Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ka qenë ylli i natës së parë të “Sunny Hill Festivalit” i cili ka nisur të enjten në Bërnicë të Poshtme, nja dhjetë kilometra nga qendra e Prishtinës. Prej muzgut, skena u është lënë artistëve vendorë, e dhjetë minuta para orës 23:00, skenën kryesore e ka pushtuar Bebe Rexha. E ka nisur me “Me Myself & I”. Pas tri këngëve, i është drejtuar publikut në shqip. “Unë jam Bebe Rexha dhe jam shumë e lumtur që jam në Kosovë për herë të parë”, kanë qenë fjalët e para të saj e pastaj ka nxjerrë fanellën me mbishkrimin “J’adore Prishtina”. Ka ftuar për t’iu bashkuar në festë për unitet e bashkim. “E kam prindin nga Dibra dhe gjakun e kemi një”, ka thënë ajo. Këngën “Say My Name“ e ka sjellë në një lloj versioni tradicional me tupanë e çifteli në skenë. Performanca elektrizuese e saj ka zgjatur rreth një orë. Në zonën VIP, është parë edhe Dua Lipa. Artistët vendorë sërish e kanë mbajtur ritmin e pak para orës 01:00, atmosferën e ka elektrizuar DJ Regard, artisti nga Kosova i njohur botërisht. DJ Black Coffee, ka qenë rrëfim më vete, si ylli i dytë i mbrëmjes së parë që ka zgjatur gati deri në lindjen e diellit. E, “Sunny Hilli” do të sjellë edhe tri net të tjera.
(Përditësuar - 02:23)
Ritmin e “Sunny Hill Festivalit” dy orë pas mesnatës e ka marrë nën kontroll DJ i njohur botëror, Black Coffee me një remiks të lehtë ku në një version të tijin unik vjen edhe “Believe” e vitit 1998 kënduar dikur nga këngëtarja Cher. Impozante duket skena e ndriçuar fillimisht me ngjyra rozë. Atmosfera është elektrizuar.
Nkosinathi Innocent Maphumulo, 48 vjeç, i njohur me emrin e tij skenik Black Coffee, është DJ, producent dhe autor këngësh nga Afrika e Jugut. Në karrierën e tij ka fituar edhe “Grammy” më 2022 për albumin më të mirë të zhanrit dance – elektronik. “Subconsciously” është studio-albumi i gjashtë dhe për të mori edhe çmimin e madh.
Skena e “Sunnyt...” i ngjan atyre botërore ashtu siç është dëshmuar tashmë ky festival, i cili sivjet për herë të parë po mbahet në Bërnicë të Poshtme, në shtëpinë e vet.
DJ Regard elektrizon publikun në “Sunny Hill”
(Përditësuar - 01:12)- Para se në skenën kryesore të “Sunny Hillit” të ngjitet DJ dhe producenti muzikor nga Afrika Jugore, Black Coffe, turmën e madhe në numër të festivalit e ka elektrizuar DJ Regard, artist nga Ferizaj i cili shquhet për interpretimin në disa prej festivaleve më të njohura të muzikës elektronike në botë.
Performancën e tij, DJ Regard e ka filluar me një remix të këngës “Pranvera në Prishtinë” të Sabri Fejzullahut.
Përfundon performanca e Bebe Rexhës në “Sunny Hill Festival”, pritet DJ Black Coffee
(Përditësuar - 23:57) - Në një moment gjatë interpretimit të këngës “Take Me Home”, Bebe Rexha doli nga skena duke iu afruar fansave për të kënduar bashkë me ta. Gjithashtu e performoi hitin “In the Name of Love”, derisa me këngën rekordthyese, “I’m Good (Blue)”, i erdhi fundi performancës së saj në “Sunny Hill Festival”.
“Ju dua shumë Prishtinë, faleminderit”, brohoriti këngëtarja në fund.
Bebe Rexha në skenë: Gjakun e kemi një
(Përditësuar - 23:10) - “Unë jam Bebe Rexha dhe jam shumë e lumtur që jam në Kosovë për herë të parë”, kanë qenë fjalët e para në shqip, pas tri këngëve të interpretuara. Pastaj ka nxjerrë fanellën me mbishkrimin “J’adore Prishtina”. Ka ftuar për t’iu bashkuar në festë për unitet e për bashkim. “E kam prindin nga Dibra, dhe gjakun e kemi një”, ka thënë ajo në skenën ku shoqërohet nga katër valltare.
Këngëtarja ka marrë nga publiku dy fansa për të vallëzuar bashkë në skenë. Atmosfera ka kulmuar në tjetër nivel. Këngën “Say My Name“ e ka sjellë në një lloj versioni tradicional me tupanë e çifteli në skenë.
Bebe Rexha pushton skenën e “Sunny Hillit”

(Përditësuar - 22:52) - Ylli botëror, Bebe Rexha, sapo është ngjitur në skenën kryesore të festivalit Bebe Rexha në skenë: Gjakun e kemi një
“Sunny Hilli” është elekrtizuar.
Dafina Zeqiri në skenë, Dua Lipa vallëzon në zonën VIP
(Përditësuar - 21:56) - Atmosfera në “Sunny Hill Festival” është duke kulmuar me performancën e një prej këngëtareve më të pëlqyera të skenës vendore, Dafina Zeqiri. Me hitet e saj më të njohura është duke e mbajtur lartë energjinë e publikut të pranishëm në Bërnicë të Poshtme.
Turma e njerëzve është goxha e madhe, derisa në zonën VIP është spikatur dhe ylli i muzikës pop, Dua Lipa. E shoqëruar nga miqtë dhe familjarët e saj, Dua po e shijon muzikën shqipe, deri në momentin e ngjitjes në skenë të këngëtares Bebe Rexha.
Skena e “Sunny Hillit” ndizet me artistët vendorë

Foto: Endrit Berisha
Bendet me muzikë alternative të Kosovës ishin ata që bënë hapjen e performancave në skenën kryesore të festivalit “Sunny Hill”. Pak pas orës 18:00 u ngjitën, “The Milk Snatchers”, me një performancë rreth 30 minutëshe. Ata interpretuan disa këngë origjinale e në skenë ishin fjalë pak.
Pas tyre skena ishte rezervuar për këngëtaren vendore, ZWADA, e cila performoi disa nga këngët e saj më të njohura si: “Blondie”, “Take It” e “Falma hanën”.
Arbër Salihu, i njohur me emrin skenik La Fazani, si zakonisht ishte ekspresiv në paraqitje dhe perfomancën e nisi plot energji. “Gjemi do pare” ishte kënga e parë që ai e këndoi, komunikimi me publikun nuk mungonte asnjëherë, detyra e tij ishte të ngrinte disponimin dhe ja doli me atmosferën që e krijoi. “Oj Kosovë” çoi peshë turmën e cila po vazhdon të rritet vazhdimisht drejt kohës kur do perforomojnë këngëtarë të tjerë. “Hajde me shuplakë” qe kënga e fundit nga La Fazani.
Ky është edicioni i katërt i “Sunny Hill Festivalit”, por i pari në shtëpinë e vet në Bërnicë të Poshtme, një hapësirë e cila sipas organizatorëve ka kapacitet për 100 mijë veta për katër net. Këto janë edhe synimet e që e bëjnë këtë ngjarjen më të madhe muzikore në Evropën Juglindore.
Ylli i kësaj nate është këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha e cila ka arritur në Kosovë dy ditë më parë. Është debutimi i saj para publikut kosovar.
Parku i Festivalit në Bërnicë është transformuar. Vizitorët fillimisht ndeshen me sigurimin disa qindra metra larg hapësirës kryesore e më pas me pjesën e parkingut për të cilën paraprakisht duhet paguar biletë. Aty është e ndarë hapësira e zakonshme dhe ajo VIP. Ashtu sikur edhe vendqëndrimet për publikun. Janë tri skena në total. Anash janë ekranet gjigante për ta shijuar më qartë performancën e artistëve në skenë. Një sërë flamujsh valëviten në krejt hapësirën. Jo veç si dekor. Është kampanja e Festivalit: “A flag for her” (Një flamur për të). Flamujt me ngjyrë rozë vijnë si protestë e solidaritet për gruan në Kosovë.
“Ne po ngremë flamujt tanë rozë në solidaritet e protestë e për një qiell më të ndritshëm për gratë e vendit tonë. Mënyra se si i trajtojmë gratë tona është mënyra se si e tretim të ardhmen tonë dhe brezat e ardhshëm. Le të bashkohemi për të bërë zërin e tyre të dëgjohet! Duhet të qëndrojmë me nënat, vajzat, motrat tona! Le të dëgjohen gjithmonë zërat e tyre, të vlerësohen dhe të fuqizohen”, shkruhet në njoftimin e Festivalit.
Kampanja është shpërndarë edhe nga këngëtarja me famë botërore Dua Lipa në profilin e saj në “Instagram”. Ajo ka aterruar të mërkurën në Kosovë. Nuk pritet të këndojë.