, vdiq të hënën. Ai ishte 86 vjeç. Vdekja e Emrës që nëpërmjet penelit u bë kronist i historisë së shekullit të kaluar në Kosovë, është parë si humbje e madhe për artin pamor në vend. Trashëgimia e tij është peshërëndë dhe historia e artit pamor në Kosovë do ta renditë te majat, ose në “kreun e pikturës kosovare”, si do të thoshte më 1970 piktori shqiptar me nam botëror, Ibrahim Kodra.
Anëtari i gjeneratave të para
I lindur në Gjakovë më 10 mars 1938, shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mes¬men të artit më 1959 në Pejë. Në vitet 1959-1961 ishte mësues i vizatimit në vendlindje. Sipas biografisë që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës paraqet, Emra më pas shkoi në Beograd, ku studioi në Akademinë e Arteve Figurative. Diplomoi më 1966 për pik¬turë me shpërblimin special të Akademisë në klasën e profesorit Nedelko Gvoz¬denoviq. Më 1967 Emra u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e lartë Pedagogjike të Prishtinës, Katedra e Arteve Figurative.
Studimet pasuniversitare i vijoi tek i njëjti profesor në Beograd. Magjistroi më 1970. Më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve Figurative të Universitetit të Prishtinës. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve Figurative, pastaj shef katedre në dy mandate etj. Më 1978 u zgjodh profesor inordinar, e pastaj më 1982 profesor ordinar, deri kur u përjashtua nga Fakulteti i Arteve – më parë Akademia – më 1991 nga dekanati dhunshëm.
“Për disa vjet ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Pastaj klasa e tij e pikturës ka vazhduar punën nëpër shtëpitë-fakultete dhe në fund, pas çlirimit, në objektet e Fakultetit amë. Me themelimin e Universitetit të Tetovës, më 1994, ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë në Akademinë e Arteve Figurative deri në vitin 2004”, shkruhet në biografinë e Emrës. Ndërkohë, ai ishte edhe anëtar i Komisionit amë për themelimin e Akademisë së Muzikës të Universitetit të Prishtinës më 1976, anëtar i Komisionit të Qeverisë së Jugosllavisë për zhvillimin dhe përparimin e arteve figurative të fondit “Mosha Pijade” më 1972, anëtar i Këshillit të Ku¬vendit Federativ të Jugosllavisë për ndarjen e shpërblimit të AVNOJ-it më 1978. Piktori Emra do të zgjidhej anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në vitin 2000 ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Më 2020 qe laureat i çmimit për vepër jetësore në artet pamore, “Muslim Mulliqi”, ndarë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Drama nëpërmjet tablove
Krijimtaria e akademik Tahir Emrës është ekspozuar gjithandej Ballkanit. Shquhej për stil të veçantë, kolorit të pasur e pedanteri të lartë. Te veprat e tij prej viteve ’50 deri në ato të këtij shekulli shihen shenjat e hapësirës ku jetoi. E zeza dhe e kuqja janë thuajse të përhershme dhe për këtë kishte arsye të forta.
“Ngjyra e zezë është romantike. Me ngjyrën e zezë jam përpjekur ta shpreh edhe atë, si me thënë dramën të cilën e ka pësuar Kosova. Nuk mund ta shprehë asnjë ngjyrë tjetër sikur e zeza. Kjo është një ngjyrë e mbyllët, por nuk është një ngjyrë lokale e zezë. Është e pasuruar dhe e fisnikëruar ajo”, do të thoshte Emra në hapjen e ekspozitës kolektive ku më 2004 ishin bashkuar në Galerinë e Arteve në Tiranë disa vepra të tij, ato të Rexhep Ferrit, Muslim Mulliqit, Gjelosh Gjokajt e Ibrahim Kodrës. Një vit më vonë më 2005 po në atë Galeri do të hapte ekspozitë retrospektive, përderisa me ekspozita personale gjatë karrierës është paraqitur pos në Kosovë edhe në Beograd, Sarajevë, Mostar, Zagreb e qytet të tjera ballkanike. Drama zinte vend të veprat e tij. Në monografinë e botuar më 2013 nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, autori, piktori e kritiku Kujtim Buza do të theksonte se në vizatimet e tij Emra shpreh dhunti të veçanta, por njëkohësisht është i pamëshirshëm ndaj dhunës dhe mizorisë.
“Ai nuk është aq i butë dhe lirik, kur ia dikton motivi dhe gjendja e tij shpirtërore turfullon në vizatime tragjike dhe shumë prekëse”, shkruhet në monografi. Tragjike dhe prekëse janë edhe veprat e mëvonshme të Emrës, sidomos ato të viteve ’90. Te “Elegji për Kosovën” (1995) e “Epitaf i thyer” 1997 ekspresionisti të kuqes i jep frymë gjaku, por pa rrëshqitur nga pedanteria e kultivuar gjatë gjithë kohës. Njëjtë veproi edhe te “Sofra e përgjysmuar” e punuar në fund të vitit 1997 dhe në pjesën e parë të vitit 1998. Bëhet fjalë për kohën kur vrasjet nga pushteti serb kishin nisur të jenë në masë, dhe tabloja e artisti shndërrohet në kronikë ngjyrash. Është tamam dramë, ku ngjyrat flasin dhe kombinimi i tyre sjell dhimbje, nostalgji e shpërfaq tmerr. Njësoj ndodh edhe te “Buka e fundit” (1998).
Tematikat e veçanta
Emra edhe në vitet e vështira nuk iu nda arsimit. Dhe në këtë drejtim dha kontribut të madh. Akademik Eqrem Basha, shkrimtar e kritik arti, ka thënë se Emra i takon të ashtuquajturit brezi i artë i artistëve.
“Është në themelet e artit tonë bashkëkohor. Janë dhjetëra e dhjetëra, ndoshta qindra studentë që dolën nga këto institucione arsimore ku ka punuar Tahir Emra. Janë institucione që edukuan dhe i hapën rrugën që të shpërndahen gjithandej në botë piktorët, skulptorët e artistëve të tjerë. Mund të themi se është një nga autoritetet më të larta të artit dhe kulturës sonë”, ka thënë Basha.
E ka përshkruar Emrën si artist që ishte aktiv deri në ditët e fundit të jetës.
“Gjithnjë vinte me tablo të reja e çështje të reja që nganjëherë nuk janë aq karakteristike për moshat e shtyra. Është një botë e veçantë e arteve tona pamore. Mbi të gjitha, akademik Emra ka qenë një vizatues i shquar. Tablotë e tij njihen si të veçanta, pasi aty lexojmë mesazhe refleksive që na thellojnë”, ka thënë Basha.
Dizajneri e kritiku i artit, Zeni Ballazhi, ka thënë se në Kosovë është një numër i vogël i artistëve që kanë lënë gjurmë në historinë arteve pamore. Sipas tij, një ndër figurat kryesore te historia e artit pamor është Tahir Emra.
“Ai me krijimtarinë e tij është pjesë e kësaj trashëgiminë. Si gjeneratë e parë e artit pamor të Kosovës, si një piktor i përmasave ndërkombëtare që i përket artit modern të shekullit 20 e këtej, ka vepra mjaft të çmuara për të cilat kanë shkruar shumë kritikë e historianë të artit”, ka thënë ai.
Ballazhi ka thënë se sa u përket veprave të Tahir Emrës, ka parë që ai me krijimtarinë e tij, duke nisur nga veprat e para me vizatime e deri te të fundit shihet një përvojë jashtëzakonisht profesionale. Shihet se ai diti të zotërojë mjetet e shprehjes.
“Veprat janë kryesisht të çliruara nga figuracioni dhe janë pjesë e artit modern. Janë kryesisht piktura që u përkasin tematikave të Kosovës. Në prezantimin e tij gjatë gjithë kohës e ka përmendur çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve. Kjo pjesë ndihet organikisht në veprat të cilat ai i ka lënë pas. Ngjyra e kuqe dhe ajo e zezë janë dominonte në veprat e tij qofshin edhe ato tematike nga vendlindja e tij”, ka thënë Ballazhi. Ka shtuar se Emra shpesh ka përmendur edhe tematikën e homazheve nga lufta e fundit e Kosovës të cilën e ka përfshirë në të gjitha veprat e tij. “Kjo dëshmon qartë se janë piktura origjinale të krijuara në vendlindjen e tij”, ka thënë Ballazhi.
Personaliteti i gjurmëve të pashlyeshme
Me rastin e vdekjes së akademik Emrës, udhëheqësit institucionalë e kanë vlerësuar atë lart. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, nëpërmjet një telegrami të ngushëllimit për familjen Mera ka thënë se Kosova humbi akademikun dhe piktorin që la pas një kontribut të jashtëzakonshëm në sferën akademike dhe atë kulturore.
“Veprat e tij artistike, të ekspozuara brenda dhe jashtë vendit janë dëshmi e pasionit dhe përkushtimit, ndaj mbeten trashëgimi e çmuar për brezat. U shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, komunitetit kulturor dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndiej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, ka shkruar Osmani.
Po nëpërmjet një telegrami të ngushëllimit, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se me angazhimin e tij si profesor në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës, akademik Emra ka dhënë kontribut të madh në edukimin e brezave të rinj në fushën e arteve pamore ndërsa veprat e tij janë pasuri e jashtëzakonshme.
“Vepra dhe kontributi i tij do të mbeten përgjithmonë në historinë e kulturës sonë kombëtare, si frymëzim për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Çeku.
Krijimtaria e Emrës ka marrë vlerësime të larta qysh prej viteve ’70. Disa tablo të krijimtarisë së Emrës në vitet ’70 gjenden në fondusin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. “Shitësi i pulave” e “Nga cirku” reflektojnë risi për pikturën e kohës në Kosovë. Personazhet e tij janë shumë të lira. Kanë njëfarë fryme të asaj erës së zhvillimit që po përjetonte Kosova në atë dekadë. Duke i qëndruar besnik ekspresionizmit, Emra po provokonte me diçka më bashkëkohore.
“Një nga cilësitë e dukshme të artistit është ndarja e sigurt e tij e një figure ose e detajeve më të domosdoshme që, në mënyrë mjaft të bindshme dhe të dukshme, do të shndërrohen në simbol të tërë të ambientit të cilit i kushtohet përfytyrimi”, do të shkruante më 1979 historiania e artit Irina Subotiq me rastin e hapjes së ekspozitës personale të Emrës në atë që ishte Galeria e Arteve në Prishtinë.
“Duke eliminuar kështu gjithçka që duket e tepërt, Tahir Emra e redukton kompozicionin e vet në një numër të vogël faktesh të njohshme dhe të thekshme, të cilat, megjithatë, janë plotësisht të mjaftueshme për ta plotësuar skenën dhe për t’i ikur kështu narracionit të rrezikshëm, që i hedh në hije kualitetet plastike të një vepre. Nga ana tjetër, artisti, me këtë veprim, arrin që çdo detaj të vënë në pikturë t’i japë domethënie dhe vlerë të plotë, si në pikëpamje tematike, ashtu edhe në pikëpamje thjesht figurative”, shkruante midis të tjerash profesoresha universitare, Subotiq.
Pikëpamjet tematike të Emrës bashkë me pedanterinë e tij prej krijuesi kanë bërë që arti pamor në Kosovë të jetë shumë më i pasur. E Emra si një ndër pionierët e kësaj fushe ngelet prej shtyllave të trashëgimisë artistike në këto anë. Aso shtylle e bazave.